Ujërat nëntokësore janë tema e sivjetme e Ditës Botërore të Ujit, e cila synon të tërheqë vëmendjen ndaj burimeve të fshehura ujore që janë vendimtare për mbijetesën e shoqërisë sonë.
Pothuajse gjysma e totalit të ujit të pijshëm, 40% e ujit bujqësor dhe një e treta e ujit të përdorur për qëllime ekonomike fshihen nën tokë.
Megjithatë, nevoja për mbrojtjen e tyre nuk njihet mjaftueshëm në legjislacion. Prandaj, Organizata Botërore e Ruajtjes WWF u bashkohet organizatave anembanë botës në përpjekjet tona për të mbrojtur burimin tonë më të vlefshëm natyror – ujin.
Pothuajse gjysma e totalit të ujit të pijshëm, 40% e ujit bujqësor dhe një e treta e ujit të përdorur për qëllime ekonomike fshihen nën sipërfaqen e tokës. Edhe pse të padukshëm, ujërat nëntokësore janë burim jete, duke parandaluar tharjen e lumenjve dhe ligatinave, rrëshqitjet e dheut dhe ujërat e kripura që të hyjnë në habitatet e ujërave të ëmbla. Përveç kësaj, ato janë të rëndësishme për proceset e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe një burim uji për miliona njerëz.
“Ne priremi të mos mendojmë për atë që nuk mund të shohim, kështu që shpesh harrojmë rëndësinë e ujërave nëntokësore, të cilat janë një thesar i fshehur i rajonit tonë. Ndotja e tokës dhe e lumenjve, ujërat e zeza, mbishfrytëzimi i burimeve nëntokësore, ndërtimi i hidrocentraleve dhe kriza klimatike janë vetëm disa nga faktorët që ndikojnë në statusin dhe disponueshmërinë e ujërave nëntokësore.
Prandaj, është e rëndësishme që ta shfrytëzojmë këtë ditë për t’u fokusuar në ruajtjen e këtij burimi të padukshëm përmes bashkëpunimit të përbashkët të sektorëve të ndryshëm, nga bujqësia, energjia dhe ekonomia, deri te mbrojtja e natyrës”, tha Irma Popović Dujmović nga WWF Adria.
WWF Adria ka vite që punon për të mbrojtur ekosistemet e ujërave të ëmbla në të gjithë rajonin. Kështu vitin e kaluar, pas gati dy dekadash pune, u shpall Rezerva e parë biosferike e UNESCO-s me 5 shtete Mura-Drava-Danub, e cila shtrihet nga Austria dhe Sllovenia, përmes Hungarisë dhe Kroacisë, deri në Serbi.
Me Iniciativën për Mbrojtjen e Përhershme të Lumenjve, ne duam të ruajmë disa nga lumenjtë e jashtëzakonshëm me të cilët ka bollëk rajoni ynë. Qoftë Veliki Rzav në Serbi, Ćehotina dhe Bistrica në Mal të Zi apo Zrmanja në Kroaci, qëllimi ynë është të mbrojmë vlerat natyrore, kulturore, peizazhore, rekreative dhe shpirtërore të lumenjve tanë.
Duke rivendosur ligatinat si Hutovo blato në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe duke hequr barrierat jofunksionale nga lumenjtë, ne kontribuojmë drejtpërdrejt në përmirësimin e statusit të tyre, dhe në këtë mënyrë në përmirësimin e shëndetit të ujërave nëntokësore që lidhen me to.
Gjithashtu, duke punuar në mënyrë aktive për të ndalur zhvillimin e hidrocentraleve të vegjël, ne kemi penguar tashmë ndërtimin e mbi 130 projekteve në të gjithë rajonin.
Ujërat nëntokësore janë një thesar natyror i fshehur pa të cilin jeta moderne nuk do të ishte e mundur dhe ndikimi i të cilit është i dukshëm kudo. Duke punuar së bashku, ne mund ta menaxhojmë në mënyrë të qëndrueshme këtë burim për të përmbushur nevojat tona, por edhe nevojat e planetit tonë./Media Ndërtimi.