Mimoza Rraci është rritur në një qytet plotë vlera, traditë e kulturë. Ajo ka shtëpinë në Çarshinë e Vogël të Gjakovës. Aty ka kaluar gjithë ditët e karantinimit për t’u ruajtur nga koronavirusi COVID-19.
Rrëfim nga Uran Haxha
Përkundër shumicës që e vajtonin hyrjen në karantinë, Mimoza nuk e kishte pritur edhe keq.
“Duke mos e ditur saktësisht periudhën që do të qendronim në karantinë nuk është që e mora me të keq lajmin, e mendoja si ‘arsyetim’ të mirë për t’u relaksuar e për t’i dhënë ndoshta vetes edhe kohë për të reflektuar”, rrëfen piktorja gjakovare, që në fillim ishte kthyer në një person pasiv në karantinë, por shpejt nisi të kthehej në Mimozën e ‘vjetër’, atë aktive.
Ajo s’ka lënë gjë pa e prekur me brushë. Nëse figurativisht noton mbi ujërat e rrjeteve sociale të Mimoza Rracit, ti sheh se çka bën ajo me brushën e saj. Nëse ke hapur bërthamën e pjeshkës në mes, mos e hedh, jepja Mimozës dhe sheh se ç’bën. Apo ndoshta edhe një copë fasade nëse ka rënë në ndonjë mur të vjetër, ajo e sheh artin edhe në ato harqe e hapësira të thepisuna, që t’i shndërrojë në diçka të bukur. Për pjatë apo ndonjë mur të pastër të bardhë, mos të flasim.
Mimi, sikur e thërrasin të afërmit, tregon edhe vet se në momentin që fokusohet në punë, mendja i humb ndoshta në një ngjyrë a vijë.
“Është e çuditshme se si për një periudhë të caktuar kohore me flen në zemër më shumë vetëm të pikturoj. E humb veten mbas çdo vije e çdo ngjyre, e mundem rastësisht të nesërmen të zgjohem me dëshiren që të gjej diçka jashtë përdorimit në shtëpi e t’i shtoj pak material të ri e pak punë dore edhe sjellë diçka të re prej saj dhe e mendoj me vete sa shumë e pëlqej kur e punoj këtë lloj, e pas ca javësh me ditë të tëra pikturoj vetëm në mure, e dashuroj gjithë atë rezultat në fund. Në periudha të caktuara dua punë të caktuara, ama t’gjitha i dua njësoj”, rrëfen plot emocion mbi artin.
Shtëpia e saj nuk ka veç një kat. Kështu që të lëvizësh kateve, shkallët kanë pushimoret e tyre. Ditë pas ditë ajo gjithë jetën ka ecur atyre shkallëve. Në mes dy kateve, aty ishte vendi ku do të krijonte një vepër që të gjithë e pëlqyen. Lloj skulpture të kapur në mur e të ngjyrosur, apo po pëlqej t’i them “pikturë 3D” në kuptimin e plotë të fjalës tridimensionale, që po e bënte për herë të parë.
“Pasiqë ishte hera e parë, e mora me shumë rezerva. E vetmja përparesi ishte që nuk e kisha trysninë e kohës e edhe më mir që po e bëja në shtepinë time, e duke mos pasë asnjë stres mbi vete nuk i kam ndjerë vështirësitë”.
https://www.facebook.com/mimozaartwork/videos/837585116730932/?__xts__[0]=68.ARBYQSQhUIAzgeh_McckxFvB331SLwaWOi59do3ZKcnSvHSMx2Pw8QhuT3Z3jfx6vXmmqE_LKMyErdg7-vK_TFGeTlmGZtpiHgDiKHjgi5soxoTV8qZUqPwUM9ebVde3S8vBpwjvgttN2EUL0MTwhbIBDdii3ZXRFQs2vSrT9GMFvYxGlT-gqD75cks1woM0eQasEjgCLBtKMZIAtRVBC6hYG-IcuMRfNbZgqz_FEqUXdM714pGeBg3IW-qZfXkQH5CF22a0TOufGKIpK33CAqTowDEsvd7PR0aV8U-W_c4Vvw0hGgR_gHHvEAtHAsQri3LjNr1egapB2EPXQcM2X87Ngt0NtaRj6bMk4w&__tn__=-R
Fytyrë s’sheh dot në këtë pikturë tridimensionale. Ajo është e mbuluar me lule. Pra, ke përpara një zonjë me fytyrë të mbuluar me lule, që ka pshtetur mjekrrën në trinën e mbrëndshme të shuplakës. Gishtat në ritëm të njëpasnjëshëm duket se i lëshon pranë veshit, mu aty ku bën me gjeste në momentin që je nervoz dhe i thua dikujt “a je normal?”.
Kush nuk do të donte që në shtëpi të kishte diçka të tillë. Një kryevepër, që do të tërhiqte gjithkë pranë saj. E që do të lidhte fëmijët e asaj shtëpie me artin që në gjenezë. Kur i fut të gjitha llogaritë, një shtëpi pa art, është si pa jetë. Këtu pohon edhe Mimoza.
“Një shtëpi pa asnjë pikturë a shije arti kish me u dukë shumë e zbrazët e me mure një-ngjyrëshe që s’thonë asgjë, e për mua kish me qenë e pabanueshme”.
Arti i Mimozës mund të haset gjithkund. Aftësia që të adaptojë secilën hapësirë si fushëveprim të kombinimit të ngjyrave, atë e vendos në një piedestal tjetër. Asgjë nuk përjashtohet nga ajo, as veshjet, as edhe një valixhe e rrobave.
Jeta është më e bukur me ngjyra, por ndoshta nuk vërehet deri sa të mungon ajo që bën çdo ditë. Edhe këto ditë karantine e kanë bërë Mimozën ta vlerësojë gjithçka të zakonshme të ditëve tjera, përfshirë edhe punët e mundimshme.
“Tash që jemi lodhë edhe duke i numëruar ditët e karantinës, nuk jam lodh tu i numëru të mirat e bekimet qe i kam në jetë, jo se s’i kam ditur, por nganjëherë nuk kemi kohë t’i kujtojmë e mendojmë. Nganjëherë një gjendje jo shumë e mirë më bën të reflektoj për të kundërtën, e menzi pres që t’i kthehem punëve të shumta që po më presin jashtë mureve të shtëpisë, punimeve të mia tash do të ju shtoj edhe nga nji copë jetë, jetët e t’gjithë atyre që këtë pandemi nuk e perballuan!”, përfundoi Mimoza Rraci, emri të cilin s’duhet ta harrojmë./ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login