Lëndimet e marra në vendin e punës, gjatë vitit 2018, një qytetar i Kosovës, do t’i vuaj gjithë jetën.
Megjithëse ai kishte arritur pajtim me kompaninë që punonte, që t’i kompensoheshin lëndimet me shumën prej 5 mijë eurove, ai tregon për sfidat që kishte pasur.
31-vjeçari nga rajoni i Dukagjinit, i cili nuk ka dashur të identifikohet, ka treguar se ka punuar në sektorin e ndërtimtarisë dhe se një ditë duke punuar, ka prerë gishtat e dorës, raporton Kallxo.com.
Ai rrëfen se fillimisht pronari i kishte kërkuar që të mos tregonte se lëndimet i kishte marr në vendin e punës.
“Gjatë rrugës, pronari i kompanisë më thërret në telefon dhe më thotë që të mos tregoj që i kam prerë gishtat në punë dhe të them se e kam bërë nga pakujdesia.” – thotë 31-vjeqari.Ai tutje ka rrëfyer, se rastit i ka shkuar deri në fund, porse nuk është edhe i kënaqur me procesin si ka shkuar në tërësi.Për lëndimin e tij nuk ka një rast penal ndërsa çështja është përfunduar vetëm në procedurë civile ku punëtori ka marrë një kompensim dëmi.
“Vazhdova për vite me radhë të kërkoj drejtësi, dhe në fund u dorëzova ngase çdo gjë drejtësia po e kthente në favor të tyre e jo në favor të viktimës” – shton ai.
Dosja në rast nuk ishte hapur në polici dhe kjo konfirmohet nga përgjigja zyrtare e Policisë së Kosovës.
“Duke u bazuar në të dhënat nga Stacioni Policor …, sa i përket rastit në fjalë gjatë periudhës kohore Janar 2018, nuk kemi te regjistruar asnjë rast penal; Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës” apo edhe ndonjë shënim zyrtare që ka të bëjë me lëndim në punë lidhur me personin e apostrofuar më lart” – thuhet në përgjigjen e policisë.
Të dhënat e trajtimit të rastit në faza të tjera tregojnë që 31-vjeçari kishte arritur një marrëveshje gjyqësore e cila sipas viktimës ishte arritur për shkak të pritjeve të gjata.
Ju njoftoj se paditësi .., ka iniciuar padi për kompensim dëmi ndaj kompanisë … në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Me datën 11 nëntor 2019, në seancën përgatitore, ndërgjyqësit kanë arritur pajtim gjyqësor dhe Gjykata me aktvendim, e ka aprovuar pajtimin gjyqësor të lidhur në mes të paditësit … dhe të paditurës …., për shkak të kompensimit të dëmit në shumë të përgjithshme prej pesëmijë e dyqind e pesëdhjetë e tetë (5,258.00) Euro” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Në bazë te të dhënave zyrtare të Inspektoratit të Punës nga viti 2016 deri në vitin 2021 janë raportuar 787 aksidente në vendin e punës në të cilat kanë vdekur 141 punëtorë.
Të dhënat statistikore tregojnë që në tre vite në sistemin gjyqësor kanë qenë duke pritur për zgjidhje plotë 11,834 lëndë, ndërkaq me vendim gjyqësor janë gjykuar vetëm 35.6% e tyre apo vetëm 4,215 raste të kontesteve të punës.Këto të dhëna tregojnë që punëtorët nuk kanë arritur të marrin përgjigje për paditë e tyre./Media Ndërtimi.