Kosova i është bashkëngjitur shteteve si ShBA, Norvegji, Republika Çeke, Qiproja, Republika Domenikane e Islanda duke u bërë pjesë e Aleancës së Energjisë Përtej Qymyrit (Powering Past Coal Aliance) sot në Konferencën e OKB-së për Ndryshime Klimatike (COP28) në Dubai.
Kështu njoftoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Kosova me këtë rast përfiton mbështetje në përshpejtim të zhvillimit të energjisë së pastër, qasje në burime financiare e ekspertiza teknike, bashkëpunim në hartim e zhvillim të politikave, si dhe këmbim të informatave e praktikave më të mira, raporton Klankosova.tv.
Veç Kosovës, aderimin në aleancën globale për të hequr gradualisht prodhimin e energjisë me qymyr, sot i janë bashkuar edhe Shtetet e Bashkuara, Republika Çeke, Qiproja, Republika Domenikane, Islanda dhe Norvegjia.
Njoftimin për aderim, këto shtete e bënë në Konferencën e OKB-së për Ndryshime Klimatike 2023 (COP28) që po mbahet në Dubai.
I dërguari i posaçëm i ShBA-së për klimën, John Kerry, njoftoi se ShBA-ja po i bashkohej Aleancës së Energjisë Përtej Qymyrit, që do të thotë se administrata e Bidenit angazhohet të mos ndërtojë impiante të reja qymyrguri dhe të heqë gradualisht termocentralet ekzistuese.
Asnjë datë nuk u dha se kur do të duhej të dilnin nga funksioni termocentralet ekzistuese, por veprimet e tjera rregullatore të Bidenit dhe angazhimet ndërkombëtare që tashmë janë në funksion thoshin se viti 2035 ishte koha e fundit e dhënies fund qymyrit.
Ai tha se hapi i parë që ShBA-ja do ta ndërmarrë është “të ndalojmë përkeqësimin e problemit: të ndalojmë ndërtimin e termocentraleve të reja të qymyrit”.
Që nga tetori, pak më pak se 20 për qind e energjisë elektrike në ShBA mundësohet nga qymyri, sipas Departamentit të Energjisë të ShBA-së. Sasia e qymyrit të djegur në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar është më pak se gjysma e asaj që ishte në vitin 2008.Aleanca “Powering Past Coal” filloi gjashtë vjet më parë dhe kishte 50 vende anëtare deri të shtunën kur Shtetet e Bashkuara dhe gjashtë të tjerë u bashkuan, tha zëdhënësja e aleancës, Anna Drazkiewicz./Media Ndërtimi