Nën zhurmën e çarshisë së Shkupit, Semra Rashiti me një qetësi të thellë në atelienë e saj, përmes kaligrafisë germëzon porositë e personalizuara për klientët e saj.
Semra diplomon këtë vit për arkitekturë në Universitetin e Shkupit, megjithëse pranon se që nga fëmijëria ka pasur pasion artin.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se zgjodhi të studionte për arkitekturë, pas komenteve dekurajuese se nga arti nuk mund të jetohet.
Kur pandemia e koronavirusit goditi Maqedoninë e Veriut më 2020, Semra nisi të merrej me kaligrafi, që e mësoi përmes kurseve online. Atëbotë, kujton ajo, i kishte vënë synim vetes që të pikturonte çdo ditë nga gjashtë deri në tetë orë, në mënyrë që, siç shprehet, arti të mos ia braktis shpirtin.
Në këtë kohë, kaligrafia – arti i të shkruarit bukur – kaliti te Semra durimin përmes lidhjes së mahnitshme të artistikes dhe rrugëtimit shpirtëror. Ajo thotë se arkitektura glifit durimin, sa i përket respektimit të dimensioneve precize, ndërkaq arti mundësinë e shprehjes pa kufizime dhe të dyja këto, ajo thotë se janë të gërshetuara përmes kaligrafisë.
“Kaligrafia është përdorur më herët si bukurshkrim. Tani, në kohën moderne kjo bëhet përmes teknologjisë. Por, unë këtu në dyqanin tim, atelienë ku punoj, bëj punë dore dhe kjo i shton vlerën. Bukurshkrimi arrihet jo vetëm përmes dorës sime, se si i vizatoj shkronjat, por këtu kanë hise edhe mjetet, pasi ato kontribuojnë që shkrimi të dalë i bukur”, thotë Semra.
Semra thotë se ka porosi të shumta, pasi dhuratat me shkrim të personalizuar, që punohen me durim të madh, sipas saj, i “bëjnë ballë kohës”.
“Realisht, shkrimi, kaligrafia është ajo që kërkohet më së shumti. Personalizimi i dhuratave me shënimin e emrit, kërkohet më së shumti, qoftë nga banorët apo vizitorët e huaj, pra turistët që vijnë në qytetin tonë”.
“Po ashtu, kërkesë ka për shënimin e ndonjë date të caktuar që është e rëndësishme për blerësin ose për atë që pranon dhuratën”, tregon ajo.
E pyetur se kush janë vizitorët më të shpeshtë të ateliesë së saj, Semra përgjigjet se janë ata që e duan të bukurën “dhe të bukurën e duam të gjithë”.
Semra është e befasuar për të mirë nga reagimet në rrjetet sociale lidhur me punën e saj, ku krahas kërkesave për të pikturuar në pëlhurë, letër dhe qelq, vajzat e reja i kërkojnë që t’iu bëjë vizatime në duar para dasmës, për festën që njihet si “Nata e kanës”.
Ajo thotë se ka shumë turistë “që më kanë gjetur në Instagram dhe interesohen për pjesën e kaligrafisë, por edhe të vizatimeve” të tjera.
Semra thotë se me punë arriti të dëshmojë se nga arti mund të gjenerohen të ardhura, gjithmonë nëse kjo bëhet me pasion.
“Patjetër që mund të jetohet nga arti nëse bëhet me shumë dashur dhe pasion dhe që arti të mos përdoret vetëm si hobi, por të trajtohet si punë”.
Në Maqedoni të Veriut, thotë Semra Rashiti, nuk ka një shkollë të licencuar për mësimin e kaligrafisë. Andaj, thotë ajo, atelieja që ka në çarshinë e Shkupit mbetet e hapur për të gjithë ata të rinj që duan të mësojnë këtë lloj arti./Media Ndërtimi