Connect with us

Gjykim

Pengoi gjykatën, dënohet avokati i të akuzuarit për keqpërdorimin e pronës së paluajtshme prej 612 m²

Published

on

Për shkak të pengimit të punës së gjykatës, mbrojtësi i të akuzuarit Ramush Thaqi, avokati Visar Vehapi, Gjykata Themelore në Prishtinë i shqiptoi dënim me 300 euro gjobë për shkak të pengimit të punës së gjykatës.

Ky vendim u mor të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku në rigjykim ndaj ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Dërmaku ka thënë se përkundër tërheqjes së vërejtjes, avokati Visar Vehapi flet, intervenon dhe i tregon trupit gjykues se çfarë të shkruaj në procesverbal, sidomos pas deklarimit të mbrojtësit lidhur me vërejtjet eventuale përkitazi me leximin e deklaratës të dëmtuarit-dëshmitarit, tani të ndjerë P.D dhe se derisa gjykata merrte mendimin e mbrojtësit të akuzuarës Peqani, avokatit Halim, avokati Vehapi ngrit dorën dhe kërkon 5 minuta pauzë.

Gjithashtu, trupi gjykues ka obliguar prokuroren e shtetit që të sigurojë kërkesën e Naim Dushkut drejtuar i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit në Prishtinë, ku sipas gjykatëses Dërmaku e ka kërkuar edhe Gjykata e Apelit në aktvendimin e saj për këtë rast.

Pas kësaj seanca është ndërprerë, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 15 maj 2023.

Ndryshe, Gjykata e Apelit këtë rast me 6 nëntor 2019 e kishte kthyer në rigjykim këtë rast.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se janë të bazuara pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, nga arsyeja se përkundër se gjykata e shkallës së parë ka administruar të gjitha provat, të njëjtat nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

“Sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës gjykata e shkallës së parë përkundër administrimit të këtyre provave si dhe deklaratave të akuzuarve Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi, Doruntina Peçani të dhëna në prokurori, ku kanë pranuar se kanë ndërmarrë veprime për regjistrimin e paluajtshmërisë në emër të Naim Dushkut, e në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk e ka vërtetuar faktin se këta të akuzuar, si zyrtarë kompetent, a e kanë ditur saktë përmbajtjen e kontratës,  sepse nga kjo kontratë qartë rezulton se Mehmet Dushku një pjesë të pronës së tij ia ka lënë edhe djalit tjetër, tani të dëmtuarit P.D, fakte këto që drejtpërsëdrejti ndikojnë edhe në vërtetimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve të përmendur”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, së ngritur më 14 dhjetor 2017, të akuzuarit Shiqeri Spahiu, Ramadan Thaqi dhe Doruntina Peqani duke qenë në cilësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, tani i ndjeri Mehmet Dushku, i kishte lënë trashëgimi djemve të tij, të pandehurit Naim Dushku, tani të dëmtuarit P.D një pronë të paluajtshme në ngastrën kadastrale prej 612 metra katrorë./Media Ndërtimi.

Të akuzuarit Spahiu, Thaqi dhe Peqani duke u thirrur në kontratën mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur në mes të ndjerit Mehmet Dushkut dhe të pandehurit Naim Dushku kanë regjistruar dhe evidentuar këtë pronë në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës, në emër të të pandehurit Naim Dushku.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës Spahiu, Thaqi dhe Peqani, kanë nxjerrë aktvendim, më 05 nëntor 2013, për aprovimin e kërkesës së Naim Dushkut për bartjen e pronës së paluajtshme prej 612 metra katrorë

Të akuzuarit, e lartpërmendur sipas prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit P.D në vlerë prej 500 mijë euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij, P.D. /

Gjykim

Ish-drejtoresha e Inspekcionit në Suharekë, e akuzuar për korrupsion thotë që objekti pa leje është rrënuar në tërësi

Published

on

Ish-drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi, e akuzuar për korrupsion, duke vazhduar dhënien e mbrojtjes, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, deklaroi se objekti pa leje i investitorit Blerim Gashi është rrënuar në tërësi.

“Atë ditë unë kam qëndruar deri në fund të rrënimit të objektit ndërtimor me investitor Blerim Gashi. E kam parë që është rrënuar tërësisht”, ka thënë Rrafshi- Lumi.

Këtë deklaratë, Rrafshi-Lumi e ka dhënë në rastin ku e njëjta në cilësinë e Drejtoreshës së Inspekcionit në Suharekë, së bashku me inspektorin e ndërtimit, Hafir Maliqaj, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Genc Nixha, e akuzuara Rrafshi- Lumi ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratës që ka dhënë në Prokurori më 22 shkurt 2021.

Ajo ka treguar se kompetent për hartimin e konkluzioneve është inspektori i ndërtimtarisë. E njëjta ka shtuar se si drejtoreshë e Inspekcionit, ka bërë nënshkrimin e konkluzioneve në bazë të praktikës së Komunës së Suharekës dhe se konkluzionet nga viti 2012 deri më 2018 ishin nënshkruar nga drejtorët.

Rrafshi- Lumi ka thënë se në bazë të Ligjit mbi Qeverisjen Lokale, kompetencë e drejtorit është të marrë vendimet përfundimtare.

Tutje, ajo ka thënë se ka bërë nënshkrimin e konkluzionit, të cilin e ka hartuar i akuzuari Hafir Maliqaj dhe ka treguar arsyet e nxjerrjes së konkluzionit për rrënim të objektit pa leje.

“Njëra prej pikëve është që në rastin konkret, investitori nuk i ka ndërprerë punimet pa u pajisë me leje ndërtimore, nuk e ka respektu aktvendimin për pajisje me leje ndërtimore dhe ka bërë heqjen e shiritave, e cila është vepër penale, i  cili objekt ka qenë i konservuar nga ana e objektit. Gjithashtu, edhe mosrespektimi i procesverbalit për ndërprerjen e punimeve deri sa të pajiset me leje ndërtimore, prandaj këto janë arsyet për të cilat është nxjerrë ky konkluzion”, ka thënë Rrafshi- Lumi.

Lidhur me rindërtimin e objektit pa leje nga investitori Gashi, Rrafshi- Lumi tha se nga inspektori i ndërtimit është informuar se i njëjti ka vazhduar punimet pa leje ndërtimore.

E pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, e akuzuara Rrafshi-Lumi ka mohuar se me këtë rast ka pasur ndonjë përfitim për vete apo personin tjetër.

Ndryshe, të panishëm në këtë seancë nuk ishin të dëmtuarit: Haziz Tafaj dhe përfaqësuesi i Komunës së Suharekës, për të cilët gjykatësja Krusha tha se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë, kurse ajo e radhës është caktuar më 3 korrik 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës,  nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK-së./Media Ndërtimi

Continue Reading

Gjykim

Dështon të mbahet seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit

Published

on

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit ku të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, nën akuzat se të njëjtit janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani njoftoi palët në procedurë se anëtari i trupit gjykues Vesel Ismaili nuk mund të jetë prezent në këtë gjykim për arsye shëndetësore.

“Siç e shihni edhe vet trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Vesel Ismaili. I njëjti nuk është mirë me shëndet, gjendet në trajtim mjekësor. Paraprakisht ka njoftuar edhe udhëheqësin e departamentit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë”- tha kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani.

Përveç seancës së sotme, është anuluar edhe seanca e sila ishte paraparë të mbahej nesër.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan të mbahen më 12, 13, 14 dhe 17 korrik 2023.

Përndryshe sot ishte paraparë që të dëgjoheshin dy dëshmitarë, ish-ministri i Financave dhe tash kryetari i Komunës së Jugut, Bedri Hamza dhe Fitim Krasniqi, të cilët ishin prezentë në sallë.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Gjykim

Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

Published

on

Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, aktualish kryetar i Komunës së Mitrovices pritet që sot të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e fundit në këtë rast kishte dhënë dëshmin e tij edhe Bajram Hasani, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, i cili kishte deklaruar se nëse nuk do paguheshin këto 53 milion, më vonë Kosova do të duhej të paguante 200 deri në 300 milionë euro.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri,  drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending