Connect with us

Aktuale

Punëtorët kosovarë në Kazakistan ankohen se prej disa muajsh nuk kanë marrë rroga

Published

on

Disa kosovarë të punësuar në kompaninë e ndërtimit Mabetex në Kazakistan thonë për Radion Evropa e Lirë se ka disa muaj që nuk i kanë marrë pagat.

Përfaqësues të kompanisë që është në pronësi të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, i mohojnë këto pretendime, duke thënë se asnjëherë nuk ka “vonesa serioze” në pagesa.

Punëtorët që flasin për REL-in në kushte anonimiteti, ankohen edhe për kushtet e punës në këtë kompani – nga, siç thonë, rregullat strikte deri tek ushqimi që u shërbehet.

Kompania Mabetex është themeluar në Zvicër në vitin 1999 dhe ka qenë e angazhuar në ndërtime dhe rinovime në disa vende të botës. Ajo ka filiale në 18 vende dhe rreth 14.000 punëtorë.

Në kuadër Të Mabetex-it, në Kazakistan gjenden rreth 2.000 shtetas të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët punojnë në qytete të ndryshme të këtij vendi.

Njëri nga ta është Egzoni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it.

Ai thotë se paga i është vonuar qe pesë muaj. Këto të ardhura, thotë ai, i ka jashtëzakonisht të rëndësishme për familjen 4-anëtarëshe që ka në Kosovë.

“Pak është e vështirë… Deri sa mua të më dalin rrogat, prindi im detyrohet të gjejë diku para borxh, ose të marrë ndonjë kredi të vogël, ose diçka kështu…”, thotë Egzoni.

Dimri, sipas tij, e vështirëson edhe më shumë këtë situatë, pasi “duhet të blihen drutë për ngrohje e gjërat tjera”.

Egzoni punon në Mabetex për më shumë se një vit, por thotë se është e vështirë për të dhe kolegët e tij të ngrenë zërin për të drejtat e tyre.

“Punëtorët kanë frikë, sepse ne jemi me paga brenda. Nëse ne çohemi e bëjmë diçka, ai [kompania] na dënon me ato paga dhe nuk na i jep paratë fare”, thotë Egzoni, punëtor në të 20-tat.

Valon Lluka, përfaqësues i kompanisë Mabetex, e mohon këtë vonesë.

“Punëtorët kosovarë që punojnë në filialet e Mabetex Group në Kazakistan, tash e më shumë se 25 vjet, marrin rrogën mujore rregullisht, pa vonesa, si dhe një pjesë tjetër që u paguhet çdo tre muaj në llogaritë e tyre”, thotë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se në raste të caktuara “mund të ketë ndonjë vonesë, për shkak të natyrës së punës”, por, siç thotë, “asnjëherë nuk ka ndodhur që [punëtorët] të mos paguhen apo të ketë vonesa serioze”./Media Ndërtimi

Aktuale

Si u falsifikuan dokumentet për shitjen e pesë parcelave në Hajvali?

Published

on

E dëmtuara V.Ç thotë se ajo nuk e kishte autorizuar të akuzuarin Sejdi Bajogu tek noterit tani i akuzuari  Sinan Visoka, për shitjen e pesë parcelave në Hajvali të Prishtinës.

“Jo nuk e kam dhënë këtë autorizim”, tha e dëmtuara V.Ç,

Në këtë rast të akuzuarit Visoka Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotokut po akuzohen për korrupsion dhe veprat tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo në cilësinë e dëshmitares tha se nuk e njihte të akuzuarin Bajogu, duke shtuar se nuk kishte qenë në zyrën e noterit Visoka dhe se asnjë akt nuk kishte nënshkruar para të njëjtit.

Paraprakisht dëshmitarja V.Ç tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori lidhur me këtë çështje. Ajo shtoi se kishte 10 hektarë tokë në Hajvali së bashku me 13 ari tokë të cilat i ishin falsifikuar.

Sipas të njëjtës, pronat i kishte të trashëguara nga bashkëshorti i saj i cili ia kishte bartur asaj sa kishte qenë gjallë, duke shtuar se e kishte autorizuar vetëm Aleksandër Çolic që të mund të diskutonte me palë për shitje të parcelave dhe kontraktim të çmimit, por që sipas saj, ai nuk kishte autorizim për nënshkrim të kontratës.

Dëshmitarja V.Ç tha se e kishte kuptuar që letërnjoftimi i saj ishte falsifikuar kur ishte kontaktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku një zyrtar e kishte telefonuar dhe i njëjti i kishte parashtruar disa pyetje dhe se letërnjoftimi i falsifikuar kishte pasur fotografi tjetër me të dhënat e saj.

Ajo po ashtu tha se të akuzuarin Zhinipotoku e njihte që kur ishte në moshë të re pasi që ishin nga vendi i njëjtë, duke shtuar se personin Enver Zhjeqi nuk e njihte duke shtuar në fund se paraqet kërkesë pasurore juridike pasi që ndihej e dëmtuar dhe se kërkonte kthimin e pronave.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse, ku prokurori Zef Prendrecaj tha se në këtë shqyrtim gjyqësore pas administrimit të provave do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërsa, e dëmtuara V.Ç tha se mbështet fjalën hyrëse të prokurorit Prendrecaj, duke theksuar se ajo nuk i kishte dhënë autorizim askujt përveç Aleksandër Çolic dhe se të tjerat autorizime janë të dokumente të falsifikuara.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Visoka, avokati Hajzer Salihu në fjalën e tij hyrëse tha se pas analizimit të provave të ofruara nga prokuroria do të vërtetohet se të njëjtat nuk kanë bazë ligjore dhe me to nuk do të vërtetohet se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuari Bajogu, avokati Murat Demolli në fjalën e tij hyrëse tha se në këtë shqyrtim do të vërtetohet se i mbrojturi i tij ishte i pafajshëm dhe ishte vet i mashtruar në këtë rast.

Në anën tjetër edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragozhuba avokati Liman Musa në fjalën e tij hyrëse tha se është i bindur se nuk do të vërtetohet aktakuza e prokurorisë në asnjërën nga pikat pasi që asnjë nga elementet e figurës penale nuk ishte përmbushur që i mbrojturi i tij të akuzohet për veprat të cilat i binin në barrë.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Zhinipotoku, avokati Asdren Bytyqi në fjalën hyrëse tha nga analizimi i aktakuzës prokuroria nuk kishte arritur që të arsyetonte  përfshirjen e të mbrojturit të tij në kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet.

Në këto rrethana seanca u ndërpre, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar me 29 dhjetor të 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Sinan Visoka akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të pandehurit Sejdi Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe po ashtu Sejdi Bajogu dhe Muhamet Dragozhuba akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Mashtrimi”.

Aktakuza thotë se, pandehuri Sinan Visoka, në cilësi të personit zyrtar-noter në Komunën e Podujevës, duke mos e përmbushur detyrën zyrtare, i njëjti më 27 korrik 2020, përpilon aktin noterial mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara si: Draft certifikatën e pronës të V.Ç pa numër të protokollit e cila ka qenë e vulosur ashtu që, e ka ditur se draft certifikata nuk vuloset, nuk nënshkruhet nga personi zyrtar, po ashtu si bazë e ka marr edhe kopjen e planit të fotokopjuar, ku noteri është dashur të refuzoj punën, mirëpo i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Noterinë të cilat veprime kanë pasur për qëllim dëmtimin e personit të tretë, në këtë rast të dëmtuarës V.Ç.

Tutje thuhet se, me këtë autorizim të datës 27 korrik 2020, me të cilën kinse V.Ç e autorizon të pandehurin Sejdi Bajogu për shitjen e disa parcelave të cilat gjinden në fshatin Hajvali në Prishtinë, këtë veprim i pandehuri Sinan Visoka e ka kryer duke e ditur se dokumentet nuk janë në origjinal, ka nxjerr akt noterial-autorizim, me çka është dëmtuar pronarja e parcelave V.Ç. /Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Digjet shumëkatëshja në Prishtinë

Published

on

Një objekt shumëkatëshe në lagjen “Pejton” në Prishtinë është përfshirë nga zjarri të martën në mëngjes, raporton Ekonomia Online. Në vendin e ngjarjes janë parë ekipet e zjarrfikësve dhe janë duke bërë përpjekje që të lokalizojnë zjarrin.

Ndërtesa ende nuk ishte funksionalizuar dhe pritet të bëhet hotel.

Shkaqet e këtij zjarri ende nuk dihen. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe policia./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Komuna e Prishtinës: Për çështje sigurie të moshuarit janë zhvendosur në hotel

Published

on

Pas zjarrit që ka përfshirë një pjesë të objektit të Shtëpisë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, për shkaqe sigurisë të moshuarit janë zhvendosur në hotel.

Kështu ka njoftuar Komuna e Prishtinës në Facebook.

Sipas njoftimit, të njëjti janë zhvendosur nga aty deri sa të bëhet pastrimi i objektit.

“Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipën përkatëse të drejtorëve vizituan vendin e ngjarjes dhe pas konsultimeve me ekipën e urgjencës mjekësore, zjarrfikësve dhe ekipës për siguri dhe emergjenca u mor vendim që të moshuarit për çështje sigurie, derisa të bëhet pastrimi i objektit, të zhvendosen në hotel”-thuhet në njoftim të publikuar më 19.02.2024Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar objektin që është përfshirë nga zjarri sonte më 19.02.2024.

Rama në një prononcim para mediave tha se zjarri e ka përfshirë një dhomë, dhe se gjendja aktualisht është stabile.

“Të gjithë banorët janë të sigurtë, janë evakuuar. Zjarri ka dalë prej një dhome. Tash do të shohim se përse ka ndodhur ai zjarr, çka e ka shkaktu. Ekipet mjekësore janë këtu, për t’i shiku nëse ka nevojë dikush për trajtim mjekësor. Për momentin gjendja është stabile” – tha Rama.Policia e ka konfirmuar rastin për Kallxo.com duke shtuar se në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin

.Sipas organeve të rendit nuk ka ndonjë person të lënduar./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending