Enver Ajeti, ish-zyrtar i Postës së Kosovës, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se ishte kanosur nga dy persona që për kontrollin financiar të mos e akuzojë askënd.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Ajeti e ka dhënë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ai po akuzohet për përvetësimin e 71 mijë e 744 eurove, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Dy persona kanë ardhur në shtëpinë time dhe më kanë kanosur që të mos e akuzoj askënd për kontroll financiar. E gjithë kjo ka qenë që të më largojnë mua nga puna dhe t’i marrin dy persona të rinj në punë, të cilët i kanë marrë në punë pas largimit tim”, ka thënë i akuzuari Ajeti.
I pyetur se a ka pasur mungesë të parave Posta, i akuzuari ka thënë se nuk ka pas mungesë të parave, por që sipas tij e gjithë kjo ishte bërë që i njëjti të largohet nga puna.
Ai ka deklaruar se ka pasur parregullsi të mëdha me rastin e regjistrimit të arkës më 2 maj 2013, sepse sipas tij komisioni ka bërë vetëm regjistrimin e mjeteve që janë gjetur në arkë në shumën prej 44 mijë euro, kurse dyfishi i shumës ka mbetur i paregjistruar.
“Më 2 maj 2013 një komision prej 5 anëtarësh ka ardhur me një letër të bardhë me bë regjistrimin, dhe gjatë atij regjistrimi e ka bë vetëm atë që janë gjetur në arkë, shumën prej 44 mijë euro e diçka, kurse dyfishi i shumës së kërkuar ka mbetur i pashënuar në procesverbalet veç e veç të cilët pazaret dhe produktet i kanë dorëzuar”, ka deklaruar i akuzuari Ajeti.
Tutje, ai ka thënë se mjetet e ndërrimit të dytë të 29 dhe 30 prillit si dhe 1 majit 2013, nuk janë dorëzuar, por janë mbajtë në kasaforta që janë të sigurta.
Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë, nuk i kishte dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.
Sipas aktakuzës, pretendohet se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Koordinatorja e Financave të Postës së Kosovës./Media Ndërtimi.