Vetëdija qytetare është çelës që të hapë horizonte për ta parë jetën me sy më të mirë. Kryesisht me veprimet tona ne po dëshmojmë se jo vetëm që nuk e duam veten dhe jetën, por ne jemi njerëz shkatërrues të të gjitha të mirave që na rrethojnë. Si mund të flitet për vetëdije të lartë qytetare ndaj rrethit ku jetojmë, kur ne s’dimë të vlerësojmë rëndësinë e tokës e as të ujit. Ne s’dimë thjeshtë të vlerësojmë lirinë tonë për të jetuar në pastërti.
Kur qëllimisht, nisesh nga shtëpia me thasë bërlloku mbi shpinë për t ‘shkuar që t’i hedhësh në lum, ti nuk je asgjë tjetër pos një barbar që jeton fatkeqësisht n ‘ketë shekull.
Fshati Zhegër, në komunën e Gjilanit ka një pozitë tejet të mirë gjeografike. Si shumë fshatra të Kosovës të lënë pas dore nga dora e shtetit në ndërtimin e infrastrukturës së saj, për të më së shumti janë kujdesur mërgata e tij duke u organizuar qoftë në forma shoqërore qoftë private.
Është punuar në mirëmbajtjen e varrezave, janë ndërtuar dhjetëra shtëpi për të pastrehët, mirëmbahen e ushqehen edhe sot e kësaj dite familje skamnore me gjëra elementare për jetë, janë grumbulluar mjete financiare për shërim të dhjetëra personave jo vetëm brenda Kosovës… Shkurt, ky fshat megjithatë nuk i është edhe aq mirënjohës djersës së mërgatës. Nuk i është mirënjohës, e theksoj me shumë këmbëngulje sepse mërgata sa herë ndodhet edhe atje investohet vet praktikisht për të sensibilizuar banorët e fshatit për mirëqenie më të mirë sociale.
Një shembull të sensibilizimit rreth ruajtjes së pastërtisë së mjedisit, këtë vjeshtë e kishte bërë edhe Jusuf Idrizi nga ky fshat i cili jeton prej më se tridhjetë vite në Gjenevë ku është e përqendruar pjesa më e madhe e mërgatës nga Zhegra.
Ai me vetiniciativë më datën 18 shtator të këtij viti angazhon financiarisht dy punëtorë për të pastruar shtratin e lumit që është në një distancë prej 300 metrave nga shtëpia e tij.
Konkretisht ai ka pastruar jo vetëm nga mbeturinat e hedhura në lumë, por edhe të gjitha çrregullimet tjera në të dy anët e lumit që përfshinte një distancë prej disa qindra metrave.
Ju përkujtojmë pra se përmes fshatit Zhegër kalon lumi i Karadakut që derdhet në lumin Moravë.
Në këtë lum peshkohej dhe notohej ditëve të nxehta vere.
Sot, ngrohja klimatike e globit nuk kalon pa u parë as këtu. Sasia e ujit është ulur mbi 80%. Nuk ka më peshq, e as vend ku të freskohen fëmijët.
Jo vetëm kaç, ngrohja globale sikur ka « stërngrohur koka» të shumë banorëve. Ata tani e kanë shndërruar lumin në deponi bërlloku në bashkëpunim me strukturat politike që kanë qeverisur për njëzet vite.
Zotëri Idrizi pas datës 18 shtator kthehet në Zvicër duke e lënë të paktën shtratin e lumit të pastër para shtëpisë së tij. I kënaqur që ka realizuar edhe këtë herë këtë punë modeste që e bënë çdo vit Jusufi kthehet sërish në vendlindje më 5 tetor.
Ç’farë të shoh, përpara shtëpisë së tij, me thasë në shpinë e me « kolica » të ngarkuara, fshatarët e tij, kishin ardhur dhe nga ura që lidhë shtëpinë e tij me fshatin (urë poashtu private që ai vet e ka ndërtuar) kishin hedhur mbeturinat në lum!
Nuk mund ta marrë me mend se si është ndjerë ai në ato momente.
Më tha se në lum kishin hedhur edhe televizor! Po, po, televizor. E ju sigurisht e dini se çfarë materie toksike mund të shpërndajë ai në ujë e në natyrë.
Vetëdija qytetare është çelës që të hapë horizonte për ta parë jetën me sy më të mirë. Si duket në Zhegrën e Idriz Seferit, në Zhegrën e Agim Ramadanit, në Zhegrën e Xherdan Sheqirit, banorët nuk e duan shëndetin e tyre, nuk e duan mjedisin e pastër, nuk e duan ardhmërinë e brezave që vijnë pas tyre.
Qëllimi i gjithë këtij shkrimi është denoncim me zë kundër ambientit të ndotur, kundër atyre njerëzve që s’janë asgjë tjetër pos shkatërrues që jo vetëm nuk e dinë rëndësinë e ujit e të tokës por nuk kanë asnjë fije turpi për dëmin që i bëjnë shëndetit në përgjithësi. (Ky tekst është shkruar nga ambientalistja Mirishahe Limani Hiler)./ Media Ndërtimi.