Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Dukagjini dhe familjes Muriqi në qytetin e Prizrenit. Krahas historikut kjo shtëpi ka edhe një sërë vlerash ndërtimore dhe arkitektonike.
Sipas QRTK-së shtëpia e familjes Dukagjini dhe Muriqi është ndërtuar në shek. XIX, ndërkohë që në periudha të ndryshme janë kryer ndërhyrje restauruese. Ajo është një ndër ndërtimet më tipike në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit.
“Duke u bazuar në stilin e ndërtimit dhe tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit mund të thuhet se objekti i përket shtëpive me sallë qendrore, kjo për arsye të rolit qendror të salloneve tek të dy katet. Sipas nevojave të pronarëve të shtëpisë, objekti është e ndarë në dy pjesë, dhe sot shfrytëzohet si shtëpia e familjes Dukagjini dhe shtëpia e familjes Muriqi. Shtëpia pas ndarjes ka humbur tipologjinë e saj origjinale por ende ruan vlerat artistike dhe arkitekturore të saj”, thuhet në njoftimin e QRTK-së.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha këtë e konsideroi hap të rëndësishëm.
“Hartimi i projektit restaurues për këtë shtëpi është një tjetër hap i rëndësishëm i politikave të Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje restauruese në shumë asete të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente”, tha ai.
Projekti i restaurimit është hartuar nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe po mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, meqërast synon t’i rikthejë shkëlqimin e munguar kësaj pasurie të trashëgimisë sonë kulturore.
You must be logged in to post a comment Login