Shëtitorja e qytetit të Sarandës para zhvillimit të projektit ishte një destinacion turistik i frekuentuar pa hapësira dhe shërbime të mira publike.
Projekti i rehabilitimit, 1.2 km i gjatë është konceptuar si një skenë e gjerë në natyrë që pothuaj e dyfishon hapësirën publike, harmonizon elementët ekzistues dhe akomodon objekte të reja dhe aktivitete rekreative për një eksperiencë më cilësore, mbresëlenëse të vizitorëve.
Saranda është një qytet port dhe porta kryesore turistike e Shqipërisë së Jugut. Klima e butë e Sarandës, vendndodhja e saj strategjike përballë ishullit të Korfuzit dhe lidhja në rritje me rrugë ujore i japin qytetit një rritje të qëndrueshme vjetore të turistëve dhe një sezon turistik më të gjatë se qytetet e tjera bregdetare te Shqipërisë.
Për shkak të këtyre karakteristikave, qyteti dhe veçanërisht shëtitorja bregdetare e lidhur fizikisht drejpërdrejte me qytetin janë të mbipopulluar gjatë verës dhe specifikisht gjatë orëve të darkës.
Gjatë periudhës së postkomunizmit, Saranda ka përjetuar një rritje urbane ekstreme të pakontrolluar, duke sjelle për rrjedhoje dëndësi të madhe popullsie dhe veçanërisht në pikun e sezonit turistik, duke pështjelluar shërbimet publike dhe cilësinë e jetës urbane.
Shëtitorja ekzistuese e konceptuar në një kohe kur intesiteti i lëvizjeve ishte shumë i ndryshem me të sotmin dhe ndërtuar në kushte krejt të tjera të standarteve ndërtimore linte shumë për të dëshiruar dhe veçanërisht në mungesën e hapësirave të dedikuara rekreative sipas grupmoshave.
Për të përmirësuar imazhin dhe performancën e zonës ujore me madhësi 6 ha u përcaktua një kufi i qartë për zhvillimet private përgjatë shëtitores. Gjithashtu, u ndoq strategjia e densifikimit të hapësirave ekzistuese të gjelbërta drejt qytetit me një “Rrip të Gjelbër” të vazhduar.
Me rëndësi të veçantë ishte lirimi i të gjithë zonës nga trafiku dhe parkimi dhe krijimi i një hapësire ekskluzivisht për këmbësorë që mbledh të gjitha hapësirat kryesore publike të hapura të të gjithë qytetit dhe i shtrin ato deri në shkallët e reja në buzë detit, të cilat shërbejnë si zona publike për t’u ulur, relaksuar dhe për të shijuar afërsinë me ujin.
Për të maksimizuar hapësirën publike, shëtitorja duhej të zgjerohej kudo që të ishte e mundur, por pa penguar vlerat ekzistuese (zonat e plazhit, objektet e trashëgimisë arkeologjike). “Rruga Jonianët” pas “Babylon Gardens” u shndërrua në rrugë këmbësorësh dhe u krijuan zgjerime të reja në det: “Ballkoni i Mbërritjes” me pamje të mrekullueshme drejt ishullit të Korfuzit dhe “Ballkoni i Hyrjes” në pishinën e vjetër.
Ndërhyrja u spikat me “Sheshin Qendror” pranë portit ekzistues të varkave të peshkimit, pikërisht në qëndrën e gjithë perimetrit të shëtitores, për të pritur ngjarjet dhe festimet kryesore të qytetit gjatë sezonit turistik dhe jo vetëm.
Strukturat e reja mbajtëse me elementet e tyre lineare të shkallëve zgjerojnë potencialin rekreativ të zonave të kufizuara të plazhit, por edhe u japin mundësinë pushuesve që jo domosdoshmërisht të ulen në bare apo restorante për të shijuar atmosferën detare.
Shëtitorja tashmë ofron një imazh të integruar, koheziv me një identitet të qartë urban me 10,000 m2 me shumë hapësira publike, akses cilësor i lëvizjes këmbësore, shesh qendror të spikatur për aktivitete, elemente urbane të unifikuara dhe funksionale, hijëzim natyral me 200 pemë mesdhetare të shtuara, ndriçim publik homogjen dhe të këndshëm për të rritur performancën e përjetimit gjatë orëve më interesante të sezonit turistik.
Për të ndërthurur vizualisht këtë projekt të gjerë publik me kontekstin ekzistues, materialet e aplikuara janë gurë natyralë nga guroret lokale për shtrimet e shëtitores dhe blloqe betoni të parafabrikuara me agregatë nga të njëjtët gurë për të gjitha shkallët e reja, skajet ujore dhe mobilimin urban.(Pikark.com)/Media Ndërtimi.