Muzeu i luftës në Krushë të Madhe të Rahovecit është gati drejt finalizimit. Pritet që ky muze, të hapet në përvjetorin e masakrës që ndodhi në mars 1999. Shumë dëshmi të masakrimit të 241 banorëve të saj, do të ruhen si dëshmi për gjeneratat e reja.
Në shkurt të viti 2019, Krusha e Madhe ndërmori iniciativën për ndërtimin e Muzeut të luftës. Fshati në komunën e Rahovecit ka shumë për të rrëfyer për masakrën që forcat serbe kryen në mars të vitit 1999. Prandaj, vendosën që provat e krimit serb, t’i mbledhin e ruajnë për gjeneratat e reja. As pas 25 vjetësh, tmerri i atyre ditëve nuk mund të harrohet, raporton RTKlive.
“Vazhdimisht më pasqyrohen figurat, dhjetëra fëmijë të shtypur nga betonet, të vrarë me plumba, njerëz gra pleq, fëmijë, derisa na marrin neve ashtu të plagosur, na kamuflojnë për të na nisë në drejtim të Shqipërisë, ku pa ec as dy tre kilometra, sapo t’i hapsh sytë sheh duke hapur varreza për skaj rrugës, njerëz që vdisnin”, tha Sejfullah Sejfullahu, banor i Krushës së Madhe.
Për gati katër vjet janë marrë 202 dëshmi nga të mbijetuarit e asaj masakre e shumë dëshmitarë kanë ndërruar jetë. Por muzeu do të përfshijë shenjëzimin e vendeve ku ndodhi krimi.
“Ideja është që një qytetar i huaj, që nuk e ka mundësinë që të vijë fizikisht, mund të kyçet edhe në qasje direkte në Muzeun e Krushës në mënyrë virtuale, pasi që, të gjitha këto dëshmi, ç’farë do që janë , qofshin të historikut të dëshmive orale të të mbijetuarve të masakrës, përveçse në shqip, janë në proces të përkthimit më saktë në gjuhën angleze dhe serbe, me qëllim që gjeneratat e reja ta kuptojnë se sa i kanë hyrë në hak popullit shqiptar dhe popujve të tjerë”, tha Selami Hoti, përfaqësues i fshatit Krushë e Madhe.
Gjithsesi, muzeu i luftës do të jetë gati para përvjetorit përkujtimor.
“Vendosja e artefakteve, dëshmive të luftës, ka të bëjë vetëm me pjesën e Krushës së Madhe. Do të jetë prezantimi i ekspozitës i dëshmive, i ngjarjeve, dhe do ta shohim një objekt, një muze që kushdo që do të vijë ta vizitojë, ta shef dhimbjen, përjetimin, si dhe dëshmitë që kanë mbetur nga pjesa e luftës”, Arbër Zenuni, kryesues i Kuvendit Komunal të Rahovecit.
I gjithë territori i Rahovecit pothuajse është një muze lufte, pasi numërohen shumë masakra në atë pranverë, por në Krushë të Madhe atë mëngjes marsi u vranë, u masakruan 241 persona banorë e mysafirë të fshatit, ku ende figurojnë të zhdukur edhe 64 krushjanë, së bashku me profesorin Ukshin Hoti./Media Ndërtimi