Shpella e Postojnës është shpella e parë ku kalon një tren turistik dhe më e njohura në Europë. Të gjithë duhet ta kenë në listën e tyre.
Sllovenia është një vend i vogël në Europë, por një nga vendetet më të gjelbra dhe piktoreske për t’u vizituar.
Në të ndodhet liqeni i famshëm Bled dhe kisha e ndërtuar në liqen. Sllovenia është gjithashtu një nga destinacionet më ekonomike për të zbuluar Alpet Europiane.
Një nga vendet më të famshme në vend është shpella e Postojnës, e cila njihet për kështjellën më të madhe në botë të ndërtuar brenda një shpelle, si dhe është vendi i vetëm që ka një tren që kalon përmes një shpelle nëntokësore.
Shpella më e famshme në Europë
Sistemi i shpellave është gdhendur gjatë miliona viteve nga lumi Pivka. Shpella Postojna është sistemi i dytë më i gjatë i shpellave në Slloveni, 24 kilometra i gjatë. Sistemi i Migovec është më i gjati.
Shpella është e zhytur në histori, mite dhe legjenda parahistorike dhe mesjetare. Një tjetër rekord që mban shpella është vendosja e skenës më të madhe të lindjes së Krishtit në nëntokë, gjatë Krishtlindjeve.
Shpella është pjesë e Parkut të Shpellës Postojna, e cila përfshin gjithashtu ekspozitën e karstit të shpellës Expo Postojna, Shpellën Proteus dhe Vivarium.
Shpella të tjera, që ia vlen të vizitohen, janë Shpella e Zezë dhe Shpella Pivka. Në shpellë ndodhet edhe zyra e vetme postare nëntokësore në botë.
Historia e shpellës së Postojnës dhe trenit të parë në një shpellë nëntokësore
Shpella e Postojnës është e famshme për hekurudhën e parë që kalon në një shpellë në botë, e cila funksionon prej 140 vjetësh. Sllovenia dikur ishte pjesë e Austrisë dhe në 1819, arkiduka Ferdinand vizitoi shpellat, të cilat më pas u bënë të njohura zyrtarisht si një destinacion turistik.
Nuk flitet për arkidukën Ferdinand, i cili u vra 100 vjet më vonë, duke shkaktuar fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Ndriçimi elektrik iu shtua shpellave në vitin 1884, që do të thotë se shpellat u elektrifikuan edhe më përpara se qyteti kryesor i Sllovenisë, Lubjana, të ndriçohej.
Në 1872, u ndërtuan binarët e shpellave për të krijuar trenin e parë të shpellës për turistët. Në fillim, këta vagonë treni nuk kishin motor dhe shtyheshin nga vetë udhërrëfyesit.
Ky sistem funksiononte duke tërhequr dy karroca, të quajtura phaeton, që mbanin katër vizitorë secila. Një lokomotivë me gaz u vu në punë në fillim të viteve 1900.
Pasi arkiduka më i famshëm, por fatkeq, Ferdinand, u vra në Sarajevë dhe Europa u zhyt në tragjedinë e Luftës së Madhe, të burgosurit rusë të luftës u përdorën për të ndërtuar një urë mbi një humnerë të madhe në shpellë.
Njëzet vite më vonë, lufta u rikthye dhe në Luftën e Dytë Botërore, gjermanët depozituan rreth 1000 fuçi karburant avionësh në shpellë, por më kot, pasi rezervat u shkatërruan nga partizanët sllovenë. Zjarret vazhduan për shtatë ditë.
Treni në shpellën e Postojnës…
Sot, rreth 5.3 kilometra nga shpella është e hapur për publikun. Nga kjo gjatësi, treni përshkon 3.5 kilometra. Njerëzit mund të eksplorojnë 1.5 kilometrat e mbetura me një udhërrëfyes. I gjithë udhëtimi zgjat rreth një orë e gjysmë.
Aktualisht, është hekurudha e vetme speleologjike me dy binarë në botë. Përgjatë udhëtimit me tren në shpellë, vizitorët shohin një rrjet të gjerë nëntokësor galerish dhe korridoresh karstike. Stalagmiti më i madh ka një gjatësi prej 16 metrash dhe quhet Rrokaqiell (Skyscraper).
Llambadarët befasues prej xhami Murano që varen nga tavani i Sallës së Vallëzimit të shpellës, krijojnë një atmosferë pothuajse përrallore.
Vizitorët mund të shohin tunelin e krijuar nga njeriu në shpellë, sipërfaqet e nxira nga benzina e djegur nga Lufta e Dytë Botërore dhe Urën e ndërtuar nga të burgosurit rusë.
Gjithashtu vlejnë për t’u përmendur Salla Gotike dhe Salla e Kongreseve.
Shpella mund të jetë turistike, por vizitorët mund të zbulojnë pse është kaq popullore dhe ka qenë që kur elita e aristokracisë Europiane e vizitoi për herë të parë rreth 150 vjet më parë./Media Ndërtimi