Dita e parë e gushtit të vitit 2017 solli një lajm gëzimi për punonjësit e Muzeut Etnologjik në Prishtinë. U njoftuan se do të nisë restaurimi i njërës prej dy ndërtesave, asaj të shekullit XIX. Entuziazmi i tyre ishte gati i nivelit të 27 korrikut të vitit 2006, kur zyrtarisht u hap Muzeu Etnologjik në Prishtinë.
Dy ndërtesa të kompleksit “Eminxhiku”, shtëpi tipike qytetare që dëshmojnë jetën në shekujt XVII dhe XIX, për 11 vjet radhazi do të ishin monumenti më i vizituar në Kosovë. Koha kur u ndërtuan si faktor kryesor e edhe amortizimi që i shkaktuan grupet e vizitorëve kureshtarë për mënyrën e jetesës në shekujt e kaluar, kanë bërë që Muzeu të ketë nevojë të madhe për konservim e restaurim.
Më 2 gusht 2017 punonjësit do të nisnin zbrazjen e objektit. Elementet e çardakut, ato të dhomës së mysafirëve, ato të nuseve e të dhomës ku zinin vend kufomat do të dërgoheshin në përdhesen e ndërtesës tjetër që ishte lënë për t’u restauruar më vonë.
Vonesa në nisje
“Kishte ide të ndryshme. Por unë isha i sigurt që restaurimi nuk do të merrte më shumë se gjashtë muaj deri në një vit”, kujton etnologu Bekim Xhemili, i cili është ciceron në Muze qysh prej ditës së hapjes së institucionit. Por tash janë bërë fiks dy vjet e dhjetë muaj prej kur objekti është i mbyllur për vizitorë. Pas zbrazjes së ndërtesës prej eksponateve, puna për restaurim nuk kishte nisur menjëherë. Pas tre muajve, më 27 tetor, u shndërrua në punishte.
Gjatë nëntorit e dhjetorit muret e brendshme të objektit ishin zhveshur deri në skelet. Dyshemeja është larguar krejtësisht, përderisa ndërtesa mbahet në këmbë vetëm nga shtyllat e drunjta. Edhe qerpiçët janë larguar nga muret e brendshme. Tjegullat e kulmit janë larguar, e mosdepërtimi i ujit të reshjeve atmosferike bëhet i mundur nëpërmjet izolimit me llamarinë, shkruan Koha.net
Përderisa nga brenda objekti ka mbetur vetëm në shtylla, mureve të jashtme u është larguar llaçi deri në thupra. Puna është ndërprerë në ditën e 30-të të dhjetorit 2017. Sapo kishte nisur ndërhyrja qe konstatuar se ky objekt − njëri prej dy kryesorëve – të kompleksit “Eminxhiku” − rrezikonte të shembej. Shpejt ishte konstatuar se gjatë ndërhyrjes kishte dalë 70 për qind punë më shumë sesa ishte paraparë me projekt.
Gjurmimet brenda mureve do të nxirrnin në pah se nevoja për restaurim ishte më e madhe sesa që ishte menduar. Ministria e Kulturës, në buxhetin e paraparë për vitin 2017, kishte projektuar 80 mijë euro për ndërhyrjet në dy objektet e kompleksit. Për vitin 2018 ishin planifikuar 50 mijë euro.
E 30 mijë për vitin 2019. Por asnjëherë nuk ka rinisur puna pas ndërprerjes që ishte bërë shkaku i kushteve atmosferike. Dritaret, dyert, vitrinat ekspozuese, ashtu sikurse eksponatet e drunjta e ato të tekstilit, po ashtu planifikohet t’i nënshtrohen procesit të restaurimit.
Trajtimi i tyre për herë të fundit ishte bërë më 2006. Në pranverën e vitit 2018 duhej punuar projekti i ri i restaurimit. Ajo punë mori kohë e doli të jetë e pamundur të nisë puna gjatë muajve të verës kur mund të bëhen restaurime të monumenteve të tilla. Kurse, viti 2019 solli keqplanifikim buxheti.
Mungesa e buxhetit
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se më 2019 projekti ishte gati dhe është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por me 30 mijë euro nuk mund të nisej puna.
Planet e MKRS-së ishin që gjatë rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar të shtoheshin mjete për “Eminxhikun”, që ndodhet në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër”. Por në korrik ishkryeministri, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje e më pas është shpërndarë Kuvendi dhe nuk ishte bërë rishikimi i buxhetit. MKRS-ja kishte bërë një kërkesë për shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por nuk ishte aprovuar menjëherë.
“Në fund të vitit fiskal na janë miratuar 100 mijë euro. Por ishte shumë vonë për t’i nisur procedurat e prokurimit”, ka thënë Aliu.
Sipas saj, por edhe sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të këtij viti, MKRS-ja që të rinisë punën, ka ndarë 120 mijë euro.
“Ne kemi paraparë 120 mijë euro dhe mund t’i nisim procedurat e prokurimit”, ka thënë Aliu.
You must be logged in to post a comment Login