Kuvendet e Komunave të mëdha të Kosovës në katër muajt e vitit 2023 në trembëdhjetë raste kanë marrë vendime që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjatë periudhës kohore janar-prill 2023, në bazë të vlerësimeve të nivelit qendror del se në Kuvendin e Gjakovës janë konstatuar gjashtë shkelje ligjore, derisa në ato të Prishtinës dhe Mitrovicës Jugore nga dy, në KK-në e Pejës, Ferizajit dhe Gjilanit nga një shkelje ligjore, derisa në Prizren nuk janë evidentuar shkelje ligjore.
Sipas informatave të marra nga MAPL-i, numri i kërkesave për rishqyrtim të ligjshmërisë në këtë periudhë kohore ka qenë 13, prej të cilave 8 janë konstatuar nga MMPHI, 2 nga MFPT dhe 3 nga MAPL-ja. Sipas MAPL-së dy vendime nga KK-ja e Prishtinës janë dërguar në Gjykatë, ndërsa komunat tjera vendimet i kanë shqyrtuar brenda afatave të caktuara kohore.
MAPL ka sqaruar se në KK-në e Prishtinës gjatë periudhës janar-prill 2023, shkeljet ligjore që janë dërguar në Gjykatë janë evidentuar te një vendim për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën private dhe vendimi për emërtimin e rrugës “A” me rrugën “Xhim Xhema” Prishtinë.
Në Gjakovë, MAPL-i ka konstatuar gjashtë shkelje ligjore gjatë periudhës janar – prill 2023, dhe ato te vendimi për caktimin e lokacionit për ngritjen e lapidarit të Gjergj Kastrioti Skënderbeu, rishqyrtimi i vendimit për caktimin e Lokacionit të Varrezave të Qytetit të Gjakovës, rishqyrtimi i vendimit për shpalljen e interesit Publike për zgjerimin e rrugës nga Ura e Tabakut deri tek Ura e Tahir Efendis, rishqyrtimi i vendimit shpalljen e interesit Publike për zgjerimin e rrugës për Pejë, segmenti nga ish Emin Duraku e deri në hyrje të fshatit Skivjan, rishqyrtimi i vendimit për shpalljen e interesit Publike në 143 prona për realizmin e projektit të ” Rrugës X” dhe shqyrtimi i rekomandimit të Ministrisë për Financave, punëve dhe Transfereve për rishqyrtimin e pikës 1.11 të nenit 10 të rregullores 01 nr. 110/04-29366 për Taksa dhe Tarifa në Komunën e Gjakovës e të dt. 28.12.2022.
Në Mitrovicën Jugore, MAPL-i ka kthyer dy vendime atë për lejimin e pagesës së shujtave për të punësuarit e Administratës së Komunës dhe Rregulloren mbi kriteret për vendosje të objekteve të përkohshme në sipërfaqe.
Në Gjilan, MAPL-i ka gjetur shkelje ligjore në vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, por KK-ja në përputhje me kërkesën e ministrisë përkatëse e ka harmonizuar këtë akt komunal brenda afatit ligjor.
Në Ferizaj, MAPL-i ka gjetur shkelje ligjore në vendimin për formimin e komitetit konsultativ për komitet konsultativ për shërbimet sociale për persona me aftësi të kufizuar, por KK-ja ka harmonizuar këtë akt komunal brenda afatit ligjor.
Në Pejë, MAPL-i ka gjetur shkelje ligjore në vendimin për miratimin e Planit të menaxhimit të mbeturinave, por KK-ja në përputhje me kërkesën e ministrisë përkatëse e ka harmonizuar këtë akt komunal brenda afatit ligjor.
Ndërsa gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të KK-ve të Prizrenit, në periudhën janar-prill 2023 MAPL-i nuk ka evidentuar asnjë shkelje ligjore.
Duke i marrë për bazë të dhënat e mësipërme, EC Ma Ndryshe konsideron se KK-të e lartpërmendura duhet të jenë më të përgjegjshme gjatë vendimmarrjes. EC edhe njëherë përkujton se Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal dhe se të gjithë anëtarët e KK-ve betohen se do t’i kryejnë detyrat dhe ushtrojnë autorizimet sipas ligjit, prandaj dhe duhet të shtojnë nivelin e përgjegjësisë për vendimmarrje në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për këtë arsye KK-të përsëri rekomandohen që pas marrjes së vlerësimeve nga niveli qendror në afatin sa më të shkurtër kohor t’i rishqyrtojnë aktet që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe t’i harmonizojnë ato në linjë me udhëzimet e marra nga MAPL-i./Media Ndërtimi