Connect with us

Infrastrukturë

‘Tendenca e disa ndërtuesve në Mitrovicë për të ndikuar në Drejtorinë e Inspekcionit, është e kotë!’

Published

on

Mbi gjashtëdhjetë objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, janë ndërprerë gjatë këtyre dy viteve nga ana e Inspekcionit në Mitrovicë, për shkak të mungesës së lejes ndërtimore, ndërsa Mitrovica është komuna e parë në vend e cila i ka ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspektoratit në komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, teksa thotë se tendenca e disa biznesmenëve të caktuar për të interferuar në Drejtorinë e Inspekcionit është e kotë, sepse inspektorët komunalë janë të pashantazhueshëm, të pathyeshëm dhe nuk i frikësohen askujt.

Brahimi: Tendenca e disa biznesmenëve për të interferuar në Drejtorinë e Inspekcionit, është e kotë

‘Jemi komuna e parë në Kosovë që i kemi ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje… Pothuajse asnjë objekt i ndërtimeve të larta nuk ka mundësi që të funksionojë as edhe në fazën e parë pa u pajisur paraprakisht me dokumentacion relevant, që nënkupton lejen ndërtimore nga Urbanizmi… Janë diku mbi 60 objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, të cilat i kemi ndërprerë në mungesë të lejes ndërtimore. Mund të them me përgjegjësi shumë të lartë se në qytetin e Mitrovicës dhe lagjet përreth nuk ka ndërtim që është duke u zhvilluar pa leje. Ndoshta mund të ndodhë në ndonjë fshat në periferi të Shalës së Bajgorës, Vllahi, ose diku tjetër që mund të na ikin si raste, por jo edhe si raste për trajtim… Realisht në fillim ka qenë njëfarë lloj rezistence nga ana e tyre (biznesmenëve), ndoshta kanë pasur të drejtë, e them në aspektin figurativ, duke pasur parasysh se në të kaluarën qeverisjet e kaluara kanë hyrë në negociata të arsyeshme dhe të paarsyeshme,… Çdokush duhet ta dijë se në Mitrovicë që nga 28 dhjetori i vitit 2021 në Inspcksion kemi vendosur një standard që nuk ka qenë më parë… Është e kotë tendenca e disa ndërtuesve ose biznesmenëve të caktuar që mendojnë se… në një formë apo ndonjë formë tjetër mund të interferojnë në Drejtorinë e Inspcksionit. Jemi thjesht, të pashantazhueshëm, të pathyeshëm ndaj ligjit, nuk i frikësohemi askujt përveç ligjit, dhe do të vazhdojmë punën vetëm mbi bazën e ligjit dhe në funksion të përgjithshëm të interesit qytetarë”, tha ai.

Ai gjatë një interviste për KosovaPress, tha se puna e inspektorëve është shumëdimensionale dhe shpesh kryejnë punët për të tjerët.

Sipas tij, problemet e shumta të cilat nuk mund të zgjidhen nëpër Drejtoritë tjera, në fund gjejnë trajtim te Drejtoria e Inspeksionit.

Brahimi foli për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë me policinë, inspektorët e ATK-së, AVUK-ut, por edhe Doganën, në rastet kur pretendohet se ka mall pa deklaracion, ose ka hyrë në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Brahimi: Kemi nevojë për më shumë inspektorë

“Ne kemi në dispozicion 17 inspektorë, kemi nevojë edhe për po aq inspektorë, për shkak të numrit të madh të problematikave të cilat shtrojnë nevojën për trajtim në këtë qytet, mirëpo ne jemi në disa faza duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së numrit të inspektorëve, dhe besoj se deri në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm, ne do ta rrisim numrin e inspektorëve për 27 inspektorë… Nuk do të thotë se jemi duke i kryer punët 100 përqind, sepse gjithmonë ka hapësirë për përmirësime, por e rëndësishme është se ne po bëjmë përpjekje për ta bërë më të mirën për qytetin… Ne shpesh kryejmë detyra edhe për Drejtoritë tjera, vlen të theksohet fakti se kontributi ynë ka qenë i pakontestueshëm edhe në kuptimin e rregullimit urban… Pastaj ne kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me Policinë e Kosovës, kemi inspektuar lokalet e natës, po ashtu në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së, AVUK-ut, vazhdojmë me pas bashkëpunim të mirë edhe me Doganën në rastet kur pretendohet se ka mall pa deklaracion, ose që ka hyrë në mënyrë të kundërligjshme në territorin tonë dhe në një formë puna jonë është shumëdimensionale, ka një degëzim të asaj natyre ku pothuajse problem i fundit që nuk mund të zgjidhet në Drejtoritë tjera, vjen dhe gjen trajtim tek ne”, tha ai.

Duke përmendur sfidat në punën e tyre dinamike, Brahimi përveç sektorit të ndërtimit, ku tha se çdoherë ka tendencë të ndërtuesve për anashkalimin e procedurave, potencoi edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin e tregut, pastaj numrin e vogël të inspektorëve, që si rrjedhojë pamundëson menaxhimin e plotë të rasteve, etj.

Brahimi: Kur kam ardhur si drejtor ka pasur kërcënime

“Puna që kryejmë ne si drejtori është një përditshmëri sfiduese, sepse një problem e trajtojmë dhe e zgjidhim, në një moment të caktuar na shfaqet një problem tjetër. Si sektor i tregut në bëjmë një punë mjaft dinamike…Kemi një përgjegjësi për ta mbrojtur konsumatorin, të drejtën dhe interesin e konsumatorit. Kemi qendra jashtëzakonisht shumë në Mitrovicë… Po ashtu sfidë është çështja e ndërtimit. Ne kemi ndërprerë të gjitha ndërtimet pa leje, por çdoherë kemi tendencë të ndërtuesve që t’i anashkalojnë procedurat ligjore… Një sfidë tjetër është çështja e rritjes së stafit… Në fazat e para kur kam ardhur si drejtor ka pasur kërcënime. Normalisht kanë ngelur vetëm në suaza të tentativave… Ajo që është e rëndësishme është se në kohën e qeverisjes së tanishme, do të thotë të Bedri Hamzës, e them me përgjegjësi të plotë se kurrë më herët nuk ka pasur më shumë rend dhe ligj, dhe punët që janë duke ndodhur tani, më herët nuk kanë ekzistuar’, ka thënë kryeinspektori Brahimi./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

Historike! Kontejnerët ‘Made in Kosova’ akomodohen në projektin gjigant të ndërtimit “Stuttgart 21” të STRABAG dhe ZÜBLIN

Published

on

Kontejnerët e prodhuar nga fabrika GAMP, pas eksportimit nga Kosova, tashmë kanë nisur të pozicionohen për nevojat e mega projektit të ndërtimit “Stuttgart 21”.

Kontejnerët e parë të ndërtuar nga GAMP, do të shërbejnë për akomodimin e mijëra punëtoreve të këtij projekti, me nënkontraktor ‘Amiri Bauunternehmen GmbH’.

Kontejnerët e transporti, të bërë kryesisht nga çeliku i fortë, ofrojnë një bazë të qëndrueshme dhe të fortë për ndërtim.

Ato janë të përshtatshme për të krijuar shtëpie, zyre, dyqane, lokale tregtare, restauronte, galeri arti dhe shumë ambiente të tjera banimi.

Projekti “Stuttgart 21”, përfshinë ndërtimin e stacionit nëntokësor me një kalim luginash, si pjesë e projektit në shkallë të gjerë dhe po ndërtohet nga kompanitë gjigante të ndërtimit STRABAG dhe ZÜBLIN.

Gjeografikisht, projekti i ndërtimit ndahet në Kokën Veriore, Sallën e Stacionit dhe Kreun e Jugut. Tuneli Nordkopf DB, i cili do të ndërtohet duke përdorur metodën e ndërtimit të hapur, lidhet me dy tunelet e minuar drejt Feuerbach dhe Bad Cannstatt dhe përfundon me kalimin në sallën e stacionit.

Salla e stacionit, e vendosur midis majave veriore dhe jugore, është 450 m e gjatë dhe 80 m e gjerë dhe ka kulmin arkitekturor të çatisë së guaskës, është thelbi dhe pika fikse e projektit të përgjithshëm “Stuttgart 21”.

Javë më parë, në Lipjan, është përuruar fabrika e kontejnerëve modularë “GAMP”, një investim 7 milionë euro i një kompanie kosovare dhe një gjermane.

Fabrika 7 mijë m² shtrihet në 20 mijë m² në fshatin Konjuh të Lipjanit dhe është arritur të ndërtohet për gjashtë muaj.

Bashkëinvestitori Valon Vataj, pronar i kompanisë “KAWA”, deklaroi se GAMP do të kontribuojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe prodhimet “Made in Kosova”, e cila do të “pushtojë” tregjet ndërkombëtare.

Continue Reading

Infrastrukturë

Pas Konventës së Bernës, 30 organizata mjedisore kërkojnë ndalimin e punimeve në aeroportin e Vlorës

Published

on

30 organizata mjedisore nga “Aleanca e Mesdheut për Ligatina”, një rrjet ndërkombëtar nga 15 shtete kanë kërkuar të ndalohen punimet e aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë, duke e konsideruar vijimin e punimeve si “shkatërrimtare për xhevahirin mesdhetar që është shtëpi për 70 specie të rrezikuara, 200 lloje shpendësh apo llojesh endemike”.

Në këtë letër përmenden mundësitë alternative të ndërtimit infrastrukturor, pa dëmtuar mjedisin. Një prej këtyre alternativave përfshin zgjerimin e madhësisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës ose ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë për të lidhur jugun e vendit me Tiranën.

“AOS dhe PPNEA kanë propozuar shqyrtimin e vendndodhjeve alternative për aeroportin siç janë Risili, Kafaraj ose Levan, në varësi të një vlerësimi të përshtatshmërisë së mjedisit apo rrezikshmërisë”.

Kjo deklaratë vjen një ditë pas vendimit të Konventës së Bernës, e cila i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të pezullonin punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë derisa të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis.

Komisioni Evropian, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues të Konventës, e mbështeti vendimin. Të gjitha palët anëtare të Komitetit Drejtues e mbështetën atë unanimisht. Ky vendim është marrë në një mbledhjen e 26 qershorit (2023) të Byrosë së Komitetit Drejtues, por u zyrtarizua në 13 shtator.

Vendimi i Konventës së Bernës çon në tre numrin institucioneve politike europiane që kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit, qysh nga çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian (BE). Më herët në korrik të këtij viti edhe Parlamenti Europian kërkoi ndalimin e aeroportit.

Të premten dhe të shtunën e javës së shkuar, organizatat mjedisore protestuan përballë Ministrisë së Mjedisit dhe më pas përballë Kryeministrisë dhe kërkuan zbatimin e Konventës së Bernës, që Shqipëria e ka ratifikuar në janar të vitit 1999.

Zona ku sot po ndërtohet aeroporti i Vlorës, deri në vitin 2021 kategorizohej si zonë e rëndësisë së veçantë, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë (Kategoria V). Planet për ndërtimin e këtij aeroporti kishin nisur prej muajit janar të vitit 2018./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Masterplani i Trojenës ka “harmoninë holistike”

Published

on

Drejtori i projektit LAVA, Lukas Kronawitter, ka përshkruar mendimin pas masterplanit të vendpushimit të skive Trojena që po zhvillohet si pjesë e projektit Neom në Arabinë Saudite.

Duke folur në një panel të fokusuar në Trojena në konferencën Cityscape në Riad, Kronawitter shpjegoi se si projekti synon të kombinojë peizazhin malor me zhvillimet turistike të integruara në peizazh.

Sipas Kronawitter, kjo qasje do të lejojë që zhvillimi turistik, i cili do të përfshijë një vendpushim skish dhe një kullë 330 metra të lartë, të projektuar nga Zaha Hadid Architects, të jetë në harmoni me peizazhin.

E shpallur vitin e kaluar, Trojena është planifikuar si një destinacion turistik në malet e rajonit Tabuk të Arabisë Saudite si pjesë e zhvillimit më të gjerë të Neom.

Masterplani do të ndërtohet rreth një liqeni të madh, të krijuar nga njeriu, i rrethuar nga hotele dhe shtëpi. Krahas liqenit, një mal do të jetë në majë nga një vendpushim skish i projektuar gjithashtu nga LAVA, ndërsa tjetri do të jetë në krye të rrokaqiellit të projektuar nga Zaha Hadid Architects.

/Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending