Një pjesë e hapësirës së gjelbër përreth Piramidës në kryeqytet është transformuar në një kantier ndërtimi për ngritjen e strukturave të reja në formë kubash prej betoni. Rivitalizmi i kësaj parcele, në zemër të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do të përfundojë në tetor. Kur gjithçka të jetë gati, afro një e pesta e gjelbërimit do të jetë zhdukur.
Pak metra më tej, kulla e re “Downtown One Tirana”, 140 metra e lartë, projekti i së cilës u miratua në 2018-n, ka rrëmbyer pjesën qendrore të parkut ikonik të Tiranës së viteve ’70, i ashtuquajturi “Lodrat e Elbasanit”, raporton Citizens Channel,
Të dyzet katet që do të ngrihen mbi një sipërfaqe prej 8 ha do ta shndërrojnë këtë hapësirë, historikisht të qetë, në një territor me densitet të lartë urban.
Një tjetër hapësirë me përmasa të ngjashme, e njohur si ish Parku i Autobuzëve, një nga më të mëdhatë që kishte mbetur e gjelbër, u shkëmbye në vitin 2017 me një leje ndërtimi e cila mundësoi aty ngritjen e një kompleksi pallatesh shumëkatëshe.
Më herët, në 2015-n, një shumëkatësh i ri, me fasadë tërheqëse, rrëmbeu disa hektarë gjelbërim në krahun verilindor të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës. Në vazhdim, të tjera sipërfaqe të gjelbra të këtij parkut po shndërrohen në troje ndërtimi për ngritjen e disa qindra apartamenteve të reja.
Vitin e shkuar (2021) në Tiranë, autoritetet miratuan një sipërfaqe ndërtimi për ndërtesa të reja 8 herë më e madhe, krahasuar me sipërfaqen e miratuar në vitin 2016: vitin e fundit përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor (TR 030). Në tre vitet e fundit, sipërfaqja e miratuar në Tiranë arriti në 4.2 milionë m2. Ende nuk është e qartë se në ç’raport mes tyre do të jenë sipërfaqet e betonizuara me ato natyrore pas realizimit të ndërtimeve.
“Problemi fillon tek legjislacioni”, – shprehet urbanistja Doriana Musai, një kërkuese shkencore e re, e cila po dokumenton efektet zhvillimore të Planit të Përgjithshëm Vendor TR 030. “Sepse termi sipërfaqe e gjelbër nuk ekziston në legjislacionin planifikues. Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) ka përcaktuar vetëm hapësira publike, duke nënkuptuar përfshirjen brenda saj edhe të sipërfaqes së gjelbër, por legjislacioni nuk specifikon përmasat fizike të këtij gjelbërimi, apo mënyrën sesi do të krijohet ai. Kjo paqartësi, shpesh kjo përplasje, mes hapësirës dhe gjelbërimit, krijon mbivendosje të njërës ndaj tjetrës, si dhe nxit mundësinë për spekulime në praktikë. PPV-ja njeh vetëm përqindjen e hapësirës publike që duhet respektuar në një zonë ndërtimi, por nuk specifikon raportin mes elementëve përbërës brenda saj, si psh., trotuaret, kalimet e makinave, shtigjet e kalimtarëve, parqet etj., madje as madhësinë fizike të parqeve brenda kësaj hapësire”, deklaroi Musai.
Përpjekja e autoriteteve për të nxitur një zhvillim të shpejtë, duke propaganduar virtualisht, nën maskën e një kurore të gjelbër imagjinare Tiranën, vazhdon të tërheqë rezidentë të rinj. Por ne nuk dimë se çfarë do të bëjnë ata dhe pasardhësit e tyre të afërt, jo shumë larg prej këtej, kur të kuptojnë se po jetojnë në një qytet të bardhë betoni./Media Ndërtimi.