Disa kosovarë të punësuar në kompaninë e ndërtimit Mabetex në Kazakistan thonë për Radion Evropa e Lirë se ka disa muaj që nuk i kanë marrë pagat.
Përfaqësues të kompanisë që është në pronësi të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, i mohojnë këto pretendime, duke thënë se asnjëherë nuk ka “vonesa serioze” në pagesa.
Punëtorët që flasin për REL-in në kushte anonimiteti, ankohen edhe për kushtet e punës në këtë kompani – nga, siç thonë, rregullat strikte deri tek ushqimi që u shërbehet.
Kompania Mabetex është themeluar në Zvicër në vitin 1999 dhe ka qenë e angazhuar në ndërtime dhe rinovime në disa vende të botës. Ajo ka filiale në 18 vende dhe rreth 14.000 punëtorë.
Në kuadër Të Mabetex-it, në Kazakistan gjenden rreth 2.000 shtetas të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët punojnë në qytete të ndryshme të këtij vendi.
Njëri nga ta është Egzoni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it.
Ai thotë se paga i është vonuar qe pesë muaj. Këto të ardhura, thotë ai, i ka jashtëzakonisht të rëndësishme për familjen 4-anëtarëshe që ka në Kosovë.
“Pak është e vështirë… Deri sa mua të më dalin rrogat, prindi im detyrohet të gjejë diku para borxh, ose të marrë ndonjë kredi të vogël, ose diçka kështu…”, thotë Egzoni.
Dimri, sipas tij, e vështirëson edhe më shumë këtë situatë, pasi “duhet të blihen drutë për ngrohje e gjërat tjera”.
Egzoni punon në Mabetex për më shumë se një vit, por thotë se është e vështirë për të dhe kolegët e tij të ngrenë zërin për të drejtat e tyre.
“Punëtorët kanë frikë, sepse ne jemi me paga brenda. Nëse ne çohemi e bëjmë diçka, ai [kompania] na dënon me ato paga dhe nuk na i jep paratë fare”, thotë Egzoni, punëtor në të 20-tat.
Valon Lluka, përfaqësues i kompanisë Mabetex, e mohon këtë vonesë.
“Punëtorët kosovarë që punojnë në filialet e Mabetex Group në Kazakistan, tash e më shumë se 25 vjet, marrin rrogën mujore rregullisht, pa vonesa, si dhe një pjesë tjetër që u paguhet çdo tre muaj në llogaritë e tyre”, thotë Lluka për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se në raste të caktuara “mund të ketë ndonjë vonesë, për shkak të natyrës së punës”, por, siç thotë, “asnjëherë nuk ka ndodhur që [punëtorët] të mos paguhen apo të ketë vonesa serioze”./Media Ndërtimi