Connect with us

Aktuale

Kosova planifikon ta kalojë krizën e pandemisë me grante dhe borxhe

Published

on

Rreth 400 milionë euro me pak mund të ketë buxheti i Kosovës këtë vit, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e virusit, e në këtë kuadër shumë biznese private janë detyruar të ndërprejnë veprimtarinë e tyre.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë rreth 180 milionë euro për të ndihmuar bizneset në nevojë, kurse rreth 200 milionë euro të tjera pritet t’i hiqen buxhetit, për shkak të shtyrjes së detyrimeve tatimore. Edhe shtyrja e këtyre detyrimeve është vendosur në kuadër të pakos për të ndihmuar ekonominë e vendit.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2,3 miliardë euro.

Ku do t’i marrë qeveria rreth 180 milionë euro?

Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mjetet financiare do të sigurohen nga kursimet e buxhetit, grantet dhe kreditë ndërkombëtare.

“Të gjitha investimet kapitale, që janë paraparë me buxhetin e këtij viti do ndërpriten,” thotë Krasniqi, duke shtuar se aty ku mund të ketë nisur puna në këtë drejtim, do të vendoset masa e pezullimit në ekzekutim, për të mundësuar tërheqjen e mjeteve financiare”.

“Rreth 100 milionë euro, vlerësohen se mund të kursehen në buxhetin aktual. Një fond tjetër në ministri, mbi 25 milionë euro janë për emergjenca, edhe ato do kursehen. Pjesa tjetër do të vijë nga financimet e ofruara nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore, në formë grantesh, subvencionesh dhe kredish. Aktualisht, jemi duke diskutuar edhe mundësinë që një pjesë të realizohet edhe nga letrat me vlerë, diku rreth 50 milionë euro”, thotë Krasniqi.

Letrat me Vlerë ose Bono të Thesarit lëshohen nga Ministria e Financave sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me Vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale.

Me vetëm 1.2 miliard euro Kosova ka borxhin më të ulët në rajon. Nga kjo vlerë, më shumë se 721 milionë euro llogaritet borxh i brendshëm, kurse 409 milionë euro është borxh ndërkombëtar kryesisht ndaj Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN).

Në Ligjin për borxhet publike në Kosovë thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të bruto Produktit Vendor.

Ndihma ndërkombëtare për Kosovën

Bashkimi Evropian ka ndarë 68 milionë euro për Kosovën për t’u përballur me virusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Sipas BE-së, 5 milionë do të shkojnë për nevoja të menjëhershëm për ta luftuar COVID-19, 50 milionë për ta përballuar krizën ekonomike si dhe 13 milionë do të transferohen në buxhet të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Kosovës 1.1 milion euro për luftimin e koronavirusit.

Banka Qendrore e Republikës se Kosovës kanë pohuar se koronavirusi do të ndikojë në ekonominë e përgjithshme të vendit.

Guvernatori BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se sipas parashikimeve të këtij institucioni, gjatë këtij viti ekonomia e Kosovës do ta ndalojë zgjerimin ekonomik në rritje, prej 3.6 për qind në minus 2 deri në 4 për qind.

Pandemia do t’i kushtojë ekonomisë globale mbi 4 trilionë dollarë.

FMN dhe Banka Botërore kanë thënë se ndikimi ekonomik i koronavirusit ka dalë në pah më ashpër seç pritej.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, shumë vende të botës kanë mbyllur ose kanë zvogëluar kapacitetet e kompanive prodhuese.

Kjo ka bërë që edhe çmimet e naftës të bien në nivele rekorde.

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending