Maqedonia e Veriut edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të këtij viti do të përballet me ndotjen e ajrit, bazuar në mungesën e masave të institucioneve për përballje me të.
Shkupi dhe Tetova, viteve të fundit kanë qenë në krye të listave botërore sa i përket ndotjes së ajrit, respektivisht pranisë së grimcave PM-10 shumë herë më të larta mbi normat e lejuara.
Pavarësisht kësaj, nga buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Ambientit Jetësor janë ndarë 30.4 milionë euro, shumë kjo më e ulët se ajo e vitit të kaluar, ndërsa është zvogëluar edhe numri i të punësuarve në Inspektoratin e mjedisit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Komuna e Shkupit për t’u përballur me ndotjen e ajrit ka ndarë 790.000 euro – vlerë kjo shumë më e vogël sesa në vitin 2022 kur ishin ndarë 1.4 milion euro.
Drejtuesit e institucioneve shumë herë kanë premtuar modernizimin e transportit publik, të sistemeve të ngrohjes të cilat ende përdorin mazutin si lëndë djegëse, masa të tjera si ndërprerja e punës së kapaciteteve industriale që paraqiten gjithashtu si ndotës të mëdhenj, por situata ka mbetur e njëjtë.
“Është iluzore të mendosh se problemin e ndotjes së ajrit mund ta zgjidhim për dy, tre apo katër vjet. Praktika tregon se kjo ndodh nga dhjetë deri në 20 vjet, sikur edhe në metropolet tjera botërore”, thotë ministrja e Ambientit Jetësor, Kaja Shukova.
Sipas saj, kryeqyteteve u duhen disa vite për t’u përballuar me këtë problem, për kalimin nga sistemet e ngrohjes joekologjike në sistemet e ngrohjes ekologjike, të cilat e ndotin më pak ajrin. Shukova nuk pajtohet se Shkupi është ndër qytetet më të ndotura në botë.
Për ta zgjidhur në mënyrë efikase problemin e ndotjes, nevojitet një strategji serioze, si dhe burime njerëzore dhe financiare, thonë nga Qendra për Kërkim dhe Informim Mjedisor “Eco-Svest”.
Kjo shoqatë, në bashkëpunim me ekspertë të tjerë, në vitin 2019 kishte hartuar një koncept për zhvillimin e një procesi strategjik për uljen e ndotjes së ajrit me një vlerë prej 300 milionë eurosh në vit.
Masat, veç tjerash, parashikonin subvencione prej 100 euro për vendosjen e filtrave për 25.000 amvisëri që ngrohen me dru dhe lëndë të tjera ndotëse, subvencione prej 300 eurosh për vendosjen e aparateve të gazit në 10.000 automjete, ndryshimin e mënyrës së ngrohjes në institucionet shëndetësore dhe arsimore në qytetet më të ndotura.
Por, këto masa të shoqatave ekologjike nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet shtetërore./Media Ndërtimi