“Tregtia, investimet në biznes dhe kreditë për infrastrukturë janë tri shtylla kryesore, sipas të cilave Maqedonia e Veriut mbetet e varur nga Kina”, thuhet në analizën e organizatës joqeveritare Estima, që në fokus ka analizimin e politikave të Kinës, përfshirë këtu dhe qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut.
Borxhi i jashtëm i Maqedonisë së Veriut ndaj Kinës, sipas kësaj analize, deri në fund të vitit 2022, kishte arritur vlerën e 479 milionë dollarëve, që përbën 8.7 për qind të totalit të borxhit të jashtëm publik, përkatësisht tre për qind të Bruto Prodhimit Vendor të shtetit.
Analiza e kësaj organizate nxjerr në pah se Maqedonia e Veriut vitin 2022 e ka mbyllur me 2.6 për qind investime kineze kundrejt kapitalit të përgjithshëm që ka hyrë në Maqedoninë e Veriut nga investimet e huaja.
Hulumtimi “Shpresoni për më të mirën përgatituni për më të keqen: A është Maqedonia e Veriut e ndjeshme ndaj presionit ekonomik nga Kina”, është përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit.
Ana Kristinovska, e cila drejton organizatën joqeveritare, Estima, dhe autore e hulumtimit, thotë se borxhi i Maqedonisë së Veriut ndaj Kinës është akumuluar për shkak të kredive financiare nga bankat kineze për ndërtimin e dy projekteve infrastrukturore – hidrocentralit Kozjak dhe autostradës Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër.
“Projekti me autostradën duhet të mbyllet sa më shpejt, pasi vetë shtyrja e afateve na vendos në një situatë të vështirë duke kërkuar kredi të reja nga Kina, kështu na rritet borxhi i jashtëm publik”, thotë Kristinovska. Ajo shton se Kina mund të vendosë embargo në eksportin apo importin e prodhimeve të caktuara.
Nga ana tjetër, Pranvera Kasami, drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike thotë se bizneset e caktuara preferojnë bashkëpunimin me Kinën, pasi nuk detyrohen t’i nënshtrohen transparencës.
“Nga ajo që është diskutuar deri tani, diskursi i konkludimeve shkon nga ajo se, sado joshëse mund të duken ndërhyrjet ekonomike nga Kina, ato duhet shikuar me një qëndrim shumë kritik, në veçanti sa i përket nivelit të jotransparencës, me të cilin zhvillohen dhe që i karakterizon, krahasuar me transparencën dhe monitorimet e strukturuara që zbatohen sa u përket investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike me vendet e perëndimit”, thotë ajo.
Sipas Kasamit, kjo paraqet një indikator të theksuar për rrezikshmërinë nga rritja e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, prandaj thotë se kjo kërkon më shumë vëmendje:
“Një vëmendje e shtuar i duhet kushtuar çdo lloji të marrëveshjeve dhe shkëmbimeve ekonomike, për të arritur shmangien e një sërë efekteve negative zinxhirore, në veçanti në një kohë si kjo, kritike, për Maqedoninë e Veriut – qoftë në aspektin politik, atë diplomatik, madje edhe atë ekonomik”.
Ndikimi ekonomik i Kinës lehtësisht mund të shtrihet edhe në politikë./Media Ndërtimi