Përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës e të Ambientit, ata të Komunës së Prizrenit e të Policisë së Kosovës janë bërë bashkë të mërkurën në një takim të thirrur nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Është diskutuar për rastin e djegies së ndërtesës të stilit austriak në kuadër të ish-fabrikës së barnave “Farmakos”, që është po ashtu në kuadër të Kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës. Krejt ky ansambël është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
E njohur si “Ndërtesa austriake”, e ndërtuar midis viteve 1923-1929, të shtunën e 8 shkurtit, u dogj në tërësi. Të premten e kaluar gazeta ka raportuar se Ministria e Mjedisit ka shfuqizuar vendimin që e ndalonte ngritjen e një objekti afarist-banesor në atë zonë të trashëgimisë kulturore. Një gjë e tillë e ka rikthyer në agjendë ndërtimi i shumëkatëshes midis monumenteve në Prizren sërish në agjendë
“QRTK-ja në Prizren ka dërguar ekipet profesionale në vend të ngjarjes, dhe ka hartuar një raport së bashku me rekomandimet për hapat e mëtutjeshëm. Si rrjedhojë e rekomandimeve, është mbajtur takimi koordinues”, ka njoftuar QRTK-ja të mërkurën pas takimit. Sipas njoftimit, institucionet kompetente të Komunës së Prizrenit do të ndërmarrin veprimet e duhura në ditët në vijim duke e bërë pastrimin e lokacionit, me qëllim të ofrimit të kushteve për të bërë incizimin e gjendjes aktuale si dhe do të merren masat për sigurimin e parcelës, me qëllim të mënjanimit të hyrjes së pakontrolluar në vend të ngjarjes.“Pas pastrimit të terrenit dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për punë, bashkëpunëtorët profesionalë të QRTK-së në Prizren, do të angazhohen për hartimin e planit të gjendjes ekzistuese, si dhe hartimit të projektit të rikonstruktimit të ndërtesës, duke u bazuar në të dhënat arkivore”, shkruhet në njoftim.
You must be logged in to post a comment Login