Prokurorja Ervehe Gashi, në fjalën përfundimtare të dhënë të martën, i ka propozuar gjykatës që ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit ish-inspektorin e ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim detyre. Ndërsa, mbrojtja e të akuzuarit ka kërkuar lirimin e tij nga akuzat.
Prokurorja Gashi, e cila fjalën e saj përfundimtare e kishte përpiluar me shkrim dhe ua dorëzoi nga një kopje gjykatës dhe palëve tjera, tha se nga provat materiale dhe dëshmitë e dëshmitarëve rezulton gjendja faktike si në pikat e aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo i propozojë gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit dhe ndaj të njëjtit të shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik.
Prokurorja tutje kërkoi që me rastin e matjes së dënimit, gjykata t’i ketë parasysh rrethanat rënduese, si faktin e dashjes së lartë të të akuzuarit, dëmin e shkaktuar dhe faktin se i njëjti me veprimet e tij e ka zbehur imazhin e institucioneve.
Përfaqësuesi i autorizuar i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku, e ka mbështetur fjalën përfundimtare të prokurores, derisa i njëjti shtoi se e kërkojnë kompensimin e dëmit.
“Për shkak të dëmit të pësuar si në pikën një të fjalës përfundimtare të prokurores, të obligohet i akuzuari që të bëjë kompensimin e dëmit në lartësi prej 2 mijë e 580 euro e 99 centë, dhe sipas dëmit të pësuar sipas pikës dy, ta bëjë kompensimin në lartësi prej 6 mijë e 49 euro e 71 centë, në afat prej 15 ditësh nën kërcënim të përmbarimit”, tha avokati Mazreku.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blin Gjini, i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet i pafajshëm në mungesë të provave.
“I mungojnë elementet qenësore për të qenë një aktakuzë e bazuar, për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor”, tha ndër të tjera ai.
Ndërsa, vet i akuzuari Musliu tha se prokuroria po pretendon që ta ngarkojë me një akuzë, ku paraprakisht procedurat i ka zhvilluar ish-kolegu i tij, Veron Aliu.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 12 maj 2022.
Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej 23 majit 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarrë veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Isuf Alibajrës ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”./Media Ndërtimi.