Çështja e Manastirit të Deçanit, vazhdon të mbetet temë debati edhe brenda pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Krerët e misioneve të vendeve më të industrializuara QUINT, për të disatën herë me radhë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’ia kaluar në pronësi, rreth 24 hektar tokë përreth Manastirit të Deçanit. Qeveria e Kosovës dhe komuna e Deçanit ku gjendet Manastiri, hezitojnë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tyre tokat përreth manastirit kanë qenë prona të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa, shprehin habinë “se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë”, raporton DW Shqip.
Megjithkëtë QUINT ia rikujtojë qeverisë së Kosovës që është obligim zbatimi i vendimit.
“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në një deklaratë të fundit të QUINT.
Në deklaratë më tej thuhet se “shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Thirrjes së QUINT-it ju bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe, përmes igumenit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, duke shprehur shqetësimin e saj për siç thotë “shkeljen e të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.
Qeveria e Kosovës nga ana e saj, thotë se ajo do të angazhohet maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por në të njëjtën kohë, u bëhet thirrje liderëve fetarë të Manastirit që ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale. “Jemi të vetëdijshëm që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por duhet t’i kemi parasysh edhe kundërthëniet që i kanë përcjellë çështjet e tokave përreth Manastirit në aspektin historik dhe atë ligjor.
Së pari gjithçka e ka burimin te vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitin 1997 kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese sepse ato ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket kishës ortodokse serbe. Është pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë. Aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit mund ta pengojë Kosovën në rrugëtimin saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, thonë analistët. Madje sipas tyre, pengesa e parë që mund t’i paraqitet Kosovës pas aplikimit zyrtar, është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për faktin që demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë tri vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës./Media Ndërtimi.