Lart, në veri të vendit, e spostuar drejt lindjes, ndodhet Bashkia e Hasit, e cila për nga popullsia dhe territori, qëndron poshtë mesatares së bashkive. Aty shtrihen toka të buta e pjellore dhe sikur të mos rrethoheshin prej majave me borë, shumëkush do të besonte se ndodhej në jug, fare pranë detit. Fama e kësaj bashkie është disi e zbehtë, krahasuar me dy të tjera, më të njohura të cilat, gjeografikisht, e kanë futur atë në mes: Kukësi dhe Tropoja.

Në qendër të Hasit është ngritur qyteti i vetëm, Kruma, që sidoqë i mbledhur në një grusht vend, të tjera lagje të reja i janë shtuar vitet e fundit, duke e zgjeruar qytetin në periferi. Natyrisht, kjo nuk përbën një tipar të pazakontë, pasi të gjitha qytetet, veçanërisht ato rurale, kanë pësuar të njëjtin zgjerim. Por zgjerimet janë bërë kaotike, pa ndonjë rregull a ndonjë disiplinë urbane. Të ardhurit janë vendosur aty ku e kanë gjykuar të leverdisshme e më të lehtë. Në këtë mënyrë, një pjesë e sipërfaqes bujqësore është urbanizuar, duke e shndërruar peizazhin rural në një shëmti urbane. Presioni dhe konsumi ndaj burimeve natyrore është shtuar, çka ka sjellë degradimin dhe ndotjen e tyre.
Por duket se askush nuk shqetësohet më për to.
“Shteti na ka braktisur prej vitesh”, – thotë Fatmir Dida. “Këtu njerëzit janë veç pa punë dhe vendin e mban emigracioni… Këtu tek unë i kemi kanalizimet, por atje tej mungojnë… Njerëzit detyrohen që t’i derdhin ujërat e zeza në përrua. Për të vaditur duhet që të shpojmë 30 m-50 m poshtë”, ankohet ai.
I veshur si për punë, me një kostum që ngjan më shumë me atë të një muratori, sesa të një fermeri, Fatmiri, së bashku me gruan, punojnë me bel në arë, pranë vilës së tyre dykatëshe, të sapo restauruar, në hyrje të qytetit. Në 1997-n, kur ishte ende i ri, emigroi në Londër, por u kthye sërish pas shtatë vitesh. Pasi ndërtoi një vilë në fushë me kursimet e mbledhura, familja zbriti nga shpati, por shpejt u pendua.
“Duhej ta kisha bërë më të vogël, së paku jo këtu”, – shprehet me keqardhje. “Problemi është shteti”, – përpiqet që t’i shmanget përgjegjësisë. Sipas tij, shteti është rregullatori e duhej që t’i thoshte: – Zotëri! Mos e ndërto këtu shtëpinë!
“Edhe me qen toka ime, nuk kam të drejtë të ndërtoj ku të dua. Ja, unë e quhej gabim që u bë e madhe e që u bë këtu, por atëherë nuk e kishim këtë komunikim; nuk e kishim këtë informacion që kemi tani”, – përfundon me një pamje trishtimi të sinqertë.
Sidoqë mjerimi është i dukshëm, zona ruan ende një mister tërheqës. Ndoshta edhe për shkak të ndërthurjes së qetësisë dhe hapësirës që ruhen ende në këto qyteza të vogla alpine ish-socialiste. Njerëzit duket sikur janë përshtatur me varfërinë, duke i jetuar ditët e tyre pa ndonjë pritshmëri befasuese, por edhe pa ankth. Qendra e Krumës përcjell një gjallëri të pazakontë. Banorët lëvizin të lirë dhe trafiku është i kufizuar. 9-vjeçarja dhe Gjimnazi janë vendosur në sheshin kryesor të qytetit dhe hapësirat e lira përreth tyre janë të mbushura me grupe të shumta nxënësish. Edhe këtu, si kudo, shumica e të rinjve mezi presin për t’u larguar, sapo të përfundojnë shkollën. Sado i lumtur dhe krenar që të ndihet dikush, ai nuk mund t’i shpëtojë tundimit për t’u larguar drejt qendrave të mëdha urbane për t’u ndjerë me i pasur dhe fundja, edhe më i famshëm, ose së paku për të shpresuar një të ardhme më të merituar, sesa të jetuarit përgjithmonë në rrethinat e një province.
Muajt e fundit, autoritetet janë përpjekur për të ofruar shërbime të denja publike, por të pamësuar prej vitesh, banorët e kanë të vështirë për t’u përshtatur me “modernizimin”. Një e treta refuzon të paguajë tarifën e pastrimit, e cila sidoqoftë mbetet e ulët.
“Kemi shpërndarë kosha për grumbullimin e mbetjeve, kudo nëpër qytet dhe nëpër rrethina, por njerëzit vijojnë t’i hedhin mbetjet nëpër rrjedhat e përrenjve. – Ja…, shihni! Koshat janë bosh, ndërkohë që vijat e ujit, apo brigjet rreth tyre janë të mbushura me mbetje”, – tregon Liman Morina, Kryetari i Bashkisë. “Ne jemi një bashki me të ardhura të pakta”, vijon ai, “nuk kemi shumë para. I jemi drejtuar Qarkut për ndihmë. Po përpiqemi për të krijuar një zonë të përbashkët me Bashkinë e Tropojës dhe atë të Kukësit për të administruar mbetjet. Shpresojmë që t’ia dalim”, – uron ai.
Bashkia nuk ka ende një plan për menaxhimin e mbetjeve. Shërbimi i grumbullimit lë jashtë 25% të territorit, i mjaftueshëm për të shkaktuar ndotjen te gjitha rrjedhave ujore të cilat lëshohen përgjatë shpateve drejt luginës së Drinit të Bardhë, duke përfunduar në Liqenin e Fierzës.
Jo larg, mes fshatit Vranisht dhe hyrjes së qytetit, bashkia depoziton mbetjet e përditshme, të cilat në pamundësi për t’u trajtuar ekologjikisht, digjen. Të hedhura fare pa kujdes, mbi një si shesh të fshehur mes hapësirave të krijuara nga shpatet e një kodre të lartë, ato gjenden në anë të rrugës kombëtare Kukës-Krumë. Një koloni shafranësh shumëngjyrësh, sapo ka marrë jetë mes mbetjeve. Nën sfondin e bardhë të majave me borë në perspektivë, ato i japin peizazhit një pamje zhgënjyese. Nuk dihet edhe për sa kohë do të vijojnë që të qëndrojnë mbeturinat këtu…
Duke zbritur drejt jugut, ende pa u shfaqur Kukësi, peizazhi fillon e zbutet teksa i afrohet shtratit të Drinit. Rruga gjarpëron përmes pllajave të valëzuara e mbërrin deri ku shtrihet Fajza. Në fshat nuk ka mbetur asgjë nga shkëlqimi i dikurshëm, përveç se një tabele projekti të cilën e ka zënë ndryshku. Shtëpia e Kulturës, Rrobaqepësia dhe Posta (Ish-PPT-ja) janë shndërruar në gërmadha. Ndërsa mbetjet ndiqnin një tjetër gjeografi. Ndryshe nga fshatrat e tjera të Hasit, këtu ato kishin rrethuar gardhet e shtëpive…
“Nuk bjen kush kosha, ndaj i hedhin përpara shtëpisë”, rrëfen Muharrem Daçi, kryeplaku i Fajzës. Ose i djegin, kohë pas kohe.
Ai tregon shtruar për mungesën e shërbimeve dhe në mënyrë kaq të zakonshme, sikur gjithçka të jetë kaq e natyrshme… Deri në shtatë milionë Lek, së bashku me pompën, paguanin fshatarët për të siguruar ujë të pijshëm, përmes shpimit të puseve personale, duke zbritur nën 115 metra poshtë. Ujësjellësi publik u shërbente vetëm pak shtëpive në qendër, por jo periferisë dhe lagjeve matanë, por akoma më shumë, nuk mund t’u siguronte furnizimin për vaditje.
“Nuk kemi mbetur as 400 banorë, së bashku me lagjet”, – llogariti ai. “Tokat nuk i punon kush. Dikur kemi qenë të organizuar në një ndërmarrje bujqësore. Kishim rreth 500 ha tokë bujqësore…”.
Siç ndodh shpesh në të tilla raste me njerëzit, Muharremi tregonte me një ndjenjë respekti e krenarie të nënkuptuar. Krahasimi me të shkuarën shërbente për të protestuar ndaj një realiteti të papranueshëm, një rrethanë për ta refuzuar atë, qoftë edhe në mënyrë disi të pakontrolluar. Ai vijoi të rrëfente i qetë, pa sharje dhe me një ndjenjë gëzimi e lumturie në rritje… /Media Ndërtimi.