Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e opozitës për shfuqizmin e VKM-së për katet pa leje, duke lënë kështu në fuqi vendimin e qeverisë.
Bëhet fjale për Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”.
Ky vendim i Kushtetueses, vjen pas një sërë kritikash për VKM-në nga ekspertët. Ata mendojnë se kjo VKM amniston ndërtuesit e mëdhenj, i mbivendoset ligjit dhe nuk sqaron çështjen e strehimit social sikurse pretendohet nga qeveria.
Deputeti i opozitës Gazmend Bardhi, i cili ka nisur dërgimin e VKM-së në Gjykatën Kushtetuese së bashku me 28 deputetë të tjerë, u shpreh sot pas vendimit se “Gjykata Kushtetuese nuk u rezistoi dot presionit dhe shantazhit nga qeveria”. Sipas tij vendimi është i padrejtë.
Këshilli i Ministrave e miratoi këtë vendim në 7 shtator 2022, teksa ministrat e kabinetit kishin nisur të vepronin para publikimit të vendimit në fletoren zyrtare.
Në 1 qershor, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për administrimin e ndërtimeve pa leje. Ndërtimet u konfiskuan duke zbatuar VKM-në në fjalë.
Sipas projektligjit, pasi objekti është konfiskuar, pronari ka të drejtën e parablerjes në procesin e shitjes që kryen qeveria. Kjo parablerje bëhet me vlerën e tregut. Po ashtu ka të drejtë në këtë proces përpos pronarit të truallit, subjekti ndërtues, persona të tretë që kanë marrëveshje juridiko-civile për pronën e konfiskuar.
Nëse asnjë prej palëve nuk kanë interes për ta blerë, objekti del në ankand publik. Po ashtu parashikohet ngritja e Komisionit të Objekteve të Konfiskuara, një strukturë që do të jetë pranë Kadastrës. Ky komision do të kryejë të gjitha veprimet e vlerësimit teknik dhe financiar të pronave të konfiskuara.
Kritikat për VKM-në dhe strehimi social
VKM-ja u prit me kundërshtime nga ekspertët dhe opozita, që e quajtën atë një formë amnistimi në favor të ndërtuesve, të cilëve iu dha mundësia që katet e ndërtuara pa leje t’i dhurojnë ose t’i ri-blejnë me çmimin e tregut.
Sipas nenit 199/a të Kodit Penal, ndërtimi pa leje i kryer për qëllime fitimi dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet. Sipas ekspertëve, kjo VKM është mbivendosje e ligjit. Nga njëra anë ka Kodi Penal që parashikon vepër penale ndërtimet pa leje, nga ana tjetër ka legjislacionin për legalizimet që parashikon mundësitë e legalizimeve të ndërtimeve pa leje dhe rasteve kur këto legalizime nuk plotësojnë kriteret.
Qeveria pretendoi në shtator, se kjo VKM erdhi si nevojë për të rregulluar situatën e ndërtimeve pa leje, pasi “prokuroria dhe institucionet e drejtësisë nuk po veprojnë”. Ishte kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi të cilët akuzuan organet e drejtësisë për mos hetim dhe korrupsion.
Në një përgjigje për Citizens Channel, Prokuroria e Tiranës u shpreh se: “nga verifikimi në indekset e kallëzimeve penale dhe procedimeve penale, rezulton të jenë regjistruar disa procedime penale në lidhje me këto ndërtesa”. Edhe në këtë rast VKM krijon mbivendosje me ligjin ekzistues.
Në një analizë të mëparshme Citizens Channel tregoi se si konfiskimi i pallateve pa leje nuk i shërben të pastrehëve, ndryshe nga sa kishte premtuar qeveria dhe parashikon kjo VKM.
Ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19 se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.
Edhe te projektligji i miratuar në 1 qershor, parashikohet se objektet do përdoren për interes publik apo strehim social si dhe për zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara. Mirëpo në të gjithë pikat që shoqërojnë projektligjin, vëmendje i kushtohet shitjes apo nxjerrjes në ankand të ndërtesave me vlerë disa dhjetëra milionë euro dhe jo mënyrës se si do ti shërbejnë strehimit social.
Citizens Channel analizoi se si ky projektligj nuk sqaron çështjen e strehimit social, edhe pse kryefjala e qeverisë ka qenë konfiskimi për interes publik./Media Ndërtimi