Ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria fajësojnë rritjen e çmimeve për rënien e numrit të turistëve, Greqia po stimulon industrinë e saj duke u dhënë familjeve me të ardhura më të ulëta kupona për t’i shpenzuar në resorte.
Sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi, turizmi përbënte afërsisht 25 për qind të prodhimit total ekonomik të Malit të Zi në vitin 2019, kur 29.1 për qind e qëndrimeve ishin nga rusët dhe 9.2 të tjera nga ukrainasit.
Në vitin 2020, vizitat turistike ranë me 85 për qind për shkak të pandemisë COVID dhe turizmi atë vit përbënte vetëm 3.5 për qind të PBB-së.
Vizitorët nga Serbia e shpëtuan në mënyrë efektive sezonin në 2021, duke përbërë 29 për qind të totalit të vizitave, ndërsa rusët, ukrainasit dhe bjellorusët së bashku përbënin 21 për qind të tjera.
Agjenti i pushimeve nga Podgorica Marko Jovanovic thotë se interesimi nga turistët rajonalë në Mal të Zi ka rënë këtë vit për shkak të rritjes së çmimeve dhe përfitimeve që ofrohen në vendet e tjera të rajonit.
“Vitin e kaluar, Mali i Zi ishte i vetmi vend në rajon pa certifikata të detyrueshme për COVID-19 dhe kjo e bëri atë destinacionin kryesor për turistët nga rajoni. Këtë vit, turistët mund të zgjedhin të shkojnë kudo dhe çmimet në Mal të Zi janë shumë më të larta”, tha Jovanovic për BIRN.
“Ne kemi humbur turistët rusë dhe ukrainas për shkak të luftës dhe po humbasim pushues nga rajoni për shkak të çmimeve”, shton ai.1
Më 18 korrik, kryeministri Dritan Abazovic vuri në dukje se numri i vizitave të turistëve ishte më i vogël se sa pritej, duke paralajmëruar se çmimet në disa resorte malazeze ishin “si në Cote d’Azur” dhe se sektori turistik kishte “dyfishuar apo edhe trefishuar çmimet”.
Më 26 korrik, ministri i Zhvillimit Ekonomik Goran Djurovic tha gjithashtu se ky sezon veror nuk është si më parë, duke u zotuar se vendi do të përgatisë një strategji më të mirë për vitin e ardhshëm.
Instituti i Statistikave të Shqipërisë, INSTAT, tha se në pesë muajt e parë të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 1.6 milionë shtetas të huaj, ndërsa vitin e kaluar ka pasur 5.6 milionë hyrje.
Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në vitin 2020 ishte 58,5 për qind më pak krahasuar me vitin 2019, në rreth 2,6 milionë.
Fitimet nga turizmi në 2020 ishin më pak se gjysma e atyre në 2019. Banka e Shqipërisë tha për BIRN se Shqipëria fitoi 2,083 miliardë euro në 2019 dhe vetëm 989 milionë euro në 2020.
Sipas INSTAT, numri i turistëve nga Serbia është dyfishuar në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020. Nuk ka ende të dhëna për vitin 2022.
Qeveria nuk ka bërë ndonjë plan konkret për sezonin e kësaj vere, vetëm se turistët nga Kosova fqinjë mund të hyjnë në Shqipëri pa u kontrolluar në kufi.
Eksperti i turizmit Zak Topuzi tha se ky sezon turistik këtë vit ishte më i mirë krahasuar me vitin 2019, por industria e turizmit është ndikuar nga rritja e çmimeve në përgjithësi dhe mungesa e fuqisë punëtore, e cila i ka detyruar bizneset të rrisin pagat.
Shumica e turistëve në Shqipëri janë nga rajoni. Numri i turistëve nga Kosova këtë vit është pak më i lartë.
“Çmimet e lëndëve të para janë rritur dukshëm; energjia elektrike është rritur me 38 për qind dhe çmimi i gazit është dyfishuar dhe këta janë elementë të rëndësishëm në koston e një hoteli apo njësie turistike”, tha ai për BIRN.
“Ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve të turizmit të nivelit të mesëm dhe të ulët dhe ka pasur një rritje prej 30 deri në 40 për qind të çmimeve të turizmit elitar, pasi kostot e lëndëve të para janë rritur ashtu si edhe pagat”, shtoi ai.
Topuzi sugjeroi që qeveria të formulojë një strategji dhe masterplan dhjetëvjeçar për turizmin dhe të përcaktojë llojin e turizmit që vendi dëshiron të ketë prioritet.
“Dy vite më parë, kryeministri Edi Rama fliste për 10 milionë turistë në vit, por fliste për numrin dhe jo për cilësinë. Tani ai flet për marinat e jahteve dhe investimet strategjike për të cilat duhet marrë një vendim… ndaj nëse Shqipëria do turizmin elitar, duhet të përgjigjet duke krijuar resorte dhe hotele me 5 yje, me një strategji afatgjatë. Pa këtë nuk mund të kesh investim potencial”, përfundoi ai./Media Ndërtimi.