Connect with us

Aktuale

Kërkohet me urgjencë ndihma e shtetit për sektorin privat

Published

on

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka paralajmëruar pako të re të rimëkëmbjes ekonomike.

Ky propozim i Muratit është kundërshtuar nga opozita me arsyetimin se duhet të vazhdohet tëimplementohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, mirëpo nga njohësit e ekonomisë është mirëpritur pakoja e re për rimëkëmbje ekonomike. Ata thonë se fokusi më i madh duhet të jetë te bizneset e goditura nga pandemia.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në seancën e së të martës të Kuvendit të Kosovës gjatë fjalës së tij, ka paralajmëruar pako të re të rimëkëmbjes ekonomike. “Ne jemi në përgatitje. Shumë shpejt do ta keni edhe rishikimin e buxhetit. Ka qenë e pamundur të hartohet pakoja e rimëkëmbjes ekonomike pa e ditur hapësirën fiskale. Është dashur t’i monitorojmë të hyrat dhe shpenzimet në mënyrë që ta kemi të qartë se çfarë hapësire fiskale mund të përdorim për të krijuar këtë pako të rimëkëmbjes”, ka thënë Murati.

Por nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se gjendja ekonomike është e rëndë dhe se qeveria, sipas tij, duhet ta fillojë implementimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që pas gjashtë muajve ky ligj do të shfuqizohet. “Se gjendja ekonomike është e rëndë, tregojnë edhe shumë indikatorë makroekonomikë. Kemi shumë biznese që kanë falimentuar e shumë punëtorë që kanë humbur vendin e punës. Edhe borxhi publik është rritur. Shqetësuese mbetet që as në programin qeveritar nuk parashihet asnjë masë konkrete se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike e vendit pas Covid-19”, ka thënë deputeti Hamza.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është i nevojshëm krijimi i pakos së re të rimëkëmbjes ekonomike. “Ne duhet ta kemi një analizë të thuktë pasi ka shumëindikatorë që janë më mirë sesa që kemi pritur, pasi ka një rritje të qarkullimit të bizneseve dhe tani duhet ta shohim se ku është e rëndësishme të intervenohet. Sigurisht se duhet të kemi një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike pasi nuk mund të rikuperohen pasojat e pandemisë vetëm me veprime të cilat janë brenda sektorit privat”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka thënë se rritja e fuqisë blerëse, eksportuesit dhe personat që kanë humbur vendet e punës duhet të jenë prioritet i linjës së pakos së re të rimëkëmbjes. “Çështja e subvencionit me paga më nuk është aktuale, sepse nuk kemi mbyllje të ekonomisë. Ne duhet të shohim sesi mund ta rrisim fuqinë blerëse më shumë dhe si mund të ndikojmë në krijimin e vendeve të reja të punës.

Këtu mendoj se ka hapësirë të përkrahet pjesa e eksportit. Pra, e rëndësishme është të ruhet fuqia blerëse dhe të përfshihet pjesa për punëtorët që kanë humbur vendet e punës, pra t’u ndihmohet atyre dhe të mendohet për gjetjen e punës tjetër për ta”, ka thënëRukiqi.

Visar Vokrri, hulumtues nga “Riinvest”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se zotimet qeveritare duhet të implementohen pavarësisht se cilës parti politike i takojnë pasi, sipas tij, bizneset planet i orientojnë bazuar në zotimet publike.

“Zotimet e qeverisë duhet të merren seriozisht, pavarësisht se ishin zotime të një qeverie paraprake, ato zakonisht preferencohen në planet investive të bizneseve në sektorin privat. Pra, kur një zotim publik për implementim është i rregulluar me ligj dhe nuk implementohet, kjo mund të ndikojë në aktivitetin ekonomik të sektorit privat.

E themi këtë për shkak se bizneset i marrin seriozisht dhe të zotueshme premtimet e qeverisë dhe kësisoj aktivitetet e tyre i bazojnë në zotimet e qeverisë. Prandaj, konsideroj se ligji i cili është votuar në vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës, i tillë duhet të fillojë të implementohet. Sektori privat ka hyrë në pritje dhe ato pritje duhet të realizohen dhe kjo mund të ndikojë në tkurrje të sektorit privat”, ka thënë Vokrri.

Sipas tij, nëse qeveria aktuale konsideron se Ligji është i paimplementueshëm, me delikatesë duhet ta hartojë pakon e re të rimëkëmbjes dhe prioritet të jenë sektorët e goditur nga pandemia. “Nga kjo qeveri, pavarësisht se ende s’kemi plan konkret, është thënë se ligji i rimëkëmbjes, si i tillë, s’mund të implementohet dhe nëse kemi plan të ri, edhe pse jemi vonuar në planin e rimëkëmbjes, konsideroj se qasja duhet të jetë mëselektive dhe mos të kemi qasje gjithëpërfshirëse për të gjithë sektorët pa dallim, pasi kriza pandemike ka pasur pasoja më të mëdha për disa sektorë, rrjedhimisht dhe qasja s’duhet të jetë uniforme. Fokusi më i madh duhet të jetë te bizneset e goditura, në mënyrë që edhe rimëkëmbja të jetë në fund e barabartë për të gjithë”, ka deklaruar Vokrri.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë për “Epokën e re” se Kosova është në pozitën e fundit sa i përket mbështetjes për biznese dhe për qytetarët. “Nëse bëhet një analizë e mbështetjes sështeteve të rajonit ndaj bizneseve dhe qytetarëve,Kosova është në pikën e fundit. Mal i Zi i ka ndarë mëtepër se 1 miliard e 600 euro, Shqipëria tre miliardëeuro, Maqedonia më tepër se 4 miliardë euro, kurse Kosova deri më sot vetëm 269 milionë euro ndihmëpër qytetarët dhe bizneset.

Kjo dëshmon më se miri qasjen e institucioneve për t’i mbështetur bizneset dhe qytetarët. Duhet të draftohet një pako e re për rimëkëmbje ekonomike e cila do të ketë qasjegjithëpërfshirëse dhe e cila do t’i ketë target ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe bizneset familjare. Jo pako nga e cila do të përfitojnë vetëm kompanitë e mëdha të cilat në kohën e pandemisë ishin përfitueset më të mëdha”, ka thënë Gërxhaliu, i cili ka shtuar se vendeve të rajonit u duhet një apo dy vjet për rimëkëmbje ekonomike, ndërkaq Kosovës i duhet dyfishi i kësaj kohe.

Aktuale

Përfaqësuesit e personave me nevoja të veçanta kërkojnë t’iu sigurohet transporti për punë

Published

on

Në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media është mbajtur dëgjim publik për ndryshim plotësimin e Ligjit për zyrtarët publik. Kërkesa për votimin e këtij projektligji patën personat me aftësi të kufizuar, të cilët me anë të saj kërkojnë transport dhe mundësimi i punës online.

Përfaqësuesi i personave me aftësi të veçanta, Gentrit Zeqiri, është shprehur se mungesa e kushteve për transport po ua vështirëson krijimin e kushteve për punë të këtyre zyrtarëve.

“Propozimi i parë ka qenë sigurimi i transportit të zyrtarëve me nevoja të veçanta nga shtëpia në punë dhe anasjelltas dhe propozimi i dytë, është të ju lejohet zyrtarëve me aftësi të veçanta të punojnë edhe nga shtëpia së paku 3 ditë në javë. Sa i përket propozimit të parë është t’iu sigurohet transporti për shkak të mungesës së qasjes ku kemi shume raste, ankesa të këtyre zyrtarëve përkundër faktit që pranohen në shumë punë…për shkak të transportit ata detyrohen t’i lënë këto punë për shkak të vështirësive që kanë”, tha Zeqiri.

Për Zeqirin është e rëndësishme edhe mundësimi i punës online për këta zyrtarë, sipas tij kërkesa e këtij grupi është të mundësohet puna nga shtëpia së paku për tri ditë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mbi 70 biznese promovohen në panairin “Pan Expo Group-Kosova 2024”

Published

on

Është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Pan Expo Group-Kosova 2024”, në Prishtina Mall, për herë të parë në Kosovë, ku po marrin pjesë mbi 70 biznese nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Qëllimi i këtij panairi është që kompanitë pjesëmarrëse të ndajnë eksperiencën e tyre me njëra- tjetrën, të mund të shpalosin ofertat e tyre, si dhe të tërheqin klientë dhe bashkëpunëtorë rinj.

Përveç kësaj, qëllim tjetër i këtij organizimi është promovimi i ndërmarrësisë, inovacionit si dhe edukimit të gjeneratave të reja për iniciativën e lirë në biznes.

Organizimi i këtij panairi u vlerësua shumë i rëndësishëm edhe nga vetë bizneset pjesëmarrëse, për çka edhe u shprehën të kënaqur me mundësinë e dhënë për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre.

Drejtoresha e “Pan Expo Group”, Elisa Stefa tha se pavarësisht sfidave të kaluara për organizmin e një panairi të tillë, është e kënaqur me pjesëmarrjen, kualitetin dhe cilësinë e bizneseve. Ajo tregoi se në këtë panair po marrin pjesë biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera jashtë rajonit.

Panairi “Pan Expo Group-Kosova 2024” do të jetë i hapur deri më datën 19 maj. Përgjatë ditëve të panairit do të ketë showroom-e, prezantime live, seminare, aktivitete dhe konferenca./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Ish-drejtori i Njësisë së Auditimit në Ministrinë e Infrastrukturës akuzohet se bëri raport në favor të “Sallahu” SH.P.K

Published

on

Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzad Musliu dhe ish-pronari i kompanisë “Sallahu” SH.P.K, Naim Sallahu, kanë dalë para Gjykatës së Prishtinës më 16.05.2024 për t’u përballur me akuzat që u ngarkohen.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzat Musliu në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., që sipas prokurorisë është e ndaluar me ligj.

Në seancën e 16.05.2024 janë dëgjuar Hysen Merovci, Shaban Krasniqi dhe Mexhide Behluli të cilët ishin propozuar si dëshmitarë për t’u dëgjuar nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.

Mexhide Behluli e cila ishe ftuar të dëshmojë në rolin e zyrtares ligjore në Ministri të Infrastrukturës tha se nuk i kujtohej se ka qenë në takimin në të cilin ishte diskutuar nga sekretari i kësaj ministrie dhe udhëheqësit të divizionit lidhur me kërkesën për futjen e kompanisë “Sallahu” SH.P.K, në listën e zezë.

“Nuk më kujtohet që kam qenë pjesë e këtij takimi” – tha Mexhide Behluli gjatë dëshmisë së saj në gjykatë.

Ajo mohoi të jetë në dijeni se ka pasur një kërkesë nga Vlamire Bllaca për ta futur në listën e zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kompaninë e “Sallahu” SH.P.K.

Mexhidi tha se fushë-veprimtaria e saj ishte të jetë si pikë kontakti mes avokaturës shtetërore dhe MI në lidhje me lëndët Gjyqësore në të cilat MI ishte palë e paditur.

Pas Behlulit, dëshmoi Hysen Merovcit, i cili kishte qenë udhëheqës i divizionit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Për dallim nga Behluli, dëshmitari Merovci tha se është mbajtur një takim me sekretarin e MI, Izedin Bytyqin për të diskutuar lidhur me kërkesën e Valmire Bllacën për ta futur në listë të zezë të kompanisë “Sallahu” SH.P.K.

“Sekretari i MI Izedin Bytyqi më ka kërkuar mua në cilësinë e udhëheqësit të divizionit të projektit edhe kjo çika e departamentit ligjor, Mexhide në takim me zyrën e sekretarit në lidhje me një ankesë që është bërë nga Operatori Ekonomik ‘Sallahu’, e ka lyp mendimin tonë, në lidhje me vlerësimin e një tenderi për ndërtimin e urës M9 Pejë – Kuqisht” – tha Merovci.

Në fund është dëgjuar edhe dëshmitari Shaban Krasniqi i cili ishte gjeodet në kompaninë “Sallahu” SH.P.K.

Me të përfunduar faza e dëgjimit të dëshmitarëve, gjyqtari Avni Syla njoftoi të pranishmit në sallë se meqë nuk ka asnjë propozim për plotësimin e provave, do të kalohet në fazën e dhënies së mbrojtjes nga të akuzuarit.

Ky rast po gjykohet nga gjykatësit Avni Syla, kryetar i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti – anëtarë. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori i krimeve të rënda, Bashkim Zeqaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzad Musliu, në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë me lokacionin Drelaj”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending