Ministri i Bujqësisë, Faton Peci përmes një konference të mbajtur sot për media ka prezantuar disa të dhëna në lidhjen e tjetërsimit përmes ‘dallavereve’ të dhjetëra hektarë tokë, objekte e prona afariste brenda shtetit të Kosovës.
Kjo konferencë për media për dallim nga të tjerat, siç tha ministri Peci, që rëndom i mbajmë në zyrë apo tek fermerët në teren, është ndryshe edhe për nga tematika.
Kjo parcelë me numër 1559/1 me një sipërfaqe prej 1 hektar e 34 ari, me vlerë të përafërt prej 4 milionë euro, Pronë e Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2020 është bartur tek pronari Jovica Deniq.
Pas pronave në Ulpianë dhe në Stankaj të Pejës, ky rast, për të cilin po flasim sot është një ndër rastet më bizare që kanë ndodhur karshi tentimit për tjetërsim dhe abuzim flagrant të pronave shtetërore.
Mënyra e tjetërsimi të kësaj prone për mua si Ministër por po besoj edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që e duan këtë vend, paraqet krim.
Nga të dhënat që posedojmë, që nga viti 2010 deri në vitin 2020 janë rreth 100 hektarë toke të tjetërsuara, objekte e prona afariste, që kanë ndërruar titullarin në mënyrë të dyshimtë përmes metodës së identifikimit të disa pjesëtarëve të komunitetit serb ish zyrtarë të Institutit të Bujqësisë së Kosovës.
Si vazhdimësi e sensibilizimit vazhdojmë që ta njoftojmë opinionit publik dhe organet e rendit e drejtësisë, për shkeljet flagrante ligjore të cilat kanë autorë e për të cilët institucionet e drejtësisë duhet të japin vendimin dhe epilogun meritor.
Në aktvendimin e nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në dhjetor të vitit 2020, ishte obliguar Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës që të bëjë ekzekutimin e Aktgjykimit të shtatorit të 1996, ku parcela në të cilën ndodhemi sot, i është bartur në pronësi Jovica Deniqit.
Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës më Maj të 2019 si dhe në gusht të 2020-tës kishte refuzuar fillimisht kërkesën e Jovica Deniqit, për shkak të konstatimit të zbraztisë ligjore për ta bartur pronën në pronësi të Deniqit.
Mirëpo, në Janar të vitit 2021, e njëjta drejtori nxjerrë aktvendimin me të cilin është ekzekutuar në regjistra kadastral aktvendimi i datës 11.12.2020 kurse me date 21.06.2021 drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës bazuar në shkresën e lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës të datës 17.05.2021, ka nxjerrë aktvendimin me të cilin është plotësuar aktvendimi i nxjerrë nga Drejtoria e Kadastrit me datë 19.01.2021 me të cilin Jovica Deniq, është bërë pronar i kësaj ngastre kadastrale në të cilën ndodhemi.
Na është dashur shumë angazhim dhe sensibilizim publik e kërkesa ndaj institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të lartëcekura; Agjensicë Kadastrale të Kosovës dhe Drejtorisë për Kadastër të Komunës së Prishtinës (e cila ka refuzuar në vazhdimësi dhënien e historiatit të mënyrës së bartjes së pronës nga MBPZHR tek Jovica).
Si rezultat i këmbëngulsisë sonë, akterët e lartëcekur që kanë marrë vendime skandaloze dhe kriminale me vite në pervetësimin e pronës shtetërore tek individë e konkretisht të kësaj ngastre në vlerë rreth 4 milion euro; prona i është kthyer titullarit / Minsitrisë së Bujqësië, para 6 ditësh.
Mirëpo kjo nuk mjafton!
Unë ftoj Prokurorinë e Shtetit që të angazhohet dhe hetoj gjithë mënyrat dhe procedurat e bartjes së pronës së Ministrisë së Bujësisë tek grupe apo individ, e që janë hiq me pak se qindra hektar me tokë, objekte afariste e objekte banimi
Secili duhet ta bartë peshën e përgjegjsisë karshi këtyre veprimeve skandaloze e kriminale, që atyre që kanë vepruar në këtë form po edhe ata që e kanë lejuar dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim të vetëm. Secili duhet të përballet me organet e rendit dhe drejtësisë.
Ofroj, bashkëpunimin tim si Ministër, organeve të rendit dhe drejtësisë për çdo informacion që posedojmë si institucion!/Media Ndërtimi