Përmbushet edhe një standard jetik për mbrojtjen efektive të trashëgimisë kulturore, miratohet Rregullorja për përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe politikave për konzervim dhe zhvillim të tyre.
Dy dekada zhvillim i pakontrolluar, sidomos në fushën e ndërtimit, prodhoi pasoja të rënda për monumentet tona.
Degradimi urban i vendbanimeve tona u mundësua edhe nga mungesa e legjislacionit sekondar për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë.
Përfundimisht dhe pas një pune të madhe, rregullorja krijon kushte për përfshirjen e trashëgimisë kulturore në dokumentet e planifikimit hapësinor.
Kufijtë e perimetrave dhe zonave mbrojtëse të përcaktuar, së bashku me kriteret për ndërhyrje në këto zona, do të krijojnë bazën për një zhvillim të balancuar urban e rural, në mënyrë që të sigurohet integriteti i aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje.
Rregullorja është përpiluar si rezultat i bashkëpunimit ndër-institucional, ku krahas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kontribut përmbajtësor kanë dhënë edhe përfaqësues të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe profesionistë të fushës./Media Ndërtmi.