Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim 3% nga 15% do të shtyhet deri më 30 prill 2022 dhe me mundësi pagese deri në fund të korrikut 2022.
Afati i rivlerësimit përfundonte më 31 dhjetor 2021. Shtyrja e procesit është konsultuar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe sipas burimeve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe aktorëve të tregut pritet t’i kalohet për miratim qeverisë.
Kjo është hera e katër që brenda një periudhe të shkurtër parashikohet të ndryshojë afati i përfundimit të procesit. Arsyeja e shtyrjes të afatit të rivlerësimit është numri i lartë i aplikimeve të papërfunduara nga ASHK dhe i atyre që kanë aplikuar për rivlerësim, por ende nuk kanë kryer pagesën e tatimit.
Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) për Monitor për 2021 janë 42% e aplikimeve që ende nuk është paguar tatimi. Konkretisht janë kryer 56,623 aplikime për 32,944 të tilla është paguar tatimi 3% dhe ka përfunduar procesi, ndërsa për 16,682 aplikime nuk është paguar taksa.
Sakaq nga ASHK janë ende të patrajtuara 2,506 aplikime dhe 4,491 prej tyre janë anuluar. Për totalin e aplikimeve të përfunduara në 2021 janë arkëtuar rreth 3,6 mld lekë.
Shtyrja e afatit të rivlerësimit do të ketë efekte pozitive te tregu i pasurive të paluajtshme sipas përfaqësuesve të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësuesve (NAREA).
“Shtyrja e afatit të rivlerësimit së pari i jep mundësinë ASHK të përfundoj me sukses çdo aplikim të dorëzuar tashmë dhe për të cilin pronari rivlerësues (që në shumicën e rasteve është dhe shitës në të ardhmen e afërt) nuk ka marrë akoma një konfirmim për masën e tatimit të rivlerësimit.
Nxit transaksionet me pasuritë e paluajtshme, duke i bërë të gjitha pronat, pavarësisht kategorisë, vitit të ndërtimit, gjendjes së amortizimit, të tregtueshme, konkurruese si dhe një alternativë e mirë ne treg.
Nxit investimet në Pasuritë e Paluajtshme, duke zhvilluar titujt e pronësisë si dhe të drejtën e kujtdo për të zotëruar një pasuri të paluajtshme. Nxit formalizimin dhe shmangien e evazionit fiskal në transaksionet kalimit të pronësive, raporton Revista Monitor.
Nëpërmjet procesit të rivlerësimit bëhet e mundur reflektimi i çmimit real në treg dhe jo vetëm sipas çmimeve referencë dhe luftën kundër pastrimit të parave, duke inkurajuar transaksione të rivlerësuara sipas çmimit të tregut dhe jo vetëm sipas sistemit të çmimeve referencë”, citon Shoqata Kombëtarë e Ndërmjetësuesve.
Duke qenë se procesi i rivlerësimit po jep efekte pozitive në tregun e pasive të paluajtshme, NAREA pritet që shumë shpejt të propozojë një formulë që do të qëndrojë afatgjatë, duke shmangur shtyrjet e shpeshta të procesit.
Metoda e re e rivlerësimit që po hartohet nga agjencitë mobiliare në bashkëpunim me MFE pritet të kategorizojë apartamentet sipas vjetërsisë, amortizimit dhe rregullave kontabël.
Ligji për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme hyri në fuqi që në 1 janar 2020, por zbatimi i tij nisi me vonesë, për shkak të mungesës së udhëzimit, i cili hyri në fuqi në fillim të muajit shkurt.
Për periudhën janar-maj 2020 MFE njoftoi se numri i aplikimeve ishte i ulët dhe për këtë arsye nga 30 shtator 2020 që ishte afati i përfundimit u shty deri në fund të vitit të kaluar.
Afatet e përfundimit të rivlerësimit u ndryshuan përsëri, për shkak të numrit të ulët të aplikimeve nga situata e krijuar nga pandemia, duke vendosur si afat të mbylljes të amnistisë 31 dhjetorin 2021./Media Ndërtimi.