Qeveria shqiptare kaloi këtë të premte në mbledhjen e saj marrëveshjen për Ballinën Ujore të Durrësit me një vlerë investimi 2 miliardë dollarë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për të ecur para me projektin dhe se për herë të parë Shqipëria është mbajtëse e aksioneve në një sipërmarrje të tillë.
Balluku tha se brigjet dhe deti do të vijojnë të jenë prona shtetërore pavarësisht investimit ndërkohë që pavarësisht sesa do të rrisë kapitalin apo investimin pala private shteti nuk do të jetë i detyruar ta bëjë këtë duke mbajtur të njëjtat aksione.
“Qeveria miratoi marrëveshjen kuadër mes qeverisë shqiptare, Eagle Hills Real Estate Development dhe Albanian Seaports Development Company. E gjithë kjo është një marrëveshje kuadër që lidhet me ndërtimin e Ballinës Ujore në Portin e Durrësit si dhe Portin e jahteve.
Forma e bashkëpunimit të shtetit në këtë marrëveshje u miratua përmes pjesëmarrjes së shtetit në një shoqëri të përbashkët me investitorin privat. Kjo shoqëri e krijuar nga privati dhe publiku do të zhvillojë projektin dhe do të përfitojë prej tij duke qenë mbajtësi i masave mbështetëse.
Për herë të parë Republika e Shqipërisë është mbajtëse e aksioneve sa i takon një projekti kaq të madh, 2 miliard euro investim. Parashikohet në mënyrë direkt dhe indirekt punësimi i 12 mijë personave.
Ky projekt e vendos Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të turizmit,.
Kjo projektmarrëveshje reflekton të qartë të drejtat dhe detyrimet e secilës palë pjesëmarrëse në këtë projekt.
Duhet të themi që marrëveshja do të kalojë në parlament pasi të kalojë në komisione. Pjesëmarrja shtetërore propozohet në nivele të tilla që nuk shuajnë ose reduktojnë ndjeshëm riskun operacional të investitorit.
Pavarësisht veprimeve të aksionerit privat pra mund të shtojë kapitalin në vite kuota e aksionerit shtetëror nuk do të ndryshojë. Bregdeti deti përkatës dhe brigjet mbeten prona shtetërore të patjetërsueshme.
Ato do ti nënshtrohen pastrimit ambiental” tha Balluku.
Sipas saj prona private dhe publike rreth zonës do të pësojë rritje.
Aktiviteti i portit të Durrësit nuk do ndërpritet dhe as pengohet gjatë fazës së zbatimit. Në fazën e parë të zbatimit parashikohet që të përdoren ato pjesë që nuk prekin punën e portit.
Ministrja foli dhe për projektin e portit të ri që do të vendoset në Porto Romano duke nënvizuar se projekti gjendet në një fazë të avancuar.
Projekti i Durrës Marina & Yachts
Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin.
Në fokus të saj ishin tre pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.
Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit.
Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.
Teksa projekti, për vetë përmasat, vlerën e investimit por edhe akuzave që e kanë shoqëruar mbi kompaninë zbatuese, që nuk është drejtpërdrejt EMAAR, shihet disi me sy konservator, institucionet shqiptare këmbëngulin se ai do të bëhet realitet. Revista Monitor/Media Ndërtimi