Autori Dritan Çoku nëpërmjet këtij studimi monografik është munduar të na jap thjesht dhe qartë këtë gjini ndërtimore me emërtimin “Kullat e sahatit në Shqipëri” – historia dhe arkitektura.
Prej kësaj pune kërkimore mësojmë se në Shqipëri janë ndërtuar kulla sahati në njëzetë e një qytete.
Të mbërritura në ditët e sotme, të plota arkitektonikisht, janë njëmbëdhjetë kulla sahati, ndërsa një është në trajtë rrënoje.
Prej këtyre dymbëdhjetë që ekzistojnë sot, njëmbëdhjetë kanë statusin juridik “monument kulture” të kategorisë së parë dhe mbrohen nga ligjet e shtetit shqiptar, ndërsa njëra, pjesë integrale e arkitekturës së bashkisë së qytetit të Durrësit, nuk e gëzon këtë status.
Kjo gjini monumentesh ka historinë e saj arkitetonike, pra gjatë jetës së saj ajo ka evoluuar e ndryshuar në periudha kohe, duke u përshtatur me zgjidhjet e reja në funksion të ndryshimeve për matjen e kohës nga ajo me tingull në atë me fushë pamje dhe tingull.
Studimi “Kullat e sahatit në Shqipëri” na bën me dije se si matej koha në formën e saj më primitive, me anë të Diellit, rërës, vajit dhe ujit, deri në matjen e kohës me orë me tingull dhe fushë pamje dhe tingull.
14 vite punë voluminoze kërkimore për të sjellë para lexuesve monografinë “Kullat e Sahatit në Shqipëri”.
Ideja nisi si një dëshirë për të dokumentuar kullat e sahatit në trojet shqiptare, por më pas gjithçka u materializua në një monografi me rreth 500 faqe, ku përmes qindra fotove dhe materialeve të nxjerra nga arkivat autori Dritan Çoku realizoi një vepër, ndoshta e vetmja në llojin e saj./Media Ndërtimi.