Produktet e plastikës, sidomos, konsiderohen të dëmshme për mjedisin, sepse shndërrohen në mikroplastikë dhe jetojnë gjatë, duke kërcënuar kështu botën e egër dhe përhapur toksina.
Për t’i reduktuar sadopak ato, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa.
Nga shtatori i vitit 2023 i ka bërë me pagesë qeset e plastikës, ndërsa në shkurt ka publikuar thirrjen për themelimin e Administratorit për Sistemin e Rimbursimit të Depozitave, i cili do t’i marrë nën menaxhim mbeturinat e plastikës, qelqit dhe aluminit.
Kjo thirrje i paraprin fuqizimit të një udhëzimi administrativ për rikthimin e depozitave, që pritet të ndodhë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Si do të funksionojë udhëzimi administrativ?
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, thotë për Radion Evropa e Lirë se konsumatorët që blejnë produkte në shishe të plastikës, të qelqit apo në kanaqe, pas përdorimit, do të mund ta kthejnë ambalazhin e tyre.
Në këmbim, ata do të marrin një shumë të caktuar parash.
Sipas Rakës, fillimisht është menduar që çmimi për të gjitha shishet dhe ambalazhet nga 250 mililitra deri në dy litra, të jetë pesë ose dhjetë centë.
Sipas ekspertëve, riciklimi i mbeturinave të plastikës redukton mbetjet që groposen, zvogëlon ndotjen, ruan burimet natyrore e të tjera.
Në Kosovë operojnë pesë deponi sanitare, që funksionojnë nën Kompaninë për Menaxhimin e Deponive.
Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka paralajmëruar në fund të janarit se “në përputhje me strategjinë e re të mbeturinave, që e ka për synim riciklimin, do të fillojë ndërtimi i qendrave të riciklimit nëpër të gjitha rajonet e Kosovës”.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se kur të do të fillojë ndërtimi i tyre./Media Ndërtimi