Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, të martën, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet restauruese-konzervuese në mejtepin dhe xhaminë e vjetër të fshatit Shkozë të Malishevës. Sipas njoftimit, këto punime janë drejtuar nga QRTK-ja në Prizren, në kuadër të zbatimit të programeve për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore të mbështetura financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka theksuar se “themelet e rrënojave të xhamisë së fshatit Shkozë, tashmë të restauruara, janë me rëndësi historike, por edhe të veçantë për arkitekturën lokale, ngase është ndërtesa e vetme arkitekturore publike që ka pasur fshati Shkozë”.
“Veç tjerash aty janë shkolluar gjenerata të tëra me njohuri fillestare, pra, kjo ndërtesë ka ushqyer nevojën shpirtërore dhe arsimore të komunitetit dhe si e tillë ruajtja dhe prezantimi i këtij monumenti ishte i nevojshëm pasi që ajo paraqet burimin e dijes, dhe në të njëjtën kohë dëshmon edhe për pasojat shkatërrimtare të luftës së fundit në trashëgiminë kulturore”, ka thënë Hoxha.
Në njoftim, QRTK-ja ka cekur se pas restaurimit dhe konzervimit të themeleve të këtij aseti të trashëgimisë kulturore, “banorët e këtij fshati kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’u kujdesur për këtë monument, duke mos kursyer edhe mbështetjen financiare për rregullimin e ambientit rreth saj si dhe infrastrukturës përcjellëse”.
QRTK-ja gjithashtu ka bërë të ditur se xhamia dhe mejtepi i vjetër i fshatit Shkozë është ndërtuar në vitin 1916 ku sipas të dhënave gojore nga të moshuarit e këtij fshati kjo xhami së bashku me mejtepin (shkollën) ishte ndërtuar me kontributin e fshatarëve.
You must be logged in to post a comment Login