Connect with us

Kontestet Pronësore

Ngritët aktakuzë ndaj noteres Valbona Murtezi-Bytyqi, ndërroi bashkë blerësit e lokalit në lagjen Ulpiana

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj noteres, Valbona Murtezi-Bytyqi, Bekim Malokut dhe Agim Spahiut.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Shqip.com, e pandehura Valbona Murtezi-Bytyqi më datë 15.02.2022, noterja kishte përpiluar në mënyrë të kundërligjshme, “Aneks Kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë – lokalit, në lagjen Ulpiana.

Nga provat e siguruara, Prokuroria ka vërtetuar se e pandehura Valbona Murtezi-Bytyqi, në cilësinë e noteres në zyrën e saj, e ka përpiluar një aneks kontratë të kundërligjshme, duke i ndërruar bashkë blerësit e lokalit.

Ky veprim ishte bërë pa pëlqimin dhe nënshkrimin e të dëmtuarit, Krenar Alidema, derisa lokalin e kishte bartur në emër të Bekim Maloku dhe Agim Spahiu.

Me këtë e veprim, noterja Murtezi-Bytyqi, dyshohet se ka kryer veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Themelorja ka konstatuar në aktakuzë se dy të pandehurit, Bekim Maloku dhe Agim Spahiu, në bashkëkryerje me dashje, e kanë ndihmuar të pandehurën Valbona Murtezi-Bytyqi, në kryerjen e veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se gjatë zhvillimit të hetimeve në këtë Prokurori, janë siguruar prova të mjaftueshme, të cilat vërtetojnë se të pandehurit i kanë kryer veprat penale.

Prokuroria ka shkruar në aktakuzë se nga faturat e pagesave, vërtetohet se i dëmtuari, Krenar Alidema e ka përmbush obligimin sipas kontratës ku ka paguar shumën e parave të paraparë në kontratë me çka e ka fituar edhe të drejtën e pronësisë së lokalit, i cili është objekt i dy kontratave e të cilin lokal me lidhjen e aneks kontratës nga e pandehura Valbona Murtezi-Bytyqi, në mënyrë të kundërligjshme e ka fituar personi i tretë, në këtë rast i pandehuri Agim Spahiu pa pëlqimin dhe nënshkrimin e të dëmtuarit Krenar Alidema.

Në korrikun e vitit të kaluar, Shqip.com kishte publikuar hulumtimin se si noterja kishte vërtetuar tjetërsimin e pronës në vlerë prej 250 mijë eurosh.

Në aneks kontratën e përpiluar nga noterja Murtezi-Bytyqi dhe nënshkruar nga palët e tjera, thuhet se palët deklarojnë se Alidema ishte pajtuar për shitjen. Megjithatë, në asnjërën pjesën nuk ka deklaratë të tij e as nënshkrim.

Kjo sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi përbën shkelje nga noterja. Eksperti Gzim Shala kishte deklaruar se kalimi i pronësisë së një personi pa nënshkrimin e tij përbën edhe vepër penale.

Vetëm dy muaj pas këtij hulumtimi, Prokuroria Themelore e Prishtinës, nisi hetimet rreth kësaj çështje, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë, u ka ndaluar edhe shitjen apo transferimin e lokalit tek personat të tjerë, pasi ka dyshim të bazuar se është përvetësuar me kryerjen e veprës penale.

Shqip.com ka provuar ta kontaktoj noteren Valbona Murtezaj-Bytyqi, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Ndërkaq, avokati i saj, Florim Shefqeti, ka thënë se nuk e ka pranuar ende aktakuzën.

Aktakuza e nxjerrë nga Prokuroria Themelore është mirëpritur nga pala e dëmtuar.

“Ne mendojmë që të njëjtit e kanë kryer veprën penale në bazë të provave që ka dorëzuar pala mbrojtëse dhe presim që gjatë akt zhvillimit të gjykimit, të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, ka thënë për Shqip.com, Durim Osmani, avokat i të dëmtuarit Krenar Alidema./Media Ndërtimi.

Kontestet Pronësore

Burri detyron ta bart tokën në emër të kunatit! Drita Kaçandolli-Gjonbalaj vazhdon betejën ligjore për hise

Published

on

Ndonëse kanë kaluar tri dekada që kur u martua, Drita Kaçandolli-Gjonbalaj po e vazhdon betejën e saj ligjore për të marrë hisen që i takon nga pasuria e bashkëshortit të saj, Mujë Gjonbalajt.

Përveç vështirësive që Drita Kaçandolli-Gjonbalaj kaloi, siç thotë ajo, për shkak të mentalitetit të familjes së burrit të saj, probleme ajo me të shoqin pati edhe me të ardhurat financiare, raporton emisioni ‘Kiks Kosova’.

Për t’i tejkaluar këto vështirësi në një mënyrë, pak vite pasi u martuan, Drita dhe Muja shitën 3 ari prej tokës së tyre në Matiqan, e cila gjithsej ishte 8 ari.

Me atë shitje ata ndërtuan një shtëpi të vogël në një pronë tjetër.

Vite më vonë, diku rreth vitit 2016, personi i cili atë kohë kishte blerë atë pjesë toke, kërkon që ajo të kalojë në emrin e tij.

Në këtë situatë, Drita kupton që pa nënshkrimin e saj si bashkëshorte asnjë centimetër tokë nuk mund të kalojë në emër të dikujt tjetër.

Me të marrë këtë informatë, Drita filloi të insistojë tek i shoqi, që pjesën e tokës të cilën ai do të ia dhurojë vëllait të tij, nuk do e nënshkruajë asnjëherë.

Ky insistim i saj u përcoll me presion të vazhdueshëm nga i shoqi.

Duke mos qenë e gatshme që të e durojë më tutje këtë presion të cilin Drita thotë të ia ushtronte i shoqi, rastin ajo e paraqet në Polici.

Për të vërtetuar deklaratat e Dritës, e cila thotë se po pranon dhunë psikike nga i shoqi, Gjykata kërkon një ekzaminim psikologjik të gjendjes së saj./Media Ndërtimi

Continue Reading

Kontestet Pronësore

Shit-blerja e një banese në Gjakovë që përfundoi me dhunë brutale

Published

on

Urim e Arian Dobruna, babë e bir, mbrëmjen e 22 majit të këtij viti ishin rrahur brutalisht nga dy të dyshuar, babë e bir, Pashuk e Shelbim Pepaj, në Gjakovë. Rrahja kishte ndodhur brenda një lokali i cili është në pronësi të Arian Dobrunës.

Ngjitur me këtë lokal/kafeteri është edhe blloku banesor në të cilin jeton Pashuk Pepaj. Ky i fundit është pjesëtar i Policisë së Kosovës, staf civil, në Departamentin kufitar në regjionin e Gjakovës. Në një rrëfim për “Kallxo Përnime” ai tregon detajet që çuan deri te dhuna fizike brutale e cila ndodhi në orët e mbrëmjes së 22 majit dhe çka i parapriu asaj dhune.

Arian Dobruna tregon se ka disa raste fillimisht të raportuara në Policinë e Gjakovës për problemin që ka me Pashuk Pepajn dhe djalin e tij, Shelbim Pepaj.

“Janë mbi gjashtë raste apo më tepër të hapura në Polici të Gjakovës, 3 raste janë sulm fizik. Gjatë gjithë kohës kemi pasur provokim, shantazh, gjeste të vrazhda, kërcënim me jetë, kanosje, fyerje, sharje”- tregon Dobruna.

Asnjë nga këto raste deri më sot nuk kanë ndonjë epilog përfundimtar ndërsa ngjarjet kishin nisur që nga viti i kaluar.

Arian Dobruna thotë se nuk ka ndonjë arsye të cilën mund të theksonte se pse po ndodhnin këto probleme me familjen Pepaj.

“Problemi me të është i pashpjegueshëm. Zyrtari e ka ble një banesë prej ne edhe çdo gjë është bërë në mënyrë legale, me kontratë ligjore me të gjitha kushtet, nuk e di çka po don, nuk e di çka është kërkesa e tij. Asnjëherë nuk kam pasur problem me të, në fillim kur patën ardhë m’u kanë prezantua si familje e mirë”- tregon ai. Me familjen Pepaj, Dobruna njihet pasi i kishte shitur ky i fundit një banesë pjesëtarit të stafit civil.

Dobruna thotë se familja Pepaj kishin nisur të keqpërdornin respektin, fillimisht duke mos respektuar edhe pronësinë pasi që shfrytëzonin herëpashere edhe parkingun të cilin nuk e kishin blerë me kontratë.

“Kanë fillu me keqpërdorë respektin dhe me i tejkalu kompetencat e tyre. Banesën që e ka blerë ai në fakt kam qenë duke banu unë, ia kam lëshu unë, ia kam lëshu parkingun që nuk e ka pasë të përfshirë po për hir të respektit e kam lënë me parku. Me datë 4 korrik 2022 ka ndodhur sulmi i parë, kemi qenë tu nejtë në terrasë dhe parkingu jonë ka hapësirë për tri vetura, kemi qenë duke e pritë motrën tem me ardhë dhe me hy në parking. Ka ardh miku i Pashukut dhe me dhunë ka tentu me hy në parking, baba ka rezistu, dhe e kanë sulmu në prezencë të policëve babën”- thotë Dobruna.

Ai përmend faktin se sulmi i parë ndaj babait të tij, Urim Dobrunës, kishte ndodhur vetëm pak metra larg një patrulle të policisë që po trajtonte një rast atypari.

“Kur ka ndodh sulmi fizik masi ka përfundu sulmi, kanë ndërhy policia, pastaj kanë ardhë diku 6-7 patrulla. Edhe polici Pepaj ka qenë aty, nuk ka sulmu, po ai ka qenë aty kur djali i tij Shelbimi me dajën e vet e kanë sulmu babën”- shpjegon ai.

Dobruna thotë se kur kishte shkuar në stacion për të deklaruar në lidhje me këtë rast, kishte dyshuar për trajtim të mirëfilltë.Ai thotë se kishte humbur besimin në trajtimin e rastit të tij nga Policia në Gjakovë dhe kishte shkuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës për të denoncuar neglizhencën e policëve, por që ka marrë një përgjigje prej tyre se nuk kanë prova dhe fakte për pretendimet e Arian Dobrunës.

Dubruna rrëfen edhe për rastin e dytë të regjistruar tashmë në databazën e Policisë, por kësaj radhe rasti kishte ndodhur me bashkëshorten e pjesëtarit të Policisë së Kosovës.

“Rasti i dytë ka ndodhur me datë 29 mars 2023. Me të hapun derën nga banesa më ka dalë gruaja e Pashukut duke më kërcënu, edhe më ka sulmu fizikisht. Më ka shkelmu mbrapa në shpinë disa herë, në prezencë të nënës sime, e kam incizuar në atë formën tem me telefon sepse s’ka pasur kamera. Tu e pa që nuk janë duke u ndalë unë jam detyru me përdorë atë formë”- shpjegon tutje Arian Dobruna./Media Ndërtimi

Rasti është hapur si lëndim i lehtë trupor. Pashuk e Shelbim Pepaj për 15 ditë kanë qëndruar në paraburgim ndërsa prokuroria kishte bërë kërkesë për zëvendësim të masës së sigurisë.

Atyre iu zëvendësua masa në arrest shtëpiak, masë këtë të cilën po e mbajnë në banesën që kanë blerë nga Arian Dobruna.

Banesa gjendet pikërisht ngjitur me lokalin/ kafeterinë ku ndodhi edhe ngjarja e 22 majit.

Continue Reading

Kontestet Pronësore

Prokuroria urdhëron Policinë të sekuestroj rreth 3 hektarë tokë kontestuese në Veternik

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka urdhëruar Policinë e Kosovës sekuestrimin e përkohshëm të rreth tre hektarëve tokë kontestuese në Veternik, për çka tashme janë vendos edhe shiritat.

Kjo pronë dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, kishte kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar mbrojta e palëve të dëmtuar, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.

Ajo tha se ky urdhër i prokurorisë vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e kthyer për herë të dytë në rivendosje rastin ku po kërkohej sekuestrimi e përkohshëm i kësaj prone. Teksa shtoi se, pas 7 ditësh pret që edhe Gjykata të marr vendim për sekuestrim.

Fillimisht, kërkesa e palëve të dëmtuara Gursel e Nexhat Sadikut për sekuestrimin e pronës rreth tre hektarësh në Veternik, ku edhe po zhvilloheshin ndërtime, ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë vendim, në Gjykatën e Apelit ishin ankuar Prokuroria dhe avokatët e palëve të dëmtuara. Shkalla e dytë e kishte aprovuar ankesën dhe rastin kishte vendosur ta kthejë në rigjykim, me arsyetimin se vendimi i Gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë, pasi gabimisht janë aplikuar dispozitat ligjore në rastin e refuzimit të kërkesës për urdhrin e masës së sigurisë.

Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se provat materiale si dokumenti “Resenje Broj” i vitit 1961 i cili dyshohet se është i falsifikuar, konkretisht nënshkrimi i dhënë në atë dokument nuk është i Milorad Filipoviq, përmes të cilit dokument tashme e ndjera Z.H, nëna e Ylber Hysenit, kishte fituar të drejtën e kësaj prone.

Gjithashtu, thuhej se Gjykata e shkallës së parë, nuk e ka arsyetuar faktin se parcelat të cilat janë paraqitur për sekuestrim të përkohshëm, a ka pasur ndërrim të subjekteve si pronarë.

“Z. H ka qenë e ëma e tani të pandehurit Ylber Hyseni i cili si derivat i këtyre veprimeve ishte shpallur trashëgimtar, ndaj të cilit prokuroria ka bërë kërkesë dhe se ngastra kadastrale e fituar nga i pandehuri ka pësuar ndryshime dhe se në këtë pronë, a është bërë ndryshimi i gjendjes faktike dhe cenimi i interesave pronësore të paraqitësve të kësaj kërkesë”, thuhej në vendimin e parë të Apelit.

Apeli kishte arsyetuar se vendimi i shkallës së parë është kontradiktor, i paqartë dhe në kundërshtim më veten, prandaj edhe ishte kërkuar që të evidentohen këto shkelje.

Mirëpo, edhe në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, e kishte refuzuar kërkesën për sekuestrim të përkohshëm të kësaj parcele, deri në vendosjen përfundimtare të kësaj çështjeje.

Të pakënaqur më këtë vendim, ankesë në Apel ka parashtruar prapë Prokuroria dhe avokatët e palëve të dëmtuara, avokatët Bedri Avdullahu, Saranda Keqekolla-Sadiku dhe Florim Shefqeti.

Gjykata Apelit, për herë të dytë ka anuluar vendimin e Themelores, me arsyetimin se ka bërë shkelje esenciale, duke thënë se vendimi është i paqëndrueshëm dhe çështja duhet t’i kthehet shkallës së parë në rishqyrtim.

“Aktvendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPPRK-së, pasi që gabimisht janë aplikuar dispozitat ligjore për sekuestrimin e pronës së paluajtshme, ngase gjykata e shkallës së parë me rastin e nxjerrjes së vendimit të atakuar në rivendosje u është referuar dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale (Kodi nr.08/L-032), kurse ndërmarrja e veprimeve procedurale është bërë duke zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale (Kodi nr.04/L-123), pra nxjerrja e vendimit gjyqësor është bërë duke u mbështetur në dispozitat ligjore të KPP-së, i cili është në fuqi, ndërkaq veprimet procedurale janë ndërmarrë në bazë të dispozitave ligjore të KPP-së, i cili ka qenë në fuqi deri më 17.02.2023”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas Apelit, në rastin konkret është dashur të zbatohen dispozitat e Kodit në fuqi, ku janë të përcaktuara edhe veprimet procedurale se si duhet të veprohet në rastin e vendosjes për sekuestrimin e përkohshëm të pronës së paluajtshme, nëse prokurori i shtetit ka dyshim të bazuar se prona e sekuestruar përkohësisht mund t’i nënshtrohet konfiskimit.

Continue Reading

Trending