Gjykim

Ish-inspektori i ndërtimit në Prizren dënohet me 14 muaj burgim

Published

on

Nexhmedin Musliu, ish-inspektor i ndërtimit në Prizren, është dënuar me 14 muaj burgim unik për dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, i akuzuari Musliu për të dy veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare është dënuar me nga 8 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 14 muaj burgim.

Gjykatësja Skenderi tha se, ky vendim i gjykatës ka ardhur pas analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, deklarimeve të dëshmitarëve, provat materiale dhe ekspertizës së ndërtimtarisë.

Tutje sipas gjykatëses, i akuzuari si person zyrtar përgjegjësia e të cilit ka qenë zona “Qylhan” me veprimet e tij i ka sjellur përfitim investitorëve Isuf Alibajra dhe Shaqir Rrahmanaj.

Ndaj të akuzuarit është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike dhe shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas mbajtjes së dënimit.

Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Isuf Alibajrës ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanajt ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”./Media Ndërtimi.

Trending

Exit mobile version