Bashkimi Evropian po e vëzhgon me kujdes rolin e Kinës në Ballkan. Në samitin e fundit mes BE-së dhe Kinës, që u mbajt në prill të vitit të kaluar, diplomatët evropianë thanë se, në aspektin politik, angazhimi i Kinës nuk është aq i dukshëm sa i Rusisë apo Turqisë. Megjithatë, ai është në rritje dhe kërkon kujdes edhe nga ana e bllokut evropian, thanë ata.
BE-ja dhe Kina janë në grindje për një varg çështjesh – nga spiunazhi ekonomik deri te pozicionimi ushtarak i Pekinit në Tajvan.
Ndonëse ndikimi më i madh i Kinës është vërejtur në Serbi – ku dërgon edhe armë, raketa, kamera të sigurisë e të tjera – ai nuk është i kufizuar vetëm në këtë shtet të Ballkanit.
Një firmë nga Kina është duke ndërtuar urën në Gadishullin Peleshac në Kroaci – projektin më të madh në këtë shtet të BE-së, të financiar nga vetë blloku evropian. Vite më parë, Greqia ia ka shitur Kinës portin në Pire. Edhe Mali i Zi dhe Hungaria kanë projekte të shumta me Kinën. Sipas raportit të Qendrës për Zhvillim Global, Mali i Zi është në mesin e tetë vendeve më të rrezikuara nga prania kineze.
“Ofertat” financiare nga Kina dhe refuzimi nga Shqipëria
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se ka pasur përpjekje të shumta gjatë viteve nga Banka e Kinës për ofrimin e financimeve përmes kredive të buta, të cilat do të kërkonin garanci nga shteti shqiptar.
“Qeveritë shqiptare asnjëherë nuk kanë ofruar garanci të tilla, prandaj edhe investimet kineze – ndryshe nga rajoni – nuk kanë pasur sukses. Një nga projektet më ambicioze ishte financimi i Rrugës së Arbrit, për të cilën konkurrentët kinezë siguronin vetë edhe financimin, por nuk u pranuan nga autoritetet tenderuese shqiptare”, kujton Xhepa.
Në vitin 2016, një kompani kineze – e mbështetur nga shteti – bleu 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, por, pak kohë më vonë, marrëveshja u prish.
Në fund të vitit 2019, Shqipëria hoqi dorë edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me Kinën për rrjetin e internetit 5G, pas thirrjeve që bëri Ambasada amerikane në Tiranë. Kjo marrëveshje, më pas, u firmos me SHBA-në.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes për lëvizje të lirë, qytetarët e Shqipërisë do të mund të qëndrojnë pa viza në Kinë deri në 180 ditë.
Qytetarët kinezë e kanë pasur mundësinë për të hyrë me viza turistike në Shqipëri që prej vitit 2019.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, marrëveshja për lëvizje të lirë do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Më herët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi i tij pret më shumë investime nga Kina, ndërsa investitorët kinezë kanë shfaqur interes për investime në energji dhe infrastrukturë./Media Ndërtimi.