Connect with us

Aktuale

Kosova kërkon nga Serbia kthimin e koleksionit të grabitur arkeologjik dhe etnologjik

Published

on

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, me anë të një letre, kërkoi nga Muzeu Kombëtar në Beograd, Muzeu Etnografik  dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve kthimin e artefakteve të Kosovës që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi.

Kërkesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës përmes një letre përcjellëse, i dhanë mbështetje të plotë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku.

Të dy letrat argumentojnë detyrimin e Serbisë dhe institucioneve përkatëse për kthimin e këtij koleksioni bazuar në Marrëveshjet e nënshkruara që parashohin ekspozimin e përkohshëm në Beograd dhe kthimin e tij, konventën e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës, dhe pakon e Ahtisaarit që obligon Serbinë të kthej në Kosovë koleksionin në fjalë.

Lexoni më poshtë letrën e plotë të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe letrën përcjellëse nga Ministrat e Qeverisë së Kosovës në gjuhën shqipe:

 

Të nderuar,
Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnogafik i Kosovës. Ndonëse të marrura nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artifaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse.
Kam dëshirë t’ju përkujtoj detyrimin e trefishtë në raport me keto artefakte:
1. Marrëveshjet e nënshkruara mes institucioneve tona parashohin bartjen e artefakteve me qëllim ekspozimi të përkohshëm dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, pronë e së cilës janë,
2. Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës),
3. Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit te Ahtisaarit në mënyrë të prerë obligon Serbinë të kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrur përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd.
Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës. Për të realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë.
Ju falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin. Do të jem ne pritje të përgjigjes tuaj dhe mundësisë për të caktuar takimin e parë mes institucioneve tona.
Me respekt,
Ajet Leci
Muzeu Kombëtar i Kosovës
Të nderuar,
Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Z. Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar i Kosovës, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë. Pasuria kulturore e Kosovës e marrur në fund të viteve 1990 për qëllime ekspozuese, me kohë të kufizuar dhe me detyrimin për ta kthyer, vazhdon të mbahet në muzetë e Serbisë. Në radhë të parë si detyrim nga marrëveshja mes muzeve, pastaj edhe si detyrim nga Konventa 1970 e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe Plani i Ahtisaarit, Serbia duhet të kthejë artefaktet e Kosovës duke i dhënë fund një procesi veçse të stërzgjatur.
Institucionet e Republikës së Kosovës do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi. Ne e mirëpresim propozimin e tyre për të themeluar një grup të përbashkët pune mes muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare për të hartuar një plan dhe mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë. Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd, si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherit zotohemi që nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tonë.
Ju falemnderit për bashkëpunimin tuaj.
Me respekt,
Donika Gërvalla-Schwarz
Zv. Kryeministre
Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Aktuale

Si arritën të lirohen nga akuza për korrupsion Betim Reçica dhe tre zyrtarët tjerë lidhur me tenderin për Autostradën e Gjilanit?

Published

on

Prishtinë-Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime në tenderin për Autostradën e Gjilanit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u bë të martën nga gjykatësi, Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Konxheli, të akuzuarit e lartcekur lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se, fillimisht Prokuroria e ka bazuar aktakuzën në ekspertizën e ekspertit Fehmi Zena, por, më vonë palët kanë propozuar dhe dorëzuar gjykatës edhe një ekspertize të dytë.

“Gjykata më pas ‘ex officio’ ka caktuar një superekspertizë të përbërë prej tre eksperteve të pavarur, e cili është administruar. Superekspertiza ka nxjerre se operatori ekonomik “Gjoka Construstion” ka plotësuar kushtet, pavarësisht që komisioni rivlerësues e ka shpalle të jopërgjegjshëm”, thuhet në aktgjykim.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet e prokurorisë për blerjen e një veture të tipit “Audi” nga i akuzuari Reçica, gjykata ka ardhur në përfundimin se vetura në fjalë është e regjistruar në emër të vëllait të Reçicës dhe se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale të  shpëlarjes së parave.

Sipas këtij akgjykimi, shpenzimet e procedurës penale për këtë rast bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Ndërsa, pala e dëmtuar në këtë rast, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Kosova shqyrton me Poloninë mundësinë e hapjes së rrugës për importin e drithërave

Published

on

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka takuar Sekretarin e Shtetit të Polonisë për Bujqësi, Michal Kolodziejczakun.

Peci tha se me Kolodziejczakun shqyrtuan perspektivat e bashkëpunimit në disa fusha kyçe të cilat sipas tij, janë në interes të të dyja vendeve.

“Shqyrtuam si mundësi për të hapur rrugën për importin e drithërave, për të ndërtuar lidhje të forta në nivel akademik, për të ndarë njohuritë dhe përvojën në përmirësimin e cilësisë së farërave, dhe për të gjetur rrugë efikase për të rritur eksportin e produkteve të Kosovës në tregun polak dhe në zonat përreth tij”, shkroi Peci.

Më tej, ai tha se ky është një hap pozitiv për zhvillimin e bujqësisë së Kosovës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Aliu nënshkruan 10 Udhëzime Administrative që dalin nga Ligji për kadastër të pronës së paluajtshme

Published

on

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të martën në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) ka nënshkruar 10 Udhëzimet Administrative që dalin nga Ligji për kadastër të pronës së paluajtshme, raporton Ekonomia Online.Me nënshkrimin e këtyre Udhëzimeve Administrative, u tha se do t’i hapë rrugë projekteve të AKK-së, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe u mundëson gjeodetëve ta bëjnë azhurnimin e lëndëve në zyrat e tyre.

Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, se me nënshkrimin e këtyre udhëzimeve, i hap rrugë realizimit të projekteve të AKK-së.“Për një kohë shumë rekord, për 3 muaj ditë kemi arrit me i nxjerr udhëzimet administrative, me i draftu draftet finale. Me nënshkrimin e këtyre udhëzimeve administrative do të hapen rrugë për realizim e projekteve të AKK-së. Neve si Agjenci na mbete edhe një punë shtesë për nxjerrjen e udhëzuesve të punës që janë 13 udhëzues”, tha ai.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se me nënshkrimin e udhëzimeve administrative do të ndikojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Gjithashtu, sipas tij i hap rrugë shumë projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin e sistemit të kadastrit në vendin tonë.

“Është një punë e shpejt edhe efikase dhe jam i lumtur. Ligji i kadastrit është ligj me rëndësi për vendin, në veçanti ky ligj qe e kemi miratuar është një hap para drejt shumë projekteve të rregullimit të kadastrës në vendin tonë e që gjithmonë e kanë përcjell problem e telashe ne vendin tonë.  Ligji nuk do të mund të ishte i realizueshëm po të mos ishin udhëzimet administrative. Është dashtë sa më shpejt ta miratojmë ligjin që kemi pasur problem edhe në Kuvend. Këto udhëzime i hapin rrugë shumë projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin e sistemit të kadastrit në vendin tonë”.

“Këto udhëzime administrative do të ndikojnë shumë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Do të mundësoj që gjeodetët e licencuar ta bëjnë azhurnimin e lëndëve në zyrat e tyre. Të gjitha këto hapa kanë një rëndësie për shkak se kjo ndërlidhja e fushave të ndryshme me kadastrin, lidhen pothuajse të gjitha institucionet ne vendin tonë. Këto udhëzim kanë me mundësuar që ky digjitalizim që do ta bëjmë në të ardhmen të jetë sa ma gjithëpërfshirës dhe ndihmë për të gjitha institucionet”, tha Aliu./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending