Connect with us

Turizëm

Kosova dhe Izraeli nënshkruajnë marrëveshje në fushën e turizmit

Published

on

Ministri i Turizmit të Izraelit, Haim Katz, u mirëprit me ngrohtësi në ambientet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga Ministrja znj. Rozeta Hajdari dhe stafi i saj.

Dy ministrat homolog gjatë këtij takimi nënshkruan Deklaratën e Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, e cila ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.

Ministrja Hajdari, tha se ky është një shans i jashtëzakonshëm për të eksploruar shumë fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë pjesëmarrjen në ekspozita, panaire, konferenca, dhe ngjarje të tjera që do të promovojnë bukuritë natyrore dhe kulturën e të dyja vendeve.

Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e poashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.

Nxitja e bashkëpunimit institucional ndërmjet Autoriteteve Kombëtare të Turizmit dhe nxitja e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet agjencive të udhëtimit dhe institucioneve të tjera në fushën e turizmit, është gjithashtu e rëndësisë së veçantë.

Poashtu, Deklarata e Përbashkët parasheh edhe nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të lidhura me turizmin si dhe në fushën e edukimit turistik, duke nxitur shkëmbimin e informacionit përkatës me qëllim krijimin e kushteve për të mundësuar shkëmbimin e përvojës praktike në fushën e edukimit, trajnimit dhe të mësuarit, me theks të veçantë në ngritjen e aftësive dhe rikualifikimit.

Kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë në  fushën e turizmit në mes të Republikës së Kosovës dhe Izraelit.

Pas vizitës që Ministrja Rozeta Hajdari, muaj më parë kishte realizuar në Izrael, Ministri Katz, po realizon një vizitë në vendin tonë ku do të zhvillojë takime të ndara me krerët më të lartë shtetëror./Media Ndërtimi

Turizëm

Turizmi kulturor, Kalaja e Gjirokastrës më e vizituara, pas saj Parku Arkeologjik në Shkodër

Published

on

Segmenti i turizmit kulturor ka shënuar rritje më të fortë sesa sektori i turizmit në tërësi në vend.

Shifrat zyrtare tregojnë se numri i vizitorëve në institucionet kulturore u rrit me 69% në janar-maj 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bëhet fjalë për vizitueshmërinë në muze, kala e monumente të tjera si dhe parqe arkeologjike.

Konkretisht deri në fund të majit ishin mbi 350 mijë vizitorë, teksa një vit më parë ky numër ishte 216 mijë. Vetëm në maj 2024 ishin 165 mijë vizitorë me rritje 46% në raport me majin 2023.

“Gjatë muajit maj 2024, institucionet tona të kulturës janë vizituar nga 165,813 vizitorë, vlerë kjo e rritur në masën 46% krahasuar me muajin maj të vitit paraardhës.

Në 5-mujorin e parë të vitit, numri i vizitorëve është 350,772.

Numrin më të madh të vizitorëve në këtë muaj e ka pasur Kalaja e Gjirokastrës, ku numri i vizitorëve në këtë kala ka zënë 17.7% të totalit i ndjekur nga Parku Arkeologjik i Shkodrës, që zë 15.4% të totalit të vizitorëve për muajin maj; ndjekur nga Muzeu i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti në Krujë” thuhet në statistikat e publikuara nga Ministria ne Turizmit dhe Mjedisit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Turizëm

Çmimet e larta nxisin prenotime rekord te shqiptareve ne Greqi e Turqi

Published

on

Në verën e vitit 2024, shqiptarët kanë shtuar preferencën për pushimet në Turqi dhe Greqi, pavarësisht rritjes së çmimeve me 10-15% këtë vit në këto vende.

Me një euro të lirë dhe shtrenjtim shumë më të lartë të çmimeve në jug të Shqipërisë, shumë turistë kanë zgjedhur të kalojnë pushimet e tyre në këto destinacione të njohura, duke shfrytëzuar ofertat ekonomike dhe shërbimet gjithëpërfshirëse, shkruan Monitor.al

Agjencitë turistike pohojnë se prenotimet për Turqi dhe Greqi kanë qenë në nivelet më të larta historike këtë vit.

Prej vitesh Elona i kalonte pushimet me familjen e saj në Qeparo, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët. Zgjedhja ishte gjithnjë një apartament 2+1.

Një vit më parë, qiraja ditore e apartamentit ishte 120 euro, nga 90-100 euro që ajo e kishte marrë më parë, por gjithsesi zgjedhja e saj nuk ndryshoi.

Kur kërkoi të rezervonte këtë vit, i njëjti apartament kushtonte 200 euro nata, por pronarja i tha se si klientë e rregullt mund ta marrte me 150 euro/nata.

Elona thotë se ky çmim iu duk tepër i lartë, për më tepër që edhe çadra ditore tashmë kushtonte 3 mijë lekë nga 2 mijë lekë më parë.

“Me të njëjtin standard kam gjetur një apartament në zonën më të mirë të Korfuzit të Greqisë për 100 euro/nata dhe normalisht që këtë vit do të shkoj aty”, thotë ajo.

Shumë miq të saj i kanë thënë se në Himarë çmimet janë edhe më të shtrenjta dhe minimalisht janë 30-40% më shumë sesa një vit më parë. Edhe ata kanë bërë llogaritë nëse ia vlen më mirë t’i bësh pushimet brenda vendit, apo jashtë.

Çmimet e akomodimit në jug të vendit janë shtrenjtuar ndjeshëm këtë vit, me 25-30%, të nxitura si nga shtimi i kostove ashtu dhe nga kërkesa e turistëve të huaj, sidomos në muajt e parë të vitit,

teksa Shqipëria u reklamua ndjeshëm si nga mediat e huaja ashtu dhe rrjetet sociale, sidomos bregdetin e jugut, dhe Ksamilin që u etiketua si Maldivet e Europës.

Sipas INSTAT në 5 muajt e parë të vitit hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 3.3 milionë, me një rritje prej 38% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose dyfish, krahasuar me 2019-n, përpara fillimit të pandemisë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Turizëm

Akomodimi në Vlorë, jo më lirë se 55-60 euro/nata, në Dhërmi deri në 600 euro fjetja

Published

on

Nëse vitin e kaluar, mund të gjeje një apartament në qendër të Vlorës për 40 euro për natë, këtë vit, kjo është e pamundur. Në një kërkim të thjeshtë në platforma të njohura si Booking apo Airbnb për një natë korrik 2024 në qendër të Vlorës, çmimi i akomodimit më të lirë dhe më i përshtatshëm është rreth 60 euro për natë.

Gjithashtu, nëse kërkohet të qëndrohet në zona të tjera të Vlorës si Radhimë apo Orikum, të njohura për plazhet e tyre familjare dhe për çmime më të përballueshme, një apartament me qira ditore mund të kushtojë rreth 60 euro në natë.

Çmimet në hotelet e kategorive të ndryshme në zonën e Vlorës fillojnë nga 90 euro në natë për opsione më të lira, duke arritur deri në 200 euro për natë për hotele më luksoze.

Për shkak të numrit të madh të hoteleve dhe apartamenteve në qendër të Vlorës, oferta është e lartë dhe ka mundësi të shumta për të qëndruar larg bregut për 55 euro në hotel dhe deri në 250 euro për një hotel të mirë buzë detit.

Kjo tregon se Vlora mbetet një destinacion i preferuar për pushime në Shqipëri, megjithëse me një kosto tashmë më të lartë krahasuar me vitet e kaluara.

Nga Dhërmiu në Qeparo nuk ka më akomodime ekonomike, arrijnë deri në 600 euro

Akomodimet më të shtrenjta ndodhen në në Dhërmi, Jal, Himarë, Borsh dhe Qeparo. Në këto zona është pothuajse e pamundur të gjesh akomodime ekonomike si me apartamente me qira ditore por edhe me hotele.

Për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe plazheve të mrekullueshme, këto zona janë destinacione të preferuara për pushuesit gjatë sezonit turistik. Megjithatë, gjetja e akomodimeve me çmime të arsyeshme bëhet një sfidë për shumë vizitorë.

Gjatë pikut të sezonit turistik, një apartament me qira ditore në këto zona fillon në minimum 60 euro për natë nëse ndodhet larg bregdetit. Çmimet për apartamentet pranë bregdetit mund të shkojnë deri në 80 -100 euro për natë, ndërsa për opsionet më luksoze mund të arrijnë deri në 250 euro për natë.

Një detaj thelbësor që duhet të theksohet është se, edhe pse mund të gjenden akomodime në këto çmime, ato shpeshherë janë shumë të pakta në numër. Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë akomodime specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.

Për vendasit, hotelet në këto zona janë të paarritshme për shkak të kostove të larta të akomodimit. Çmimet për një natë fillojnë nga 250 euro dhe mund të shkojë deri në 600 euro për opsionet më luksoze. Megjithatë, për këtë kategori të akomodimeve, numri i strukturave akomoduese është i kufizuar./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending