Importi i veturave elektrike në Kosovë nuk është në ritmin e importit të veturave me djegie të brendshme. Destinacioni kryesor prej nga vijnë këto vetura me djegie të brendshme është Gjermania. Janë me qindra autosallone që shesin vetura të përdorura, së paku 10 vjet më të vjetra sesa data e importit.
Ligji për Automjete ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Ky ligj po ashtu ndalon importimin e makinave që nuk plotësojnë standardin Euro 4, për mbrojtje të ambientit nga lirimi i gazrave dhe grimcave PM. Euro 4 është një nga standardet, që kategorizon veturat që janë të prodhuara nga viti 2006 dhe gjatë lëvizjes me naftë nuk liron më shumë se 0.25g/km okside të azotit, teksa në lëvizje me benzinë nuk liron më shumë se 0.08g/km okside të azotit.
Përkundër neneve të këtij ligji që synojnë ta parandalojnë emetimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë, nuk ka asnjë nen që bën dallimin për importin e automjeteve “të gjelbra”. Ato i nënshtrohen procedurave sikur automjetet me djegie. Veç një dipozitë përmendet aty, ku thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mundet që të ndryshojë procedurat e regjistrimit dhe kostove për mjetet motorike elektrike dhe hibrid.
Momentalisht, në Kosovë, importi i një veture elektrike është i njëjtë me importin e një veture që djeg naftë dizel apo benzinë.
Nëse importohet veturë elektrike e re, dogana do të kushtojë 10% e vlerës totale të produktit, në këtë rast të veturës. Këtu përjashtohen vendet e origjinës që janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) , Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian (MSA) dhe që vijnë nga Britaninë e Madhe, teksa për Turqi vlen 2%, pasi Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë me Turqinë. Kurse TVSH është 18%. Në rastin kur importohen veturat elektrike të përdorura, obligimet janë të njëjta sikur me vetura të reja, përpos që shtohet taksa e akcizës. Akciza është tatim, i cili vendoset pasi ai produkt ka kosto shtesë për qytetarët dhe nuk është esencial, sikur mund të ketë kosto shtesë në dëmtim të ambientit. Por, veturat elektrike, edhe pse nuk lirojnë asnjë gaz dhe asnjë grimcë në ajër, në Kosovë duhet të paguajnë.
Akciza ppër automjete deri tetë vjet të vjetra paguhet 400 euro për njësi, deri nëntë vjet paguhet 600 euro dhe deri në 10 vjet paguhet 700 euro.
MPB s’ka kthyer asnjë përgjigje në pyetjet e K2.0 në lidhje me ndonjë nismë për ndryshime. Njëjtë, përgjigje nuk ktheu as Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MIT), që ka në supe ndryshimin e këtij ligji.
Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku futet edhe transporti rrugor, është diskutuar që veturat elektrike të trajtohen më ndryshe nga veturat me djegie të brendshme.
“Ministria e Infrastrukturës është duke punuar që të rregullojë një ambient ligjor më të mirë për importim të veturave elektrike, që me i stimulu qytetarët. Janë duke pa çka ka bërë rajoni dhe si ta bëjmë ne më mirë”, tha për K2.0 deputetja Fitore Pacolli, e cila udhëheq këtë komision parlamentar.
Rajoni në këtë pikë ka ecur shumë kohë më përpara. Në vitin 2020, Shqipëria vendosi ta hiqte pagesën e TVSH për import të veturave elektrike. Në vitin 2017, në Maqedoninë e Veriut pati një zvogëlim nga 18% në 5% të TVSH për veturat elektrike që importohen. Në Serbi, qytetarët që do të blejnë vetura elektrike do të subvencionohen deri në një masë të çmimit të përgjithshëm të veturës, duke ua bërë më tërheqëse heqjen dorë nga veturat me djegie të brendshme.
Veturat elektrike janë të qëndrueshme për mjedis
Synimi i qeverisë së Kosovës është që deri në vitin 2031 ta ulë emetimin e gazrave serrë për 32%.
Por, si në rastin e burokracisë në instalimin e paneleve diellore të energjisë, edhe në mbështetjen e importit të veturave elektrike, sjellja dhe përshtatja e kornizës së duhur ligjore stagnon. Përdorimi i veturave elektrike, ndonëse mund të ketë kosto të lartë investimi, ka ndikim të madh në uljen e ndotjes së ajrit dhe emetimin e gazrave serë në atmosferë. Ndryshe prej makinave që përdorin lëndë djegëse si nafta dhe benzina.
Numri i mjeteve motorike të regjistruara në Kosovë — nga veturat e deri tek kamionët me rimorkio — ka pasur trend rritës vazhdimisht. Përderisa në vitin 2016 numroheshin afro 320,000 mjete motorike, prej të cilave mbi 260,000 vetëm vetura, në vitin 2023 sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës numërohen mbi 460,000 mjete motorike, prej të cilave afro 369,000 vetura.
Një publikim i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2023, thotë se transporti ka një rritje vjetore prej 4.4% në ndotje të ajrit në Kosovë dhe rritja në motorizim shënohej 80% në periudhën 2010-2020.
Për 100 kilometra në qytet, një makinë që djeg naftë shpenzon mesatarisht 8 litra. Nga kjo djegie lirohen 21.4 kg CO2. Ndërkohë një makinë që djeg benzinë, për 100 kilometra në qytet shpenzon mesatarisht 10 litra benzinë. Nga kjo djegie, lirohen 19.36 kg CO2.
Por, makinat elektrike nuk emetojnë gazra serë gjatë lëvizjes. Tek veturat elektrike llogariten vetëm emetimet që i shkakton gjenerimi i energjisë, që në Kosovë, në mbi 90%, është nga termocentralet. Si rrjedhojë termocentralet llogariten të emetojnë 1 ton dioksid karboni për prodhimin e 1 MWh energji elektrike. Në një përllogaritje të tillë del se për 15 kwh mbushje, në termocentral lirohen 15kg CO2.
Autor: Uran Haxha
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.