Grumbuj rëre, gurësh dhe mbeturinash janë hedhur në dy anët e një grope të madhe në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, rreth 15 kilometra afër kryeqytetit, përderisa arkeologët e kanë të vështirë ta balancojnë kohën e tyre në mes kërkesave të gazetarëve në vend, paraqitjeve nëpër studio televizive, takimeve me liderët politikë dhe gërmimeve që planifikojnë t’i realizojnë.
Vëmendja ditëve të fundit është e fokusuar në një tokë bujqësore private të mbjellë me kumbulla, që nga momenti kur një fotografi e një zbulimi arkeologjik u bë virale në rrjete sociale.
Në të njëjtin vend arkeologët vitin e kaluar zbuluan një bazilikë antike të shekullit të gjashtë.Kjo bazilikë, kishë Paleokristiane, doli të ketë një mbishkrim të dedikuar për perandorin Justinian dhe gruan e tij Teodora – ‘Urbem Dardania’ që do të thotë ‘qytet në Dardani’” – e që sipas arkeologëve këtu dëshmohet origjina dardane e perandorit më të madh bizantin.
Justiniani kishte lindur në Tauresium, që mendohet se ka qenë në afërsi të Shkupit të sotëm.Mbishkrimi është zbuluar në afërsi prej 100 metrave nga Parku Arkeologjik i Ulpianës, më saktë në kishën që ishte zbuluar në gusht të vitit të kaluar.
Gërmimet janë mbështetur nga Bashkimi Evropian në vlerë 1 milion euro, në kuadër të projektit “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Justiniana Secunda”, i cili u lansua në dhjetor 2021 dhe pritet të përfundojë në dhjetor 2024.
Ndërsa, që nga viti 2017, ka një marrëveshje bashkëpunimi për këto gërmime në mes Universitetit të Prishtinës, Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit “Ecole Normale Superieure” nga Parisi./Media Ndërtimi