Nënkalimi në formë vele që premtonte se do ta transformonte imazhin e qytetit bregdetar është kthyer në një shembull të projekteve ku kostoja financiare nuk përkon me vlerën utilitare.
Në mbretërinë e Siamit, e cila shtrihej në territorin e sotëm të Tailandës, elefantët e bardhë vlerësoheshin aq shumë si kafshë të shenjta, saqë kur një syresh zbulohej, ai bëhej menjëherë pronë e mbretit.
Megjithatë, duke qenë se nuk mund të përdoreshin për punë, posedimi i tyre i kthente ata në një barrë financiare për monarkun.
Mbretërit e Siamit ia dhuronin elefantët e bardhë vartësve fatkeq ndaj të cilëve kishin humbur besimin, të cilët detyroheshin t’i mbanin këto kafshë duke shpenzuar pasuri të mëdha për strehimin dhe ushqimin e tyre.
Në botën moderne, termi “elefant i bardhë” shpesh lidhet me projekte ndërtimore të cilat janë shumë të kushtueshme dhe jofunksionale.
Për ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile, projekti “Veliera” në hyrje të portit të Durrësit, i cili ka kushtuar rreth 11 milionë euro, tashmë është kthyer në një elefant të bardhë.
Punimet kanë hyrë në vitin e tetë dhe kanë mbërritur në fazën e tyre të fundit, por askush në qytet nuk duket i interesuar për përfundimin e tyre.
Ndërsa specialistët po montojnë pllakat drejtkëndore, konstruksioni i rëndë metalik që është ngritur në fund të Bulevardit “Epidamn” nuk tërheq vëmendjen e askujt.
“Besoj se do të ketë edhe një fazë tjetër punimesh, kur të montohen pllakat metalike në faqen e sipërme konkave të konstruksionit”, tha për BIRN inxhinieri portual Tomorr Spahiu.
Sipas Spahiut, “qindra tonelata peshë e kapriatave dhe shtyllave metalike mbi urë i shtohen hekurit të betonuar, kryesisht në zonën e nënkalimit rrugor”.
“E gjitha është superpeshë që shërben për të mbajtur nën kontroll presionin e ujërave nëntokësore në kompleksin me sipërfaqe rreth një hektar.”
Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me avantazhet e nënkalimit rrugor të ndërtuar nën “Velierën”, inxhinieri Tomorr Spahiu tha se “kryqëzimi mbitokësor që funksionoi disa dhjetëra vite ishte shumë i vlefshëm për lidhjet automobilistike me qendrën e qytetit, shëtitoren drejt Currilave, hyrjen e portit dhe atë të rrugës ‘Egnatia’”.
Në të njëjtën periudhë me “Velierën” në zonën bregdetare u rikonstruktua shëtitorja “Taulantia”, por kompleksi i ri rrugor e vështirësoi edhe më tej lëvizjen e kalimtarëve dhe mjeteve nga qyteti drejt bregdetit në zonën “Vollga”.
Lartësia e “Velierës”, e cila u prezantua vite më parë me emrin “Vela”, aktualisht i ka “zënë nën vehte” godinat e ndërtuara në qytetin antik gjatë pesë shekujve të kaluar, që nga Torra mesjetare deri te godinat e administratës portuale, që u ngritën pas vitit 1928.
Gjatë punimeve fillestare të Velierës, arkeologët zbuluan topa mesjetarë, gjyle, si dhe disa fortifikime, ndërtimi i të cilave në periudha të ndryshme kohore ka qenë mjaft dinamik dhe jo gjithmonë i mbështetur në linjat e mëparshme.
Sipas arkeologut që drejtoi monitorimin, prof. as. Dr. Eduard Shehi, brenda sheshit prej disa qindra metra katrore që tashmë dominohet nga ura e Velierës, në fillim të vitit 2017 u zbuluan struktura muresh dhe elemente të kulturës materiale, që i përkasin ndërtimeve romake, atyre mesjetare si dhe bastioni i periudhës osmane./Media Ndërtimi