Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit po synon që me anë të një kredie nga Banka Botërore të planifikojë ndërtimin e digave në rajonin e Gjilanit, në mënyrë që të përmirësohet gjendja e furnizimit me ujë dhe të evitohet kriza e thatësisë në këtë komunë. Ministria i ka thënë Gazetës Express se nëse kredia e Bankës Botërore aprovohet ajo do të jetë në vlerën e 51.1 milionë euro dhe do të implementohet në një periudhë pesë vjeçare.
Komuna e Gjilanit është goditur nga thatësia e madhe vitin që shkoi, duke bërë që niveli i pellgut të Përlepnicës që furnizon këtë qytet me ujë të bie në nivele alarmante.
Banorët e komunës së Gjilanit tash e një kohë janë duke u përballur me reduktime të ujit dhe i vetmi furnizim është nga puset e hapura në disa pjesë të qytetit nga komuna.
Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku në fillim të muajit shkurt ka deklaruar se është takuar me zyrtarë të Bankës Botërore dhe janë dakorduar që marrëveshja për kredit të përshpejtohet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit i ka thënë Gazetës Express se nëse kredia prej 51.1 milionë euro aprovohet, atëherë 29 milionë dollarë do të destinohen për Investimet Katalitike në Pellgun Morava e Binçës.
“Në aspektin e përmbajtjes, projekti në fjalë sipas Dokumentit Vlerësues për Kredi të projektit FLOWS përbëhet nga dy komponente themelore në vlerë të përgjithshme prej 51.1 Mil.Euro dhe atë: Komponenti 1:Masat themelore per sigurine e ujit(US$ 22.1 Milion,nga te cilat IDA US$ 11 Mil. Dhe EU IPA Grant € 10 Mil). Komponenti 2:Investimet Katalitike ne Pellgun Morava e Binçës (IDA US$ 29,0 Mil)”, thanë nga ministria.
Ky propozim-projekt pritet që të shqyrtohet në muajin maj 2020 nga ekspertët e Bankës Botërore.
“Më konkretisht, në kuadër të të këtij propozim-projekti, i cili është në fund të fazës përgatitore të hartimit të dokumentacionit nga ana e ekspertëve të Bankës Botërore të kërkesës së projektit “FLOËS” për kredi në Bankën Botërore, e cila pritet të shqyrtohet në muajin maj 2020”, kanë deklaruar zyrtarë të MIA.
Propozim-Projekti përfshinë disa investime në resurset ujore me theks të veçantë në komunën e Gjilanit.
“Projekt propozimi përfshinë: Plani nacional i investimit për resurset ujore të Kosovës, Plani i Menaxhimit të Pellgut Morava e Binçës, Përmirësimin e zhvillimit të furnizimit me ujë në zonën e menaxhuar nga KRU “Hidromorava” Gjilan, Studime e vlerësime inxhinierike të Hidro Sistemit “Kikë-Kremenatë”/Kamenicë, ngritje të kapaciteteve meneaxhuese në nivelin nacional me resurse ujore, përkrahje e Institutit Hidrometologjik të Kosovës në konsulencë dhe instalime të pajisjeve matëse”, thuhet në përgjigjen e MIA-së.
Zyrtarë të ministrisë kanë thënë se “nëse projekt-kredia aprovohet në maj 2020 faza e zhvillimit të projektit është dizajnuar sipas propozimit të Bankës Botërore për 60 muaj(5-vite), pra 2021-2026”.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se si komunë janë të përfshirë në propozim-projektin e ministrisë për zgjidhjen e problemit të ujit.
”Siç edhe jeni në dijeni Ministri Abdixhiku veç ka filluar takimet me Bankën Botërore lidhur me zgjidhjen e problemit të ujit në regjionin e Gjilanit, ku direkt në këtë aktivitet jemi të përfshirë edhe ne si komunë dhe konform planifikimeve, investimet janë të orientuara në krijimin e mundësive të reja e të qëndrueshme në zgjidhjen e problemit me furnizim me ujë”, ka thënë
Ismajli ka thënë se planet e komunës janë në fazën e fizibilitetit.
“Sa i përket planeve tona, ne jemi në fazën e fizibilitetit dhe orientimet tona janë lumi Llapushnica që gjendet në Komunën e Gjilanit, tjetra është nga burimet që vijnë nga Kremenada e Kamenicës dhe burimi tek Shushët e Vitisë, dhe pasi të nxjerrim konluzionet finale do përcaktohemi për mundësinë më të mirë për të krijuar zgjidhje afatgjate të furnizimit me ujë”, tha Ismajli.
You must be logged in to post a comment Login