Connect with us

Infrastrukturë

Kushte të dobëta për banim në shtëpinë e dytë të studentëve në Prishtinë

Published

on

Mungesa e ujit të nxehtë, papastërtia në banja, mungesa e internetit të rregullt, janë disa nga problemet që hasin në përditshmëri studentët e Universitetit të Prishtinës që banojnë në konviktet në Prishtinë.

Qendra e Studentëve në Prishtinë ka tetë konvikte me kapacitet për 3.865 studentë.

Financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga të hyrat vetjake që paguajnë studentët.

Buxheti vjetor i Qendrës për vitin 2023, i ndarë nga shteti i Kosovës, është rreth 5.4 milionë euro.

Në këtë qendër mund të jetojnë studentët e rregullt të studimeve bazë nga komunat të paktën 25 kilometra larg Prishtinës, të cilët e kanë mesataren mbi 9.00.

Por, studentët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, nuk janë të kënaqur me kushtet të cilat i ofron kjo qendër.

Konvikti numër 5 po cilësohet si një nga më të vjetërit dhe me kushte më të dobëta.

Studentja Floriana Alija, e cila jeton në këtë konvikt, thotë se fakti që të gjitha vajzat ndajnë banjë kolektive e bën më të vështirë menaxhimin e saj.

“Pastrohen, por vetëm një herë, më së shumti dy herë në javë. Korridoret po ashtu nuk pastrohen, kur hynë në katin e parë, e sheh që nuk është diçka në rregull se vjen shumë erë e keqe prej banjave. Ndriçim nuk ka në banja… janë munduar për t’i rregulluar pak, edhe dyert nuk mbylleshin, shumica e dyerve të banjave nuk mbyllen fare”, u shpreh 21-vjeçarja për Radio Evropa e Lirë.

Edhe studentja E.Ç, e cila po ashtu banon në konviktin numër 5, përveç shqetësimit për mungesën e higjienës në banja, u ankua edhe për internetin jo të rregullt, pasi kjo i paraqet vështirësi për të kryer angazhimet universitare.

“Uji i nxehtë në banja që nuk është 24/7, por është prej orës 08:00 deri në 17:00 më duket”, u shpreh 18-vjeçarja për REL-in.

Studentët tregojnë se në raste kur ka mungesë të internetit, që sipas tyre ndodh shpesh, detyrohen që të abonohen në pako interneti mobil, ndërsa gjatë kohës kur nuk ka ujë të ngrohtë, pavarësisht situatës urgjente, ata duhet të presin deri në ditën e nesërme.

Në anën tjetër, këto pretendime i mohon drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.

“Për pastërti unë jam i sigurt dhe me masa 100 për qind i demantoj, sepse pastërtia është diçka që shihet, dhe ne kemi kompani e cila është e kontraktuar, e cila ku janë banjat kolektive, nëpër korridore, kompania është e obliguar t’i pastrojë. Ku janë dy dhoma që e kanë një banjë, studentët janë të obliguar ta pastrojnë atë dhe ne u japim mjetet higjienike…. [Banjat pastrohen] çdo ditë, madje edhe të shtunën. Vetëm të dielën nuk punojnë pastruesit, punëtorët e higjienës”, thotë Sfishta për REL-in.

Ai thotë se jetesa në konvikte është e përballueshme sa i përket çmimit, me 20 euro për akomodim dhe 15 euro për mensë.

Çmimi jo i lartë i konviktit është pikërisht njëra nga arsyet pse studentët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë kanë vendosur të jetojnë në të.

“E kemi më afër fakultetin, dhe që është edhe më lirë se banesat”, thotë studentja nga Deçani, Leontina Cacaj.

Studentët kanë mundësinë e paraqitjes së ndonjë ankesë ose kërkese përmes një kutie, ku ata mund të shprehin pakënaqësitë e tyre në mënyrë anonime apo publikisht.

“Sigurisht që çdo kërkesë, çdo shqetësim i çdo studenti ne e marrim seriozisht, e shqyrtojmë edhe nëse ka mundësi i bëjmë zgjidhje. Nëse nuk ka mundësi, studentin në fjalë e ftojmë dhe i tregojmë pse nuk ka mundësi që të mos realizohet”, thotë drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.

Mirëpo, për dallim nga pohimet e drejtorit të qendrës se kushtet në konvikte janë të favorshme për të jetuar, banorët kanë vështirësi të jetojnë me probleme të tilla./Media Ndërtimi.

Infrastrukturë

Drejtuesit e ndërtimit përcaktuan udhërrëfyesin për dekarbonizimin e industrisë

Published

on

Gati 100 udhëheqës të industrisë së ndërtimit nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia raportohet se kanë kontribuar në zhvillimin e një udhërrëfyesi të industrisë për të dekarbonizuar zinxhirin e vlerës së ndërtimit në një raport të ri të kryer nga Shell dhe Deloitte, të quajtur “Dekarbonizimi i ndërtimit: Ndërtimi i rrugës përpara”.

Raporti ofron një vlerësim të zinxhirit të vlerës së emetimeve të sektorit të ndërtimit dhe heton madhësinë e emetimeve nga ‘karboni i mishëruar’. Për më tepër, raporti ofron një analizë të detajuar të barrierave ekonomike, rregullatore dhe organizative që ndikojnë në aftësinë e sektorit për të dekarbonizuar.

Për të inkurajuar përparimin në të gjithë industrinë, raporti paraqet një udhërrëfyes drejt dekarbonizimit, i cili përmban 15 zgjidhje që industria duhet të miratojë për të arritur zero neto. Këto zgjidhje janë zhvilluar së bashku me drejtuesit e industrisë dhe theksojnë rëndësinë e shkallëzimit të zgjidhjeve ekzistuese dhe bashkëpunimit nga palët e interesuara në të gjithë zinxhirin e vlerës për të zhvilluar zgjidhje të reja./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Infrastrukturë

Hapet tenderi për ndërtimin e çerdhes në Godanc të Shtimes

Published

on

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se tashmë kanë filluar procedurat për ndërtimin e çerdhes në Godanc të Shtimes.

Ky institucion edukativ, përveçse do t’iu shërbejë fëmijëve për zhvillim e parapërgatitje për arsimim, do t’ua lehtësojë edhe prindërve mundësinë që të punojnë.

“Investimet në sistemin arsimor do t’i shtojmë edhe më shumë sepse janë të domosdoshme dhe në këtë drejtim e kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.”, deklaroi kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Infrastrukturë

Miratohet projektligjin për kredinë për projektin e Ngrohtores Solare të Prishtinës

Published

on

Qeveria e Kosovë ka miratuar sot Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin e Ngrohtores Solare të Prishtinës, në mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryeministri Albin Kurti tha se vlera e huazimit të kësaj marrëveshje është 23.2 milionë euro, raporton Kallxo.com.

“Kjo marrëveshje do të shërbejë për të siguruar kapacitete shtesë të energjisë termike dhe për zgjerimin e rrjetit të ngrohtores së qytetit të Prishtinës.

Vlera e huazimit është 23.2 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” – tha ai.

Ndërsa, prezantimin para kabinetit qeveritar e ka bërë ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Kosova ka potencial të madh për prodhimin e energjisë nga panelet diellore, në këtë rast përdorimi i energjisë diellore për furnizimin me energji termike ndikon pozitivisht edhe në ekonomitë familjare” – tha Murati.

Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do përdorë panelet solare për ngrohje të shtëpive.

Qeveria sot po ashtu ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë dhe Projektit ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut Sh. A.) dhe KfW, Frankfurt Am Main(kfW”) për Projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII-Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se kjo marrëveshje parasheh huazim prej 25.5 milionë euro.

“Kjo marrëveshje parasheh huazimin prej 25.5 milionë euro nga KFW që do të nënhuazohet tek KOSTT për realizimin e projektit që ka për qëllim përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë”, tha kryeministri Kurti./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending