Ambasada Amerikane ka dhuruar pothuajse 800.000 dollarë për rikonstruktimin dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës në vend, që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, teksa ka publikuar edhe fotot e disa prej monumenteve të kulturës, ambasada e SHBA-ve bën me dije se paratë do të shkojnë për rimëkëmbjen e të paktën tre monementeve të rëndësishme të kulturës, Krujës, Durrësit dhe Prezës, që mbetën të dëmtuara nga tërmeti i fortë, që la pas 51 vikima.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike, e cila na sjell në vëmendje nevojën për të ruajtur monumentet dhe parqet arkeologjike, dhe për të vlerësuar larminë e trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, po kontribuon pothuajse 800,000 dollarë për punë rimëkëmbëse dhe mbrojtëse në tre monumentet të rëndësishme të kulturës në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. #SHBAQendronKrahShqiperise #AFCP”- shkruhet në status./Dosja.al
You must be logged in to post a comment Login