Shkurorëzimi i bashkëshortëve apo ndarja nga jeta përpos që ka pasojë prishjen e martesës gjithashtu sjell si nevojë edhe ndarjen e pasurisë.
Trashëgimia është kalimi me ligj apo testament i personit të vdekur (trashëgimlënësit) tek një apo më shumë persona sipas rregullave të caktuara.
Objekte që mund të trashëgohen janë sendet dhe të drejtat të cilat i përkasin individëve.
Bashkëshortët dhe fëmijët qofshin këta jashtëmartesor kanë të drejta të barabarta të ndarjes së trashëgimisë.
E drejta në trashëgimi është e drejtë themelore e cila garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e tjera.
Me Ligjin për trashëgimi është përcaktuar ndarje e barabartë e trashëgimisë mes anëtarëve të familjes. Në rastet kur ju pretendoni se iu është shkelur kjo e drejtë, me anë të padisë mund ta inicioni procedurën në gjykatë.
Kontestet trashëgimore sipas ligjit zhvillohen në gjykatën themelore ndërsa të dhënat e MCC tregojnë që edhe përkundër pritjeve të gjata lëndët e kësaj natyre po zgjidhen.
Databaza e të dhënave të hapura e krijuar nga Millennium Foundation Kosova – MFK, tregon se nga viti 2016-2018 gjykatat tona kishin 371 lëndë në punë, prej të cilave zgjidhën 54 raste. Prej tyre, për 25 raste është aprovuar kërkesëpadia.
Sipas statistikave, për 5 lëndë është marrë vendim për hedhje poshtë të padisë, ndërkaq 13 raste të tjera kanë përfunduar me tërheqje të padisë.
Tutje, të dhënat e MKF-së tregojnë se me marrëveshje gjyqësore dhe me hedhje poshtë të padisë për tre vite janë zgjidhur nga 5 raste.
Ndërkaq, për dy raste gjykatat në Kosovë kanë marrë vendim që të ndërpritet procedura, kurse tre lëndë janë zgjidhur në mënyrë tjetër.
Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti “Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.
Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese./Media Ndërtimi.