“Kur shoh grilat dhe dyert e mbyllura në Shën Stefan, më pushton trishtimi, sepse pesëdhjetë vjet më parë, ai qytet-hotel fitonte çmime botërore, ndërkaq tash nuk funksionon”, thotë vendasi Vladimir Mitroviq, 87-vjeçar.
Para gjysmë shekulli, në kohën e famës botërore të Shën Stefanit, ai ishte drejtor i tij. Faktin që marka më e njohur e turizmit malazez është mbyllur për sezonin e dytë, ai e konsideron të dëmshëm për reputacionin turistik të vendit.
“Kur shëtis deri te Shën Stefani, përmes parkut të Miloçerit, shoh se është lënë pas dore, në plazhe tregtohet, nuk ka shërbime dhe roje plazhi, ndodh që aty piqen qebapët. Po dërgohet një mesazh shumë i dëmshëm për turizmin malazez”, thotë Mitroviq për Radion Evropa e Lirë.
Hotelet ekskluzive Shën Stefani dhe Miloçer, pastaj Plazhi i Mbretëreshës, ku po ndërtohet një objekt i ri me vlerë rreth 70 milionë euro, janë marrë me qira afatgjate që nga viti 2007, fillimisht nga Aman Resorts e Singaporit dhe më pas nga biznesmeni i kompanisë greke Adriatic Properties, Petros Statis.
Hotelet në atë kohë ishin pjesë e kompanisë hoteliere “Riviera e Budvës”, kryesisht pronë shtetërore dhe kontrata u nënshkrua në kohën kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ishte në pushtet.
Resortet Aman (Aman Resorts) nuk i hapën hotelet as verën e kaluar. Kjo u parapriu protestave të disa vendasve dhe drejtuesve të pushtetit vendor nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.
Megjithatë, tash për tash, nuk ka njoftime nga Qeveria e Malit të Zi se hapja e hotelit është në horizont, ndonëse kryeministri Dritan Abazoviq thotë se opsioni më i keq është që Shën Stefani të mbetet i mbyllur.
“E kam nisur çështjen, në mënyrë që në disa modalitete Shën Stefani të mund të kthehet në pronësi të shtetit 100 për qind dhe që përmes vendimit të Qeverisë, ndoshta Parlamentit, të shpallet si e mirë e veçantë që nuk tjetërsohet, kjo është ideja e Qeverisë”, u ka thënë Abazoviq gazetarëve më 10 qershor.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur kabinetin e Abazoviqit dhe Qeverinë se për cilat modalitete bëhet fjalë, çfarë hapash duhet të ndërmerren për këtë qëllim, në cilat instanca dhe në çfarë afati, por përgjigja ka munguar.