Për të qëndruar sa më afër problematikave urbanistike në qytetet e Kosovës , ditë më parë përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës patën një takim me përfaqësuesit e Regjioneve.
Aty u diskutua edhe për Statutin e këtij Asociacioni.
Sipas Kryetarit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës Masar Dushi, takimi me përfaqësuesit e Regjioneve ishte tejet frytdhënës, pasi u vendos edhe për themelimin e një këshilli i cili do të merret me zgjidhjen e problematikave me të cilat përballen qytetet e vendit.
“Në takim me përfaqësuesit e regjioneve, bazuar në diskutimet e bëra dhe veçanërisht në Statutin e Asociacionit, u vendos që takimet e para INICIUESE, që do të mbahen gjatë muajit tetor, të fillojmë me regjionin e Gjakovës. Poashtu në këtë takim është diskutuar për nevojën e domosdoshme të këtij këshilli, për çka e patëm dakordimin e të gjithë pjesmarrësve. Kjo ngase përmes këshillit jemi më afër me problematikat përkatëse në fushën e planifikimit hapësinor, hapësirave publike, urbanistikës, arkitekturës në kontekst, dhe iniciativave konkrete lokale për lokacione dhe objekte të ndjeshme si Investim Kapital”.
Dushi foli edhe për vendimin e kryetarit të Prishtinës Përparim Rama, për themelimin e shërbimit “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Sipas Dushit një iniciativë e tillë është e mirëseardhur.
“Zyra e arkitektit ka qenë iniciativë e kaherëshme e Asociacionit të arkitektëve të Kosovës. Prandaj e falenderojmë shumë dhe i jemi shumë mirënjohës Kryetarit të Kryeqytetit Z.Rama, për realizimin e Zyrës së arkitektiit të Kryeqytetit.Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës përkrah në plotni themelimin e Zyrës së Arkitektit të Kryeqytetit. Arkitekti i qytetit, në proces e sipër, mendojmë të jetë si një zyre konsulente, në kuadër të kabinetit të Kryetarit, për adresimin dhe zgjidhjen e problematikave kyqe të Kryeqytetit, në fushën e arkitekturës, urbanizmit, infrastrukturës, rrjetit rrugor, komunikacionit etj, si dhe në rritjen, avansimin dhe tërheqjen e turizmit në zonën urbane dhe rurale të Komunës së Prishtinës. Diçka si në të gjitha Kryeqytetet simotra në rajon dhe ato evropiane” thotë Dushi.
Dushi shton se iniciativë për krijimin e “Arkitektit të Qytetit” duhet të ndërmarrin edhe komunat e mëdha të shtatë regjioneve të Kosovës.
“Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, i fton të gjitha komunat, sidomos ato kryesoret të 7 Regjioneve, dhe njëherit i bënë apel Kryetarëve të Komunave që ta trajtojnë këtë iniciativë shumë të shëndoshë dhe shumë të domosdoshme në kontekstin e kohës. Vlen të theksohet me kënaqësi se kemi informacione se Komuna e Gjakovës veq ka ndërmarrë një iniciativë konkrete për zyrën e Arkitektit”.
Dushi foli edhe për prioritetet kryesore të këtij asociacioni, ku tha se primare e kanë themelimin e Odës së Arkitektëve të Kosovës.
“Kemi përkushtim maksimal lidhur me rrjedhën drejt themelimit dhe funksionimit të Odës së Arkitektëve të Kosovës, dhe me bindjen e plotë them se ne si Asociacion duhet të ishim në krye të kësaj rrjedhe. Tani pasi e kemi Draftin e Udhëzimit Administrativ, në funksion të themelimit të Odës, Asociacioni kërkojmë dhe presim bashkëpunimin konkret dhe meritor nga ana e MMPHI. Po ashtu kemi përkushtim maksimal lidhur me rrjedhën e diskutimit publik të Projektligjit mbi pagat në sektorin publik, për çka ne me kohë i kemi përcjellë shqetësimet tona tek Ministria përkatëse, dhe se mbi këtë bazë presim shumë që statusi i arkitektit, në kontekstin sindikal dhe të meritokracisë, më në fund të trajtohet me dinjitet dhe meritokraci e jo si deri më tani. Po ashtu po përkushtohemi lidhur me hartimin : MONGRAFIA 40vjeqare e Asociacionit te arkitekteve të Kosovës 1983-2023”.
Kryetari i këtij Asociacioni, Masar Dushi foli edhe për aktivitete tjera që do të mbahen ku ndër më kryesoret përmendi Bienalen e Arkitekturës 2022, ku brenda saj do të përfshihen edhe aktivitetet që nuk janë mbajtur që nga viti 2019.
Në këtë Bienale do të prezantohen punime, të cilat më pas do të vlerësohen nga arkitektë rajonal dhe ndërkombëtar./Media Ndërtimi