Përfshirja e qytetarëve në procesin e planifikimit rrit ndjenjën e pronësisë dhe përgjegjësisë për projektin. Kjo mund të çojë në një mbështetje më të madhe dhe një implementim më të suksesshëm të projektit.
Qytetarët janë ata që do të përfitojnë nga projekti publik, kështu që është thelbësore të kuptohet se cilat janë nevojat dhe prioritetet e tyre. Kjo siguron që projekti të jetë më i përshtatshëm dhe i dobishëm për komunitetin.
Debati me qytetarët mund të ndihmojë në identifikimin dhe adresimin e çështjeve potenciale dhe shqetësimeve para se projekti të fillojë. Kjo mund të parandalojë konfliktet dhe rezistencën gjatë fazave të mëvonshme të projektit.
Kjo praktikë e mirë e diskutimit të projekteve me qytetarët para planifikimit është ndjekur nga Komuna e Hanit të Elezit dhe Rahovecit, ndërsa Komuna e Gjakovës e ka në plan të fillojë nga viti 2024.
Durim Durnjani, menaxher i projekteve nga Komuna e Hanit të Elezit thotë se mbajtja e debateve me qytetarët para fillimit të projektit ka filluar të bëhet traditë për projektet që i realizon komuna.
Komuna e Hanit të Elezit ka diskutuar me qytetarët projektin për ndërtimin e parkut “Isa Berisha” para se të fillojë projektimin e tij. Në këtë takim që kanë qenë të pranishëm 28 persona, janë parashtruar kërkesa të ndryshme nga qytetarët se çfarë duhet të përmbante ky park sipas tyre.
Durim Durnjani, menaxher i projekteve në Komunën e Hanit të Elezit, thotë se duke parë rëndësinë e projektit, Komuna e ka konsideruar si të arsyeshme që të organizohet debati me qytetarët.
Projekti i dedikuar personave me aftësi të kufizuar në Komunën e RahovecitShoqata “Hareja” me bazë në Rahovec është organizatë që avokon për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Kjo shoqatë ka arritur që përmes kërkesave të parashtruara në dëgjime publike, të ndikojë në inicimin dhe më pas implementimit të një projekti dedikuar për personat me aftësi të kufizuar në Komunën e Rahovecit.
Fjala është për projektin “Sinjalizimi i rrugëve për personat me aftësi të kufizuar”. Vlera e projektit në fjalë është 71 mijë e 568 euro, ku 37 mijë euro janë siguruar nga Granti i Performancës Komunale dhe 34 mijë e 568 euro të tjera janë siguruar nga buxheti i Komunës së Rahovecit.
Udhëheqësja e kësaj shoqate, Adelina Paqarizi, se kërkesa për këtë projekt ka qenë drejtpërdrejt nga ta dhe është marrë parasysh nga ana e Komunës së Rahovecit.
“Bile pa ndihmën e Komunës ne nuk kishim mujtë kurgjo me bo sepse tamon kanë qenë të përkushtuar për realizimin e kërkesave të personave me aftësi të kufizuar. Jemi shoqatë goxha serioze, funksionojmë prej vitit 2000 dhe i trajtojmë këta persona, kështu që zëri jonë dëgjohet goxha shumë” – ka thënë Paqarizi.
Drejtori i Financave në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani, ka treguar se një diskutim publik është mbajtur edhe pas përfundimit të projektit të realizuar në Komunën e Rahovecit dedikuar personave me aftësi të kufizuar.
Mbajtja e dëgjimeve publike para planifikimit të projektit nuk është një obligim ligjor për komunat, por është një praktikë e mirë që disa komuna kanë filluar ta ndjekin kohëve të fundit. Por mbajtja e dëgjimeve publike për buxhetin komunal (pjesa kryesore e planifikimeve për buxhetin komunal është kategoria e Investimeve Kapitale apo projektet), para aprovimit të tij në Asamble Komunale është kërkesë ligjore që buron nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Pra komuna obligohet që buxhetin para aprovimit ta shqyrtojë në debate publike me qytetarë.
Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara./Media Ndërtimi